TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Prill 2024, 10:53

Lufta në prag: Skenarët, si mund ta sulmojë Irani, dhe si mund të kundërpërgjigjet Izraeli

Shkruar nga Pamfleti

Lufta në prag: Skenarët, si mund ta sulmojë Irani, dhe si mund

Izraeli është gati për një përshkallëzim potencialisht të madh në konfliktin e tij me Iranin, teksa një raport i shërbimeve sekrete amerikane paralajmëroi se Teherani mund të urdhërojë një sulm ndaj objektivave ushtarake dhe qeveritare brenda vendit në ditët e ardhshme...

Ministrat izraelitë janë zotuar se nëse Teherani ndërmerr veprime të drejtpërdrejta ushtarake, atëherë ata do të kundërpërgjigjen me sulmet e tyre në territorin iranian, duke i hapur derën një lufte rajonale në shkallë të plotë në Lindjen e Mesme. Raporti amerikan thekson se Irani mund të kryejë sulme me saktësi të madhe duke përdorur raketa balistike ose drone mbi objektivat brenda Izraelit. Ka më pak siguri nëse Teherani do të ndërmarrë më pas veprime të drejtpërdrejta apo do të mbështetet tek milicitë e mbështetura prej tij në rajon.

Bloomberg pretendon se Irani po harton plane për sulme vetëm ndaj objekteve ushtarake dhe qeveritare në Izrael, nga të cilat më e dukshme do të ishte Kirya, selia qendrore e ushtrisë izraelite në Tel Aviv.

Objektiva të tjerë të mundshëm përfshijnë bazat ajrore, si ato në Palmachim në Izraelin Qendror ose Meron në veri, si dhe parlamentin Knesset dhe selinë e kryeministrit Netanyahu në Jeruzalem. Gjithsesi ky i fundit do të ishte një objektiv delikat, pjesërisht për shkak të popullsisë kryesisht palestineze në Jerusalemin Lindor dhe mbi të gjitha për rëndësinë e madhe fetare që ka qyteti.

Nëse Irani do të nisë sulme të drejtpërdrejta ndaj Izraelit - një lëvizje që do të ishte shumë jo-karakteristike për Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei, edhe për shkak të krizës në vazhdim - ai do të mbështetej tek raketat balistike dhe dronët.

Pjesa më e madhe e fuqisë raketore me rreze të gjatë veprimi bazohet tek modelet Fateh, Khaebar dhe Dezful, me një rreze veprimi prej 1000 kilometrash ose më shumë. Irani ka zbuluar së fundmi një model të ri droni me rreze të gjatë, Mohajer 10, për të cilin pretendon se është i aftë ta “kthejë Izraelin në epokën e gurit”.

Lëshimi i raketave apo dronëve nga territori iranian do të testonte kufijtë e rrezes së arsenalit të Iranit. Kjo sepse distanca nga Irani Jugperëndimor në Izrael është rreth 1700 kilometra. Izraeli është teorikisht brenda mundësive të fuqisë raketore iraniane, pasi Teherani pretendon se zotëron raketat Kheibar që mund të udhëtojnë deri në 2000 kilometra.

Ekspertët mbi regjimin iranian janë shumë mosbesues ndaj perspektivës së një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani, pasi kjo sipas tyre do të braktiste politikën e gjatë të nxitjes së konflikteve me Izraelin nga distanca, nëpërmjet palëve të treta apo sulmeve të fshehta.

Megjithatë ata vënë në dukje se udhëheqja e Iranit do të jetë nën presion për të treguar forcën e saj në kundërpërgjigje ndaj sulmit mbi konsullatën iraniane në Damask.

“Në përgjithësi regjimi iranian është treguar i kujdesshëm, duke e shmangur përballjen e  drejtpërdrejtë. Por këtë herë ata janë provokuar më shumë se zakonisht. Sulmi izraelit javën e kaluar në Damask, do të krijojë padyshim ndjenjën e nevojës për hakmarrje…”- thotë dr. Steven Wagner, lektor i lartë për sigurinë ndërkombëtare në Universitetin Brunel.

Por një sulm me raketa balistike ose dronë kundër objektivave izraelite do të ishte opsioni më i rrezikshëm në dispozicion të Teheranit mendon Jonathan Panikoff, drejtor në think-tankun “Atlantic Council”. “Ky është një hap i rrezikshëm duke pasur parasysh se Irani është përpjekur të shmangë një konflikt më të gjerë, dhe për të cilin ka të ngjarë të mos jetë i përgatitur si duhet”- thekson ai.

Skenari tjetër, që është më shumë në përputhje me sjelljen e mëhershme të Iranit, do të ishte urdhërimi i një milicie përfaqësues në Libanin Jugor ose Siri, si për shembull Hezbollahu, që të nisë sulme në shkallë të gjerë me raketa ose dronë mbi kufirin me Izraelin.

