
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pret që të nënshkruajë marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë gjatë vizitës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Beograd gjatë kësaj jave.
“Është një kontratë e madhe për vendin tonë dhe nuk është kontratë e vogël as për Francën”, tha Vuçiq gjatë një interviste për agjencinë AFP.
Marrëveshja për blerjen e avionëve francezë, Rafale, pritet të jetë multimiliardëshe.
Macron do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht.
Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.
Në shkurt të vitit 2023, Vuçiç u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.
Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve gjatë vizitës në Serbi, kishte konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.
Lini një Përgjigje