
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha këtë të mërkurë se komuniteti ndërkombëtar duhet të imponojë një zgjidhje për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Kjo pasi, sipas tij, palët ndërluftuese nuk do të jenë në gjendje të pajtohen asnjëherë.
“Unë besoj se ne kemi mësuar në këto 30 vjet se zgjidhja duhet të jetë e detyrueshme nga jashtë, sepse dy palët nuk do të jenë kurrë në gjendje të arrijnë marrëveshje”, tha Borrell në Lisbonë.
Ai paralajmëroi se nëse kjo tragjedi nuk merr fund së shpejti, e tërë Lindja e Mesme do të digjet. Lufta arriti deri në Liban të martën me vrasjen e zëvendësliderit të Hamasit, Saleh al-Arouri, në Bejrut nga një sulm me dron.
Izraeli nuk e ka konfirmuar, po as mohuar se e ka vrarë numrin dy të Hamasit – grupit radikal palestinez që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.
Vrasja e tij ishte shenjë se lufta tashmë tremujore mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës është duke u përhapur në tërë rajonin.
“Ajo që ndodhi dje me vdekjen e njërit prej liderëve të Hamasit është një faktor tjetër që mund ta nxisë përshkallëzimin e konfliktit”, theksoi Borrelli, duke shtuar se do ta vizitojë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin, për të gjetur mënyra për zgjidhjen e konfliktit.
Lini një Përgjigje