Në sheshet e kryeqytetit malazez u zhvilluan festime të shfrenuara çetnike me këngë nacionaliste, edhe kundër Kosovës, ku mbizotëroi flamuri i Serbisë…
Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi kanë sjellë një tronditje të madhe tektonike në politikën e shtetit të vogël fqinj.
Numrat e pakët të banorëve, respektikisht të votuesve ka sjellë që ndryshimi i thellë të ketë një peshë më të madhe specifike.
Megjithatë, përveç lindjes së yllit të ri të politikës malazeze Jakov Milatoviç, fakt është se ka nisur shqetësimi se po klonohet një Aleksandër Vuçiç në një Mal të Zi, i cili po serbizohet gjithnjë e më shumë.
E kjo ndodh në situatën më të favorshme për Beogradin, që tani është kthyer në ‘hirushen’ e Perëendimit, veçanërisht të SHBA-së. E cila po tenton të shkëpusë lidhjet e Serbisë me Vladimir Putinin.
Presidenti i ri që u zgjodh të dielën, ka arritur të marrë numrin më të madh të votave që një kandidat ka pasur në 30 vjet pluralizëm në në Republikën e vogël të Malit të Zi.
Milatoviç ka marrë 221,592, përkatësisht 67 mijë vota më shumë se Milo Gjukanoviç, që në gjuhën e zgjedhjeve parlamentare përkthehen në 2/3 e votave. E nëse ndodh kjo, nuk është aspak çudi se në të ardhmen mund të ndryshohet edhe Kushtetuta e Malit të Zi, si për ta afruar me Serbinë, ashtu edhe për të hequr aspektin qytetar e jo etnik të shtetit.
Festa e zhvilluar në Podgoricë, por edhe njerëzit që e uruan presidentin e ri, kanë rritur shqetësimet se frika për një breshër pas shiut të jetë reale…
Në sheshet e Podgoricës u zhvilluan festime të shfrenuara çetnike me këngë nacionaliste, edhe kundër Kosovës, ku mbizotëroi flamuri i Serbisë. Sa për të ‘larë gojën’ shikoje aty -këtu edhe ndonjë flamur zyrtar të Malit të Zi.
Ndërkaq, të parët që e telefonuan Milatoviçin ishin përkatësisht: Milorad Dodik, ‘bulldogu i frikshëm’ i Republika Srbska, Aleksandër Vuçiç, presidenti i supërpushtetshëm i Serbisë dhe Aleksandër Rankoviç, ideologu i botës serbe, i cili kërkon që të bashkohet sërish Mali i Zi me Serbinë.
Ndërkaq, Kisha Ortodokse Serbe ishte gjatë gjithë kohës fuqia që e mbështeti, financoi dhe fryu yllin e ri të politikës së Malit të Zi.
Gjithsesi, duhet thënë se zgjdhjet presidenciale nuk ishin gjë tjetër veçse një referendum politik kundër Milo Gjukanoviçit. Njerëzit kanë dalë masivisht për ta larguar, e kjo tregon një numër të madh votuesish të rinj që kërkonin me ngulm ndryshimin.
Gjithsesi, duhet thënë se 25 mijë votues, Milatoviç i ka marrë nga personat me dy shtetësi që jetojnë në Republika Srbska e në Serbi. Madje mediat malazeze, akuzojnë qeverinë e Dritan Abazoviçit, se ka fikur kamerat në pikat kufitare me Serbinë e Bosnjën, për të mos dokumentuar ardhjen masive të votuesve.
Gjithsesi, edhe sikur të mos kishin marrë pjesë votuesit e jashtëm, Gjukanoviç do të largohej ngaqë ishte vullnet popullor, por edhe ndërkombëtar tashmë.
Miloja, shkeli fjalën e dhënë ndaj amerikanëve se nuk do të kandidonte dhe do largohej nga politika. Ndërkaq, duket se akti që prishi përfundimisht punët e Gjukanoviçit me Perëndimit, ishte rrëzimi në Parlament i qeverisë së Dritan Abazoviçit, të cilin e krijoi ai vetë duke e mbështetur së jashtmi.
Shumica parlamentare e partive proserbe, në mocionin e votimit në Parlament, nuk mori pjesë, duke mos u bërë kështu bashkëfajtore me Gjukanoviçin.
Po çdo të ndodhë në të ardhmen?
Të gjithë i friksohen një operacioni nga Beogradi, për të forcuar gjithnjë e më shumë elementin serb në Mal të Zi, e për të betonuar marrëdhëniet, si në kohën e Jugosllavisë.
Me këto shifra që Milatoviç mori në raundin e dytë, situata është shumë shqetësuese. Siç bën të ditur ‘Pobjeda’, Milatoviç ka fituar në 17 komuna, ndërsa Gjukanoviç në tetë. Milatoviç fitoi më shumë vota në Podgoricë, Nikshiç, Andrijevica, Berane, Bijelo Polje, Budva, Danilovgrad, Herceg Novi, Kolashin, Kotorr, Mojkovac, Pljevlja, Pluzhine, Shavnik, Tivat, Zhabljak dhe Zeta.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Gjukanoviç ka fituar në Tivar dhe Cetinje, si dhe komunat me shumicë boshnjake apo shqiptare: Guci, Petnjica, Plavë, Rozhajë, Tuz dhe Ulqin.
Vetëm në Podgoricë ai mori 70,438, që është më shumë se dy të tretat e mbështetjes (68.1 për qind).
Analistët malazez kanë bërë të ditur se kjo rritje e fortë e këtij poli pushteti mund të zhbëjë Urën e Dritan Abazoviçit, i cili nuk është më qendra e gravitetit të politikës në vend.

Abazoviç duket e ka kapur sinjalin, dhe ka lidhur një koalicion zgjedhor me Aleksa Beçiçin, njeriun që e rrëzoi nga posti i kryeministrit.
Parashikimet i japin një 10% në zgjedhjet parlamentare, që është një shifër e mirë në kushtet aktuale të konfigurimit të Parlamentit. Por me shpërbërjen e mëtejshme të DPS-së së Gjukanoviçit, gjilpëra e peshores mund të lëvizë nga Milatoviçi, i cili ka në dorë Presidentin dhe bashkinë e Podgoricës. Dy qendrat më të rëndësishme të pushtetit, që po lëvizin shumë fort balancën në Mal të Zi. / Pamfleti
Lini një Përgjigje