
Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit për Gazën të propozuar javën e kaluar nga presidenti amerikan Donald Trump. Edhe pse mbetet shumë e paqartë, kjo mund të jetë hapi më i madh deri më sot drejt një fundi të qëndrueshëm të luftës dyvjeçare.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve jo të drejtpërdrejta që u zhvilluan këtë javë në Egjipt dhe u shpall nga vetë Trump përmes platformës së tij “Truth Social”. Dokumenti është nënshkruar nga të dy palët të enjten dhe pritet të ratifikohet nga kabineti i sigurisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe nga koalicioni qeverisës izraelit në mbrëmjen e së enjtes.
Izraeli ka deklaruar se do të ndalojë ofensivën ushtarake “brenda 24 orëve” nga mbledhja e kabinetit të sigurisë dhe, pas kësaj periudhe, pengjet e mbetura në duart e Hamasit, rreth 20 që besohet se janë ende gjallë – do të lirohen brenda 72 orëve. Më pas do të dorëzohen edhe trupat e të vrarëve. Po ashtu, rreth 2,000 të burgosur palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite, përfshirë 250 që mbajnë dënime të gjata për vepra të rënda sigurie. Forcat izraelite do të tërhiqen në pozicione të reja, dhe pritet të rritet ndjeshëm dërgimi i ndihmave humanitare të domosdoshme në Gaza.
Çfarë ndryshoi?
Një kombinim faktorësh duket se ka sjellë këtë pikë kthese. Luftërat e Izraelit kanë marrë fund në të kaluarën kur SHBA ka ndërhyrë me forcë, dhe këtë herë duket se Netanyahu, i izoluar ndërkombëtarisht dhe nën presion të madh të brendshëm, ka gjykuar se nuk mund ta rrezikojë më tej mbështetjen e aleatit më të fuqishëm të Izraelit.
Për më tepër, Netanyahu mund të ketë llogaritur se mund t’i mbijetojë pakënaqësisë së partnerëve të ekstremit të djathtë në koalicionin qeveritar, sidomos nëse kushtet e marrëveshjes janë në favor të Izraelit, siç duket në këtë fazë.
Në anën tjetër, Hamasi ka dështuar të shkaktojë humbje të mëdha në radhët e forcave izraelite dhe nuk ka arritur të ndalojë avancimin e tyre. Organizata islamiste militante është nën presion të fortë nga Katari, Egjipti dhe Turqia për të bërë lëshime, dhe e ardhmja e saj do të ishte e pasigurt pa mbështetjen ose mirëkuptimin e këtyre fuqive rajonale.
Udhëheqësit e Hamasit, shumica jashtë Gazës, duket se janë bindur pjesërisht se pengjet janë kthyer në barrë – duke i dhënë Izraelit një arsye për të vazhduar luftën. Në këtë logjikë, mbijetesa konsiderohet fitore.
A është kjo vetëm një fazë fillestare?
Po, dhe me shumë gjasa është edhe faza më e lehtë. Nuk është ende e qartë se sa territor do të dorëzojë Izraeli, mediat izraelite raportojnë se ushtria do të vazhdojë të mbajë më shumë se gjysmën e Gazës, dhe nuk dihet as afati i tërheqjes së pjesshme.
Gjithashtu mbetet e paqartë nëse Hamasi do të çarmatoset dhe në çfarë mënyre. Është pak e mundshme që militantët e Hamasit në Gaza të pranojnë amnisti apo të largohen në mërgim, siç parashikon plani 20-pikësh i Trump.
Ka edhe shumë pyetje të tjera që kërkojnë zgjidhje, kush do të qeverisë Gazën pas përfundimit të luftës, si do të bëhet rindërtimi i një territori të shkatërruar totalisht, kush do të ofrojë trupa për një forcë ndërkombëtare stabilizimi, dhe të tjera që ende nuk janë diskutuar apo rënë dakord as në parim.
A mund të rifillojë lufta?
Ekzistojnë disa skenarë që mund të çojnë drejt rifillimit të konfliktit, por nuk duket se do të ketë një kthim të shpejtë te luftime të plota. Më e mundshme është që një armëpushim i brishtë të zgjasë për javë apo muaj, ndërsa negociatat për fazat e mëtejshme do të ecin ngadalë. Lufta mund të rifillojë në momentin që njërës palë i duket se ka më shumë për të fituar përmes forcës.
Megjithatë, ka shenja që e dallojnë këtë moment nga armëpushimet e mëparshme të nëntorit 2023 dhe janarit 2025. Si Hamasi, ashtu edhe Netanyahu, duket se besojnë se mund të përfitojnë më shumë nga një marrëveshje sesa nga vazhdimi i konfliktit. Kjo është thelbësore dhe jep një farë shprese.
Fuqitë rajonale duhet të mbeten të angazhuara, liderët ndërkombëtarë duhet të marrin rreziqe për të shtyrë palët të bëjnë lëshime të vështira, Hamasi duhet të mbetet i bindur se dhuna nuk i shërben më as vetes, as kauzës palestineze. Fushata elektorale që pritet në Izrael duhet të ndihmojë, jo të dëmtojë këtë marrëveshje.
Mbi të gjitha, Trump duhet të mbetet i interesuar për të siguruar paqe afatgjatë në Gaza dhe ndoshta për një riformatim më të gjerë diplomatik të Lindjes së Mesme. Të gjitha këto janë “nëse”, por pothuajse dy vjet pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit në tetor 2023 dhe ofensivës së pamëshirshme izraelite që shkatërroi Gazën, ky konflikt mund të jetë më afër fundit se kurrë më parë. /The Guardian
Lini një Përgjigje