
Sistemi zgjedhor proporcional i Gjermanisë, do të thotë se kërkohet bashkëpunim me partitë e tjera për të miratuar çdo lloj ligji. Të gjitha partitë tradicionale kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë kurrë në një koalicion me AfD-në. Ndërsa kjo e pengon AfD-në të sigurojë pushtetin kombëtar, nuk e pengon të ketë ndikim.
Si një vend sekret për të komplotuar mbi të ardhmen politike të Gjermanisë, Hotel Landhaus Adlon nuk ishte zgjedhja më diplomatike dhe as më i gjeturi. Me pamje nga liqeni Lehnitz në Potsdam, afër Berlinit, hoteli është vetëm 20 minuta me makinë nga vendi i Konferencës famëkeqe të Wannsee në vitin 1942, ku Reinhard Heydrich dhe zyrtarë të tjerë të lartë nazistë diskutuan mbi “çështjen hebraike” që në fund çoi tek Holokausti.
Pjesëmarrësit - anëtarët kryesorë të partisë së ekstremit të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) - nuk i kishin kuptuar paralelet rrëqethëse. Ai takim nëntorin e vitit të kaluar u organizua nga dy biznesmenë dhe në të morën pjesë Roland Hartwig, ndihmës i kreut të AfD-së, Ulrich Siegmund, një lider parlamentar rajonal, dy aktivistë neonazistë austriakë dhe madje dy anëtarë të Partisë Kristiandemokrate.
Ri-emigrimi i detyrueshëm ishte në krye të axhendës. Ata diskutuan mbi dëbimin jo vetëm të refugjatëve apo azilkërkuesve, por edhe të atyre që nuk konsiderohen “gjermanë të vërtetë etnikë”, përfshirë shtetasit gjermanë të gjeneratës së dytë ose të tretë të mirë-integruar.
Zbulimi i detajeve të atij takimi e tronditi politikën gjermane dhe qindra mijëra njerëz protestuan në të gjithë vendin. Edhe Kisha Katolike deklaroi se të krishterët nuk duhet të votojnë për AfD-në, për shkak të pikëpamjeve të tyre ekstreme nacionaliste, të cilat janë shumë pranë skemave famëkeqe të spastrimit etnik.
Zakonisht, partitë e ekstremit të djathtë nuk kanë një mbështetje të konsiderueshme në Gjermani. Aq e madhe është ndjeshmëria ndaj çdo lidhjeje me fraksionet e ekstremit të djathtë, saqë dy javë më parë Adidas veproi me shpejtësi për të bllokuar fanellat e futbollit të Gjermanisë, të cilat shfaqin numrin 44 në Kampionatin Evropianin të këtij viti që mbahet në këtë vend, për shkak të shqetësimeve se i ngjan simbolit nazist “SS”. Stili i numrit “4”, kur figurat janë krah për krah, i ngjan simbolit të projektuar nga SS në vitet 1930.
E megjithatë në muajt e fundit, sondazhet kanë treguar një mbështetje në rritje për AfD-në, e cila mund të ndikojë në drejtimin politik të Gjermanisë, dhe kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për BE-në por edhe luftën në Ukrainë. AfD nuk është më një grupim opozitar radikal por periferik.
E themeluar si një parti konservatore anti-BE, AfD është zhvendosur në të djathtën ekstreme dhe tani klasifikohet si një “rrezik i dyshuar” për Kushtetutën gjermane. Partia drejtohet nga ish-biznesmenia Alice Weidel dhe ish-piktori Tino Chrupalla. Por e pushtetit të saj është në rajonin e Turingisë, ku udhëheqësi i AfD është Björn Höcke, një ish-mësues historie 52-vjeçar.
Një populist i ashpër dhe karizmatik, Höcke do të jetë këtë vjeshtë guvernatori i ardhshëm i Turingisë. Ai është cilësuar zyrtarisht si ekstremist dhe fashist nga një gjykatë lokale dhe është vënë nën mbikëqyrje kushtetuese. Por, ndërsa Höcke duket si një rast i jashtë-zakonshëm, takimi në Potsdam sugjeron se ai nuk është i vetëm.
Sepse aktualisht drejton një fraksion të fuqishëm brenda AfD-së, dhe politikat e ekstremit të djathtë diktojnë tani partinë. Ndërsa AfD ka një mbështetje në rritje, a mund të ndodhë e paimagjinueshmja? A mund të ngjitet kjo parti në pushtet? AfD merr aktualisht 18 për qind të pëlqimeve në sondazhet kombëtare, e dyta vetëm pas Unionit Kristian Demokrat (CDU) konservator.
Në zgjedhjet e Parlamentit Evropian që mbahen në qershor, AfD pritet të dyfishojë numrin e saj të votave. Në Gjermaninë Lindore, ku këtë vjeshtë mbahen 3 zgjedhje lokale, kjo parti pritet të fitojë për herë të parë, shumicën e votave, duke formuar me gjasë qeverinë e saj të parë rajonale nëse gjen një parti tjetër me të cilën të hyjnë në koalicion.
