
Ronald “Bato” dela Rosa, senatori filipinas që ndodhet në qendër të një krize politike dhe sigurie në Filipine, konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të periudhës së ish-presidentit Rodrigo Duterte dhe simbol i fushatës së ashpër “lufta kundër drogës”.
I njohur me nofkën “Bato”, që në gjuhën filipinase do të thotë “shkëmb”, dela Rosa është ish-shef i Policisë Kombëtare Filipinase dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Dutertes gjatë mandatit presidencial të viteve 2016-2022.
Ai drejtoi policinë filipinase pikërisht në periudhën kur Duterte nisi operacionin kombëtar kundër drogës, një fushatë që u bë e njohur ndërkombëtarisht për brutalitetin dhe numrin e lartë të viktimave.
Sipas shifrave zyrtare të policisë filipinase, më shumë se 6 mijë persona të dyshuar si trafikantë ose përdorues droge u vranë gjatë operacioneve antidrogë.
Megjithatë, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe aktivistët pretendojnë se numri real i viktimave është shumë më i lartë dhe mund të arrijë në dhjetëra mijëra.
Shumë prej viktimave u vranë në lagje të varfra të Manilës dhe qyteteve të tjera, ndërsa familjarët dhe grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut akuzuan policinë dhe grupet vigilente për ekzekutime jashtëgjyqësore.
Autoritetet filipinase kanë mohuar vazhdimisht ekzistencën e një politike shtetërore për vrasje sistematike dhe kanë deklaruar se personat e vrarë kishin rezistuar ndaj arrestimit.
Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) hapi hetime mbi operacionet antidrogë të administratës Duterte, duke argumentuar se ekzistojnë dyshime për krime kundër njerëzimit.
Dela Rosa konsiderohet një figurë kyçe në këtë proces për shkak të rolit të tij si drejtues i policisë gjatë periudhës më të përgjakshme të operacioneve.
ICC publikoi së fundmi urdhrin e arrestit ndaj tij, dokument që sipas mediave filipinase ishte lëshuar që në muajin nëntor.
Ai akuzohet për përfshirje në krime kundër njerëzimit, të njëjtat akuza me të cilat përballet edhe Rodrigo Duterte, i cili ndodhet në Hagë në pritje të procesit gjyqësor pas arrestimit të tij vitin e kaluar.
Pas publikimit të urdhrit të arrestit, dela Rosa u strehua në ndërtesën e Senatit filipinas, duke kërkuar mbrojtje institucionale dhe duke apeluar në Gjykatën Supreme që të bllokojë zbatimin e vendimit të ICC-së.
Ai u bëri thirrje gjithashtu mbështetësve të tij që të mos lejonin “dërgimin e një tjetër filipinasi në Hagë”.
Situata u tensionua edhe më shumë pasi autoritetet e sigurisë dhe forcat e armatosura nisën të pozicionoheshin pranë Senatit.
Mbrëmjen e 13 majit, brenda ndërtesës së Senatit u dëgjuan të paktën 10 të shtëna me armë zjarri, ndërsa kati i dytë i godinës u izolua.
Sipas ministrit të Brendshëm Jonvic Remulla, të shtënat ndodhën gjatë një përplasjeje mes forcave të sigurisë së Senatit dhe personave të armatosur që tentuan të hynin në ndërtesë.
Askush nuk mbeti i plagosur, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime dhe kanë marrë në administrim pamjet e kamerave të sigurisë.
Presidenti Ferdinand Marcos Jr deklaroi se qeveria nuk kishte lidhje me incidentin, mes akuzave nga aleatët e Dutertes se në ndërtesë kishin hyrë pjesëtarë të ushtrisë ose agjentë shtetërorë.
Kriza ka thelluar përplasjen politike në Filipine mes mbështetësve të Dutertes dhe administratës aktuale, ndërsa çështja e “luftës kundër drogës” vazhdon të mbetet një nga temat më të debatueshme në vend.
Për shumë filipinas, dela Rosa mbetet figura që zbatonte pa kompromis urdhrat e Dutertes dhe garantonte kontrollin e operacioneve policore.
Për kritikët e tij dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ai konsiderohet një nga përgjegjësit kryesorë për një nga periudhat më të dhunshme në historinë moderne të Filipineve.
Lini një Përgjigje