TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Prill 2024, 10:00

Zoti apo Djalli i pëshpërit në vesh Ajatollahut të Iranit?

Shkruar nga Sherelle Jacobs

Zoti apo Djalli i pëshpërit në vesh Ajatollahut të Iranit?

Duke e sulmuar drejtpërdrejt Izraelin nga territori i tij, Irani ka nisur një betejë që nuk mund ta fitojë.

Stalini i Iranit? Disa e shohin Ajatollah Khamenei si mishërimin e plotë të brutalitetit të regjimit të mbjellë nga “Lenini” i Republikës Islamike, themeluesi i saj Ajatollah Khomenei.

Regjimi iranian ka zgjedhur vetëvrasjen. Është e vërtetë, do të duhet pak kohë që të shfaqet fundi logjik i rrugës fatale dhe ndoshta të pakthyeshme të Udhëheqësit Suprem.

Por një gjë duket e qartë: teokracia iraniane tani ka hyrë në një cikël vdekjeprurës. Nëse Izraeli nuk i hedh një “kamerdare” shpëtimi, ka gjithnjë e më shumë gjasa që Teherani të përballet ose me një kolaps të stilit sovjetik në mesin e një lufte rajonale që nuk mund ta përballojë dot, ose do të shohim një ndryshim të përgjakshëm të regjimit, teksa revolucioni do të hahet nga fëmijët e tij.

Duke e sulmuar drejtpërdrejt Izraelin nga territori i tij, Irani ka nisur një betejë që nuk mund ta fitojë. Disa mund të argumentojnë se ishte Izraeli ai që e nisi këtë, kur një gjeneral iranian u vra në Siri në një sulm ajror që goditi pjesë të “konsullatës” së Teheranit. Por “linjat e kuqe” të reja të Jeruzalemit janë tashmë krejtësisht të dukshme për cilindo që është i arsyeshëm.

Izraeli e di se nuk mund të lejojë që sulmi iranian të kalojë pa një kundërpërgjigje. Ashtu siç e di se Teherani - ndoshta së shpejti me armë bërthamore - ka të ngjarë të përshkallëzojë shfaqjet e koordinuara të agresionit nga Siria në lindje dhe nga Hezbollahu në Liban në veri. Dhe teksa Perëndimin po vazhdon të fokusohet gjithnjë e më shumë drejt Azisë, Izraeli mund të ketë vendosur se koha është tani ose kurrë. Sot, ai mund të llogarisë mbështetjen e Amerikës në rastin e një lufte të plotë rajonale. Por mund të mos jetë kështu pas disa vitesh.

Pra Jeruzalemi nuk ka gjasa të tërhiqet. Por ndërsa një luftë rajonale do të testonte fort Izraelin, ajo do të shkatërronte Iranin. Kjo sepse Teherani nuk ka luksin të përballet me të. Për të mbledhur miliardat e nevojshme për financimin e programit të saj bërthamor dhe për të mbështetur regjimin e Bashar al-Assad në Siri, Irani ka rritur ndjeshëm taksat dhe e ka zhvlerësuar monedhën e tij në nivele të rrezikshme.

Situata mund të ketë arritur në një pikë kthese, dhe Irani nuk mund të rrisë dot më shpenzimet për të përmbushur kërkesat e përshkallëzimit ushtarak pa shkaktuar falimentimin e tij apo pa përjetuar një kolaps ekonomik të plotë, që mund të shkaktojë një revoltë të madhe popullore.

Megjithatë, duket po aq e pamundur që Teherani të tërhiqet pa provuar shanset e tij në këtë luftë. Në të kundërt, do të rrënohej me siguri besueshmëria e tij mes gjeneratës së re të islamikëve që e mbështesin regjimin. Khamenei do të përpiqej t'i rikthehej strategjisë së tij të mëparshme për të kanalizuar energjitë e tyre luftarake në një luftë të brendshme kundër rebelëve që refuzojnë vellon tek gratë.

Teksa teokracia ka qenë kohët e fundit e zënë me përplasjet e brendshme, ngjan e pamundur që kritikët e saj të mos e kenë kuptuar dobësinë e përkohshme të regjimit për të tentuar një kryengritje. Pavarësisht se kush dominoi në luftën për pushtet, pleqtë e revolucionit të 1979-ës mund të përbuzeshin nga njëra anë si të paaftë dhe nga ana tjetër si të çmendur.

Atëherë pse rrethi i brendshëm i Khameneit është i përkushtuar ndaj përplasjes ballore me Izraelin? A mos është çmendur vallë regjimi? Vetë Khamenei, udhëheqësi i dytë më jetëgjatë i Lindjes së Mesme, mund të mos veprojë më në mënyrë racionale.