Kjo mund të ndodhë në një aleancë jo të shenjtë me partinë BSW, të themeluar nga Sahra Wagenknecht, pro Putinit, e krahut të majtë, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore, por që bie dakord me të djathtën ekstreme për të luftuar kundër NATO-s. Megjithatë, edhe një AfD e fortë nuk ka gjasa të formojë një qeveri kombëtare.
Sistemi zgjedhor proporcional i Gjermanisë, do të thotë se kërkohet bashkëpunim me partitë e tjera për të miratuar çdo lloj ligji. Të gjitha partitë tradicionale kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë kurrë në një koalicion me AfD-në. Ndërsa kjo e pengon AfD-në të sigurojë pushtetin kombëtar, nuk e pengon të ketë ndikim.
Në fakt, popullariteti në rritje mund të shkaktojë kaos politik. Rritja e mbështetjes për AfD-në ia bën më të vështirë partive të tjera formimin e koalicioneve të qëndrueshme dhe të qeverisë kohezive që kërkojnë arritjen e pragut 50+1 për qind.
Administrata aktuale është një rast i tillë. Për herë të parë në historinë e Gjermanisë, në pushtet janë 3 parti, duke shkaktuar ndarje të paprecedentë të qeverisë. Nëse forcohet AfD, atëherë qeveritë e koalicionit që përfshijnë parti të shumta nga fraksione të ndryshme politike do të bëhen edhe më të mundshme, duke e zbehur besnikërinë e tyre ideologjike dhe dallimet politike.
Dhe kjo mund të kthehet në një rreth vicioz, ku partitë tradicionale të detyrohen të punojnë së bashku pa shumë dëshirë, dhe kjo mund të çojë në më pak stabilitet, duke e bërë AfD-në të vetmen alternativë të mundshme. Po pse AfD ka kaq shumë mbështetje në Gjermani? Shumica e arsyeve janë të parashikueshme: shtimi i emigrimit, pasiguria ekonomike dhe kërcënimet kulturore të perceptuara ndaj mënyrës tradicionale të jetesës. Por një faktor është më unik për Gjermaninë: zhgënjimi me politikën e partive të mëdha tradicionale.
Koalicioni i qendrës së majtë të Olaf Scholz-it është tejet jopopullor dhe AfD po e shfrytëzon me mjeshtëri këtë pakënaqësi për ta paraqitur veten si një alternativë ndaj ortodoksisë së “të gjelbërve” dhe të majtëve të lëvizjes “Woke”. E djathta ekstreme e portretizon veten si një kampion i “njerëzve të zakonshëm” kundër elitave.
Populistët si Höcke, me retorikën e tij nacionaliste dhe nxitëse, pëlqehen nga segmente të popullsisë që ndihen të lëna pas dore dhe që janë të zhgënjyer me status quo-në. Dhe një ekonomi me një ecuri të dobët, dhe veçanërisht çmimet e larta të energjisë për shkak të mungesës së gazit rus dhe braktisjes së energjisë bërthamore, vetëm sa i përforcon prirjen kundër partive tradicionale të qendrës.
Në rast se AfD do të arrijë të sigurojë një ndikim të madh në nivel kombëtar, ajo premton që ta tërheqë vendin nga BE, të braktisë Ukrainën, të heqë sanksionet kundër Rusisë, të mbështesë negociatat me Putinin dhe të mirëpresë një mandat të dytë për Trump. Nuk është për t’u habitur pse kjo parti është shumë armiqësore ndaj BE-së dhe preferon diktatorë si Putin. Por qëndrimi pro-rus i AfD- së do të testohet shumë shpejt, pasi zëdhënësi i politikës së jashtme të saj, Petr Bystron, u zbulua se ka pranuar një pagesë prej 25.000 eurosh nga rrjeti mediatik pro-rus, Zëri i Evropës, për të promovuar linjën e Kremlinit për luftën në Ukrainë.
Bystron, një nga kandidatët kryesorë të AfD-së në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, reagoi duke thënë se “nuk ka pranuar asnjë shumë parash për të mbrojtur qasjet pro-ruse”. Skenari i frikshëm është se nëse gjermanët do të votonin sot, koalicioni qeverisës do të merrte vetëm 35 për qind të votave, shumë larg shumicës së kërkuar.
A mund të jetë AfD partia më e madhe në çdo palë zgjedhje kombëtare? Ka shumë pak gjasa të ndodhë. Shumica e gjermanëve nuk e mbështesin të djathtën ekstreme dhe mbeten të kënaqur me konsensusin e partive politike të qendrës së pasluftës, i cili i ka sjellë zhvillim dhe siguri. Por status quo-ja është e kërcënuar dhe ndërsa AfD mund të mos udhëheqë qeverinë qëndrore, e sigurt është se së shpejti mund të kenë një ndikim të vërtetë. /Përshtati Pamfleti, marrë nga “The Independent”
Lini një Përgjigje