
Analistët e Project Syndicate, parashikojnë një vit të ri në favor të multilateralizmit dhe përparime në lidhje me masat kundër ndryshimeve klimatike.
Në një peizazh global që ndryshon me një shpejtësi të diktuar nga turbullirat gjeopolitike, ekonomike dhe politike, parashikimi është një përpjekje që bart rreziqet e veta. Por ndërsa Donald Trump përgatitet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025, një gjë mund të thuhet me siguri: do të jetë një rrugëtim plot pengesa.
Analistët e Project Syndicate, parashikojnë një vit të ri në favor të multilateralizmit dhe përparime në lidhje me masat kundër ndryshimeve klimatike. Ndërkohë mandati i dytë i presidentit të porsazgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, do të ndikojë jo pak mbi stabilitetin global.
Rabah Arezki: Do përhapet më tej modeli i “sovranitetit ekonomik”
Me rizgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA-së, “sovraniteti ekonomik” do ta konsolidojë pozitën tij në politikën kombëtare. I përcaktuar gjerësisht si aftësia e një vendi për të marrë vendime të pavarura ekonomike, ky koncept ka fituar terren vitet e fundit në kuadrin e një reagimi global kundër tregjeve të lira dhe të hapura.
Shpesherë i shoqëruar me fajësimin e padrejtë të emigrantëve dhe pakicave për problemet që has një vend. Unë parashikoj shpejtimin e zhvendosjes drejt sovranitetit ekonomik, gjë që do të ketë pasoja të mëdha mbi tregtinë ndërkombëtare, flukset e kapitalit dhe modelet e migrimit.
Shlomo Ben-Ami: Mund të ketë paqe në Ukrainë, por jo në Lindjen e Mesme
Dy krizat më të rëndësishme në botë - lufta në Ukrainë dhe konflikti Izrael-Palestinë - ka të ngjarë të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2025. Ndërsa Izraeli dhe Hezbollahu kanë arritur një armëpushim të brishtë në Libanin Jugor, çështja palestineze është shumë më e vështirë për t’u zgjidhur.
Por arritjet ushtarake të Izraelit, i japin Trumpit dhuratën e një Lindje të Mesme të transformuar, në të cilën është shkatërruar i gjithë aksi i rezistencës i Iranit, përfshirë bazën e tij në Siri. Por koalicioni i ekstremit të djathtë i kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu, mbetet një pengesë për çdo lloj zgjidhjeje afatgjatë për Palestinën.
Në vitin e tij të parë të mandatit të tij të dytë, Trump mund të fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve Izrael-Arabia Saudite, dhe shmangien e një lufte të plotë midis Izraelit dhe Iranit. Ekziston rreziku që një Iran i dobësuar të rendë me shpejtësi drejt bombës bërthamore.
Ndërkohë, lodhja e Evropës nga lufta dhe ndryshimi i peizazhit gjeopolitik pas rizgjedhjes së Trump, mund t’i hapë rrugën zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë. Një marrëveshje e tillë, mund të përfshijë njohjen e pushtimeve territoriale të Rusisë, në këmbim të pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe garancive të sigurisë nga NATO.
Në Azi, presidenti kinez Xi Jinping nuk ka gjasa që ta pushtojë Tajvanin, përpara se të vlerësojë gatishmërinë e Trump për të ripërtërirë marrëdhëniet SHBA-Kinë. Duke pasur parasysh sfidat aktuale të brendshme të Kinës, Xi mund të detyrohet të pezullojë përkohësisht ambiciet e tij të mëdha ekspansioniste.
Laura Carvalho: Bashkëpunimi ekonomik do të zhvendoset drejt Hemisferës Jugore
Tërheqja e parashikuar e SHBA-së nga negociatat për klimën, së bashku me ringjalljen e proteksionizmit në të gjithë Perëndimin, do të nxisë mosbesimin ndaj multilateralizmit dhe kapacitetit të tij për të adresuar sfidat e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit.
Ndërsa Brazili përgatitet të presë Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP30) vitin që vjen, Afrika e Jugut do të bëhet vendi i parë afrikan që do të presë samitin e G20-ës, duke sinjalizuar një zhvendosje drejt një epoke të re të bashkëpunimit ekonomik të udhëhequr nga Jugu Global.