Mbrojtësit e marrëveshjes bërthamore iraniane në Perëndim, i kanë cilësuar me naivitet qëndrimet e Udhëheqësit Suprem si “taktike” dhe “pragmatiste”. Por shumë prova tregojnë të kundërtën. Ashtu si me Putinin, analistët perëndimorë e kanë të vështirë të vlerësuar ndjenjën gjithëpërfshirëse të fatit të Khameneit, duke qëndruar pezull në vijën e hollë midis mashtrimit dhe apokaliptizmit.

Në dallim nga paraardhësi i tij Ajatollah Khomenei, që kishte frikë se do të korruptohej nga dekadenca franceze në kohë kur jetonte në mërgim, Khamenei thuhet se ishte i fiksuar pas shthurjeve që ai perceptonte tek qytetërimit perëndimor. Ai përpinte romanet që nxjerrin në pah dobësitë e Perëndimi (romani “Të Mjerët”, ndër të preferuarit e tij) dhe raportohet se ka përkthyer personalisht në persisht traktet e “Përplasjes së Qytetërimeve” të studiuesit islamik Sayyid Kutb, të cituara si një frymëzim për Osama bin Laden.

Po mund të jetë nënvlerësuar edhe Mesianizmi i rrezikshëm i Khameneit. Ai është në raport me paraardhësin e tij Khomenei ashtu siç ishte Stalini për Leninin. Tepër ambicioz, por shumë i pasigurt, dhe teksa është përpjekur të krijojë një kult personaliteti rreth vetes.

Që nga epërsia jetëshkurtër e klerikut rival reformist Mohammed Khatami, të moderuarit janë spastruar, ndërsa është krijuar një fraksion besnik i linjës së ashpër. A janë shndërruar në një kaos të plotë iluzionet e madhështisë së Khameneit?

Vreri i ri shpërndarë përmes fjalimeve televizive kundër “regjimit të lig sionist” apo “arrogancës” amerikane janë kaq shabllon - njësoj si fjalimet e aparatçinjëve sovjetikë dikur - sa mund të lexohen nga lart poshtë ose nga poshtë lart (duke krijuar ndoshta iluzionin e stabilitetit dhe të vërtetës së pandryshueshme në një shoqëri të karakterizuar nga kaosi). Ndërsa njerëzit e tij hanë nga kazanët, dhe pavarësisht pretendimeve zyrtare se ai bën një jetë shumë modeste, besohet se e kalon kohën në pallatet e restauruara të Shahut. Kohët e fundit habiti të madh e të vogël kur deklaroi se Zoti flet nëpërmjet tij.

Në një vend ku 60 për qind e njerëzve jetojnë në varfëri, dhe ku refuzimi për të mbajtur një shami në kokë nga gratë është bërë një simbol i fuqishëm i rezistencës, strategjia e tij duket se ka kaluar nga populizmi fetar tek mbijetesa.

Synimi nuk duket të jetë më bindja e iranianëve që të ruajnë besimin e tyre në kauzën revolucionare, por të ruhet mbështetja e një baze të ngushtë besnikësh që mund ta mbrojnë atë nga rrëzimi. Sigurisht, ka gjasa që ky fraksion të jetë i prirur për luftë, pasi është radikalizuar deri në atë pikë sa që është i paaftë për të nuhatur zhvillimet gjeopolitike apo të bëjë llogaritjet e duhura kosto-përfitim.

Sëmundja e regjimit teokratik i ka të shtrira metastazat e saj në mbarë vendin. Vetëmashtrimi patologjik ka arritur të vajosë makinerinë teokratike sa ari i zi, nafta. Klerikët u lejojnë burrave martesa për 1orë me prostitutat, ndërsa gratë e reja i nënshtrohen vazhdimisht himenoplastikës (qepjes) përpara martesës.

Këto mund të duken si detaje të parëndësishme, por duke krijuar një realitet virtual në të cilin e zeza është e bardhë, ku perversiteti është modesti, dhe ku Irani mund të fitojë kundër Satanit të Vogël (Izreaelit), atëherë regjimi mund të jetë i paaftë që t’i shpëtojë fundit vetë-vrasës të radikalizmit të tij edhe nëse do të donte.

Të tregosh moderim në këtë moment vendimtar, do të rrezikonte zbërthimin e universit të ndërlikuar të gënjeshtrave që e mban sistemin të bashkuar. Dhje kjo krijon një situatë gjeopolitike vdekjeprurëse. Fuqitë botërore mund të bëjnë thirrje për qetësi, sikur kjo të ishte thjesht një lojë. Por realiteti i tmerrshëm është se Irani thjesht mund të jetë çmendur./Përshtati Pamfleti, marrë nga “Daily Telegraph”

zot djall ajatollahu iran

Lini një Përgjigje