Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se Parisi nuk ka marrë asnjëherë në shqyrtim vendosjen e forcave detare në Ngushticën e Hormuzit, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten.
“Një vendosje franceze nuk është marrë kurrë në konsideratë”, tha Macron në një konferencë për shtyp në Nairobi së bashku me Presidentin Kenian William Ruto.
Megjithatë, Macron përsëriti se Franca “është e gatshme” të ndihmojë në rifillimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit “në koordinim me Iranin”.
Deklarata u bë nga Nairobi i Kenias, pas paralajmërimeve të Iranit ndaj Francës dhe Britanisë për çdo prani të mundshme ushtarake në rajon.
Macron tha se Franca mbështet një qasje të koordinuar ndërkombëtare për garantimin e sigurisë së lundrimit në zonë, duke theksuar se në këtë proces duhet të përfshihet edhe Irani.
Ai nënvizoi se Franca kundërshton çdo përpjekje për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht nëse vjen nga Shtetet e Bashkuara apo Irani.
Presidenti francez deklaroi gjithashtu se Parisi është kundër vendosjes së tarifave apo pagesave për kalimin e anijeve në këtë korridor strategjik, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lirisë së lundrimit dhe funksionimit normal të transportit ndërkombëtar.
“Nuk ka pasur asnjëherë çështje për vendosje forcash, por ne jemi të gatshëm”, u shpreh Macron.
Ai bëri të ditur se Franca dhe Britania kanë kontribuar në krijimin e një misioni të përbashkët me pjesëmarrjen e rreth 50 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, me synim forcimin e sigurisë detare në rajon.
Deklaratat e Macron vijnë pasi Teherani paralajmëroi për “përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare” ndaj çdo pranie ushtarake franceze apo britanike në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Lini një Përgjigje