Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka bërë thirrje për t'i dhënë fund sulmeve ndaj spitaleve në Gaza, pas sulmeve të fundit të Izraelit.
“Spitalet në Gaza janë bërë sërish terrene beteje dhe sistemi shëndetësor është nën kërcënim të madh”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një postim në X.
"Ne e përsërisim: ndaloni sulmet ndaj spitaleve. Njerëzit në Gaza kanë nevojë për qasje në kujdesin shëndetësor. Punonjësit humanitarët kanë nevojë për akses për të ofruar ndihmë shëndetësore. Armëpushim!", shtoi ai.
Ushtria izraelite tha se militantët e Hamasit ishin objektivat e një sulmi në spitalin Al-Wafaa të qytetit të Gazës të dielën, për të cilin mbrojtja civile palestineze tha se vrau shtatë persona.
Forcat izraelite arrestuan gjithashtu më shumë se 240 palestinezë, përfshirë dhjetëra staf mjekësor nga spitali 'Kamal Adwan' të premten, mes tyre drejtori Hussam Abu Safiya.
Ushtria izraelite tha se spitali po përdorej si qendër komanduese për operacionet ushtarake të Hamasit dhe të arrestuarit ishin militantë të dyshuar. IDF deklaroi se Abu Safiya u mor në pyetje, pasi dyshohej se ishte një operativ i Hamasit.
Tedros, i cili javën e kaluar u kap nga një sulm izraelit kundër aeroportit kryesor të Jemenit, në Sana, bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Abu Safiya dhe tha se spitali Al-Ahli ishte përballur gjithashtu me sulme.
OBSH dhe partnerët dërguan furnizime bazë mjekësore, ushqim dhe ujë në spitalin indonezian të Gazës dhe transferuan 10 pacientë kritikë në spitalin Al Shifa.
"Ne i bëjmë thirrje Izraelit të sigurojë që nevojat dhe të drejtat e tyre të kujdesit shëndetësor të respektohen", tha kreu i OBSH.
Të paktën 45,514 palestinezë janë vrarë dhe 108,189 janë plagosur në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës.
Lini një Përgjigje