Duke e zgjeruar qasjen e tyre tek teknologjia, dhe u integruar në zinxhirët e furnizimit global, qeveritë e vendeve në zhvillim mund të shfrytëzojnë mundësitë ekonomike të paraqitura nga tranzicioni klimatik, si dhe të promovojnë një sistem tregtar shumëpalësh që e kapërcen dinamikën e një loje me shumën zero.
Fawaz A.Gerges: Izraeli do të shkatërrojë programin bërthamor të Iranit, me përfshirjen edhe të SHBA-së
Izraeli dhe Hamasi, mund të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje armëpushimi, por lufta e Izraelit kundër Hamasit do të vazhdojë dhe gjatë vitit 2025. Madje mund të përshkallëzohet në një përballje të drejtpërdrejtë me Iranin. Për Netanyahun, Republika Islamike mbetet objektivi përfundimtar, dhe ai do të shtojë përpjekjet e tij për ta tërhequr sërish SHBA-në në ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme.
Instinktet kundër luftës të Donald Trump, mund të jenë e vetmja gjë që i pengon këshilltarët e tij vijës së ashpër në politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare. Por këta të fundit, mund ta bindin atë që të sulmojë programin bërthamor të Iranit.
Antara Haldar: Mandati i dytë i Trump, do të krijojë një boshllëk në udhëheqjen globale
Rendi global që u shfaq pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, i ndërtuar mbi shtyllat e demokracisë liberale dhe ekonomisë neoklasike, premtoi të sjellë paqe dhe prosperitet për të gjithë. Por gati 80 vjet më vonë, ky sistem duket se është në prag të kolapsit.
Administrata e ardhshme e Trump, mund të dëmtojë shumë nga qëllimet thelbësore të rendit shumëpalësh, si mbështetja e tregtisë së lirë dhe lehtësimi i veprimit kolektiv kundër kërcënimeve të përbashkëta, si ndryshimi i klimës. Është thuajse e sigurt se mandati i dytë i Trump do të krijojë një boshllëk global të udhëheqjes, duke nxitur kaos në gjeopolitikë.
Teksa po zbehet Konsensusi i Uashingtonit, dhe po shohim një pikë kthese nga regjimi pozitivist i pasluftës si në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim, pyetja është nëse komuniteti ndërkombëtar do të mundet të reformojë institucionet e tij ekonomike dhe politike për t’i shërbyer njerëzve të zakonshëm, dhe për të adresuar pakënaqësinë e madhe, e cila nxit nga ana e saj rritjen e populizmit në nivel global.
Roberto Patiño: Migrimi do të jetë në axhendën kryesore të shumë qeverive
Çështja e migrimit do të mbizotërojë axhendën globale për vitin 2025, ndërsa ekonomitë e pasura do të përpiqen të pajtojnë disi mbështetjen e tyre tek punëtorët e huaj, me reagimin në rritje kundër emigrantëve. Në të njëjtën kohë, katastrofat natyrore të nxitura nga ndryshimet klimatike, luftërat dhe destabiliteti politik do të nxisin zhvendosjen e njerëzve në mbarë botën.
Mungesa e fuqisë punëtore në SHBA, do të bjerë ndesh me politikat kufizuese të migracionit të administratës së ardhshme Trump. Ndërkaq, udhëheqësit evropianë kanë frikë se ripërtëritja e konflikteve në Lindjen e Mesme, mund të shkaktojë valë të reja migracioni. Venezuela mbetet gjithashtu një vatër e mundshme kaosi.
Nëse presidenti Nicolás Maduro largohet nga pushteti, miliona emigrantë mund të kthehen më në fund në shtëpi, duke ofruar një fije shprese në një peizazh të zymtë. Por nëse Maduro vazhdon të qëndrojë në pushtet me dhunë, kriza globale e migracionit - në të cilën kanë kontribuar miliona venezuelianë të dëshpëruar - do të përshkallëzohet më tej./Përshtati "Pamfleti", nga “Project Syndicate”
Lini një Përgjigje