Sulme dhe tensione në disa vende të rajonit; Azerbajxhani raporton goditje, ndërsa NATO dhe vendet evropiane rrisin gatishmërinë...
Konflikti në Lindjen e Mesme po zgjerohet me shpejtësi, ndërsa përplasjet mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara po përfshijnë gjithnjë e më shumë vende të rajonit.
Gjatë ditës së sotme janë raportuar sulme dhe tensione në disa zona, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se Azerbajxhani është përfshirë gjithashtu në zhvillimet e fundit, pas goditjeve me dronë.t.
Sipas Ministrisë së Jashtme të vendit, një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit që ndodhet në Republikën Autonome të Nakhichevanit, duke rezultuar në plagosjen e dy personave, dhe një tjetër ra mbi një ndërtesë shkolle në fshatin Shakarabad.
Në të njëjtën kohë, Libani, Katari dhe Iraku vazhdojnë të përjetojnë sulme dhe incidente të armatosura që lidhen me përplasjet rajonale. Sulme me dronë dhe raketa janë raportuar pranë bazave ushtarake dhe zonave strategjike, duke rritur shqetësimin për një përhapje më të gjerë të konfliktit.
Edhe Qipro është vendosur në gjendje alarmi, ndërsa vendet evropiane po rrisin praninë ushtarake në Mesdheun Lindor për shkak të situatës së paqëndrueshme të sigurisë.
Ndërkohë, zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar drejtpërdrejt vendet evropiane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Ismail Baghaei, deklaroi për televizionin spanjoll TVE se vendet e Bashkimit Evropian do të “paguajnë çmimin, herët a vonë”, nëse nuk dënojnë sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.
Deklaratat e Teheranit kanë rritur shqetësimin në Evropë për pasojat e konfliktit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Irani ishte “afër” të shndërrohej në një kërcënim për Evropën dhe theksoi rëndësinë e neutralizimit të kapaciteteve bërthamore dhe raketore të Teheranit.
Rutte shtoi se aktualisht nuk ka nevojë për aktivizimin e nenit 5 të NATO-s, që parashikon mbrojtje kolektive të aleancës, por theksoi se situata po monitorohet vazhdimisht.
Në këtë kontekst, disa vende evropiane kanë nisur të rrisin praninë ushtarake në rajon. Spanja ka njoftuar se do të dërgojë fregatën “Cristóbal Colón” në Mesdheun Lindor, ku do të bashkohet me aeroplanmbajtësen franceze “Charles de Gaulle” dhe anije të marinës greke për të forcuar sigurinë në zonën e Qipros.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Spanjës, dislokimi i kësaj fregate, një nga më modernet e flotës spanjolle, synon të tregojë angazhimin e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e kufijve lindorë dhe stabilitetin në rajon.
Zhvillimet e fundit tregojnë se përplasjet mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij po marrin një dimension gjithnjë e më të gjerë rajonal, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po paralajmëron për rrezikun e një konflikti më të madh në Lindjen e Mesme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje