TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Nëntor 2023, 07:46

Lufta Izrael- Hamas/ Shkon mbi 10 mijë numri i të vdekurve palestinezë, Gaza 'Plan Marshall' për t'u bërë sërish e banueshme

Shkruar nga Pamfleti

Lufta Izrael- Hamas/ Shkon mbi 10 mijë numri i të vdekurve

Të paktën 10,569 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë me qendër në Gaza.

Numri i të vdekurve përfshinte 4,324 fëmijë, tha Ashraf al-Qedra, zëdhënës i ministrisë së drejtuar nga Hamas, duke shtuar se konflikti i vazhdueshëm Izrael-Hamas ka çuar në plagosjen e më shumë se 26,000 njerëzve.

Ai tha se gjatë ditës së kaluar, 241 njerëz në Gaza u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në sulmet izraelite.

Zëdhënësi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojë popullin palestinez nga sulmet izraelite, pasi shumica e viktimave ishin fëmijë dhe gra.

Ndërkohë do të duhen muaj dhe diçka që i ngjan një "Plani Marshall" që Gaza të rimëkëmbet pas luftës izraelite, thotë Nour Odeh, një komentator politik palestinez me qendër në Ramallah.

Plani Marshall ishte një paketë e madhe ndihme që Shtetet e Bashkuara dërguan në Evropën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan BBC.

Rripi i Gazës, për të cilin Odeh thotë se po "shkatërrohet", do të kërkojë muaj të tërë rindërtimi për t'u bërë sërish i banueshëm.

Kryeministri izraelit Netanyahu tha se vendi i tij do të kishte "përgjegjësi të përgjithshme për sigurinë" për Rripin e Gazës për "një periudhë të pacaktuar" pasi të përfundonin luftimet, në një intervistë për kanalin amerikan ABC News.

"Ajo që Netanyahu po bën tani është të fitojë kohë për veten e tij, sepse ai përballet me hetime dhe llogaridhënie - edhe aleatët e tij më të afërt në mediat izraelite po i kërkojnë atij të japë dorëheqjen sepse ai refuzon të marrë përgjegjësinë," i tha Odeh programit të BBC-së Ëorld at One.

Pa një kornizë politike "nga bota", Odeh tha se kontrolli izraelit i Gazës thjesht do të çonte në më shumë tensione dhe se nuk ishte një vizion apo plan "për përparim në të ardhmen".

gaza iszrael

Lini një Përgjigje