Hezbollahu ka një rezervë të madhe raketash të fuqishme që rrezikojnë ta mposhtin mbrojtjen ajrore të Izraelit, veçanërisht sistemet e tij “Iron Dome” dhe “David’s Sling”. Por edhe ky skenar bart shumë rreziqe pasi rrezikon të tërheqë në luftë Shtetet e Bashkuara në përleshje, diçka që Irani ka të ngjarë ta shmangë pasi kriza ekonomike e vazhdueshme, e nxitur nga sanksionet e forta ndërkombëtar e kanë lënë atë të papërgatitur për një luftë ballore me Amerikën.

Presidenti amerikan, Joe Biden e ka përsëritur angazhimin e tij “të hekurt” për të mbrojtur Izraelin në përgjigje të frikës mbi një sulm të Iranit. Gazeta “Times of Israel” raportoi të enjten se Amerika nuk e ka përjashtuar nisjen e një reagimi të përbashkët me Izraelin kundër Iranit, nëse në shënjestër vendoset territori izraelit.

Por ekziston edhe mundësia, që në kundërshtim me vlerësimin e inteligjencës amerikane dhe raportet e mediave, një sulm i tillë të mos jetë i afërt. Përkundrazi kërcënimi mund të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zhvilluar një luftë psikologjike kundër Izraelit, dhe ndoshta për të qëmtuar dobësitë në mbrojtjen e tij ajrore

Gjithsesi, si mund të reagojë Izraeli ndaj një sulmit të tillë? Benjamin Netanyahu, ka të ngjarë të kundërpërgjigjet në mënyrë të ngjashme. Në shënjestër do të vendoseshin objektiva të tilla si selia e Gardës Revolucionare (IRGC) në Teheran, por potencialisht edhe baza të tjera të IRGC-së si instalimet e saj të reja në provincat Sistan dhe Baluchistan.

Por duke u përballur me presionin e jashtëzakonshëm brenda Izraelit për t'u fokusuar tek çlirimi i pengjeve nga Gaza, kryeministri izraelit nuk ka gjasa të jetë i prirur ta vazhdojë luftën me Iranin nëse kjo nuk është absolutisht e nevojshme dhe nëse nuk ka një kërcënim të menjëhershëm ekzistencial.

Izraeli ka pasur për shumë vite ambicien për ta shkatërruar plotësisht programin bërthamor të Iranit, duke e bërë atë një objektiv tjetër madhor në një luftë të mundshme Iran-Izrael. Por udhëheqja e tij e konsideron ende si alternativë të mundshme diplomacinë, apo nëse është e nevojshme veprimet e fshehta ushtarake.

Nëse do të ndodhin veprime të drejtpërdrejta ushtarake nga Irani, përgatitjet për të kryer sulmin ka shumë të ngjarë të vërehen paraprakisht nga agjencitë e inteligjencës amerikane dhe izraelite, siç janë vendosjet në gatishmëri të trupave në shkallë të gjerë apo të raketave.

Në pamje të parë, një luftë në shkallë të plotë Iran-Izrael mund të duket se është në favor të Iranit për shkak të numrit shumë më të lartë të trupave, 1.2 milionë, por edhe mijëra sistemeve të artilerisë. Por kur flitet për tanke, Izraeli ka 3000, 2-fishin e rezervave të Teheranit.

Dhe në çdo rast, kjo luftë do të zhvillohet kryesisht në qiell dhe jo në tokë: të dy kombet janë të ndara fizikisht nga Siria, Iraku, Jordania dhe Arabia Saudite. Dy vendet e fundit nuk kanë asnjë interes të lejojnë që konflikti të depërtojë në territorin e tyre.

Irani mund të përpiqet të dërgojë trupat e tij për të pushtuar Izraelin nëpërmjet Irakut, vend në të cilin zotëron një ndikim të rëndësishëm politik, dhe Sirisë aleatit të tij kryesor. Por ato do të priten me një përgjigje të fortë nga ana e forcave amerikane të stacionuara në ato zona. Është e paqartë se sa mbështetëse mund të jenë shtetet fqinje arabe nëse Izraelit do t`i duhej të përdorte hapësirën e tyre ajrore për sulme në territorin iranian.

Marrëdhëniet midis shteteve të Gjirit dhe Izraelit janë ftohur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës së 7 tetorit për shkak të numrit jashtëzakonisht të lartë të viktimave civile në Gaza. Por para masakrës së Hamasit, sidomos Arabia Saudite po bëhej një partner më i ngushtë i Izraelit në fushën e sigurisë. Dhe në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan traktate historike të normalizimit të raporteve me Izraelin./Pamfleti

lufta në prag irani izraeli skenarët

Lini një Përgjigje