Sa mund të ndikojë përfshirja e mundshme e vendeve të tjera të Lindjes së Mesme në përballjen tashmë të hapur midis Izraelit dhe Iranit tek frika në lidhje me çmimet e energjisë?
Të hënën nisën në Uashington takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Ato u paraprinë gjatë fundjavës nga sulmi i Iranit ndaj Izraelit si hakmarrje për vrasjen në fillim të këtij muaji të gjeneralit Mohammad Reza Zahedi dhe disa zyrtarëve të ambasadës iraniane në Damask gjatë një sulmi ajror izraelit.
Situata mbetet e pasigurt dhe e tensionuar pavarësisht kërkesave për shtensionim të situatës që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara. Bursat u stabilizuan disi pas rënies së fortë të premten, por cili është rreziku në nivelin ekonomik? “Elementi kryesor që duhet mbajtur nën vëzhgim janë çmimet e lëndëve të para të energjisë”- thotë Mario Deaglio, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Universitetin e Torinos, Itali.
Shumë prodhues të rëndësishëm të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror (LNG) janë përqendruar në Lindjen e Mesme. Për momentin nuk ka shenja alarmante. Megjithatë eksperti thotë se duhet pasur kujdes.
A duhet të analizojmë çmimet e gazit dhe të naftës për efektet që mund të kenë tek inflacioni dhe rrjedhimisht edhe vendimet e bankave qendrore në lidhje me normat e interesit që vendosin?
Tani për tani me duket se çështja e uljes së normës bazë të interesit nuk diskutohet si për Rezervën Federale në SHBA, ashtu edhe për Bankën Qendrore Evropiane. Dhe kjo të paktën për 2-3 muajt e ardhshëm. Pas kësaj periudhe, siç e thotë edhe fjala e urtë 'kush jeton do të shohë'.
Unë besoj se është e nevojshme që të ndiqet me vëmendjen kursi i çmimeve të energjisë, pasi tashmë ai ka rënë nga nivelet më të larta të rreth dy viteve më parë. Ekonomia gjermane po has për momentin shumë vështirësi. Ndaj një rritje e çmimeve në këtë moment nuk do ta ndihmonte atë që të dilte nga recesioni ku gjendet prej disa kohësh, edhe pse i një forme të lehtë. Është e qartë se sa më shumë probleme të ketë ekonomia gjermane, aq më shumë do të vuajmë edhe ne këtu në Itali.
A mund ta zbusë disi këtë problem në Evropë marrëveshja dypalëshe e solidaritetit emergjent mbi furnizimet me gaz, e nënshkruar nga Italia dhe Gjermania muajin e kaluar?
Unë nuk jam i sigurt se deri në çfarë mase mund të ndodhë diçka e tillë. Në fakt marrëveshjet politike janë një gjë, ndërsa gjë tjetër është zbatimi i tyre në praktikë. Më lejoni ta shpjegoj më mirë këtë gjë: në rast se Gjermania do të ishte në vështirësi në furnizimin me gaz, sa dhe përmes cilave kanale mund ta furnizonte Italia në mungesë të një gazsjellësi të drejtpërdrejtë midis dy vendeve?
Sa mund të ndikojë përfshirja e mundshme e vendeve të tjera të Lindjes së Mesme në përballjen tashmë të hapur midis Izraelit dhe Iranit tek frika në lidhje me çmimet e energjisë?
Ndikon shumë, edhe pse nuk duhet harruar ndarja që ekziston në botën islame mes shiitëve dhe sunitëve. Në përgjithësi, Izraeli ka marrëdhënie jo shumë të tensionuara me këtë të fundit. Prandaj, është e vështirë të mendohet se Irani mund të gjejë shumë mbështetje në këtë zonë, ku tek e fundit perspektivat duken pak më të mira se një muaj më parë.
A mund të kenë ndikim aleancat që Irani ka jashtë botës arabe, pra ato me Rusinë dhe Kinën?
Besoj që jo. Moska dhe Pekini, nuk kanë marrë anë, madje as në çështjen e Gazës. Pekini është shumë i interesuar të shohë që kalimet tranzit të anijeve tregtare përmes Kanalit të Suezit të rikthehen në nivelet e fillimit të këtij viti. Ndërkohë Moska ka tashmë shumë gjëra të tjera për të menduar, duke përfshirë sfidat e mëdha në frontin e brendshëm. Ndër të tjera, Kina dhe SHBA, siç e shpjegova javën e kaluar, po vazhdojnë që të bisedojnë me njëra-tjetrën. Ndërkaq Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të kenë filluar që të dialogojnë në lidhje me Ukrainën.
Është e sigurt të thuhet se “Takimet e Pranverës” të FMN-së dhe Bankës Botërore nuk nisën mirë këtë herë. Sepse perspektivat dhe parashikimet u vunë menjëherë në pikëpyetje nga tensionet gjeopolitike...
Mjerisht, në të kaluarën ka pasur shumë gabime në vlerësim. Unë besoj se FMN-ja dhe Banka Botërore duke parë njëra-tjetrën në sy mund të bien dakord mbi një gjë: paaftësinë e tyre për të ndikuar tek ngjarjet në terren. Pavarësisht rezervave të mëdha që zotërojnë, ato nuk gëzojnë një autonomi të veçantë në përdorimin e tyre.
Mbi të gjitha, këto 2 institucione të rëndësishme ndërkombëtare nuk kanë asnjë instrument politik për të vendosur në mënyrë të pavarur objektiva specifikë. Në çdo rast nevojitet paraprakisht një marrëveshje midis vendeve kryesore anëtare. Prandaj, nuk besoj se nga aty mund të lindë ndonjë iniciativë për të zbutur pasiguritë dhe tensionet e mëdha në nivel global.
A nevojitet një nismë e re e vendeve të G7-ës?
Unë mendoj më shumë se çdo lloj zgjidhje efektive mund të vijë vetëm nga konfrontimi dhe dialogu midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Nga aq pak sa kuptojmë, muajt e fundit kemi kaluar nga pozicionet tërësisht të kundërta në një bashkëpunim minimal midis Uashingtonit dhe Pekinit. Besoj se ky afrim sado minimal ndikohet edhe nga situata aktuale ekonomike kineze, e cila nuk është aq rozë sa mund të duket nga ritmet e saj të rritjes por edhe nga lidershipi i saj i padiskutueshëm në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve të rralla. /Përshtati Pamfleti, marrë nga“Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje