Pak ditë më parë doli në dritë se Partia Liberale kishte marrë si këshilltar kreun e fushatës së PD, Chris LaCivita, i cili duket se nuk ka pasur dot asnjë ndikim...
Kryeministri Australian Anthony Albanese siguroi fitoren për një mandat të dytë në zgjedhjet parlamentare të vendit që u mbajtën këtë të shtunë, sipas asaj që treguan projeksionet finale.
Rezultatet tregojnë se Partia Laburiste e Albanese ka përfituar nga lëkundja e ditëve të fundit tek votuesit në mbarë vendin duke triumfuar mbi rivalët e Partisë Liberal Nacionale të udhëhequr nga Peter Dutton.
Kostot e larta të jetesës, përkeqësimi i sistemit shëndetësor, rritja e kostove të strehimit dhe presidenca e paparashikueshme e presidentit Amerikan Donald Trump ishin ndër çështjet kryesore që shqetësuan popullin Australian përgjatë fushatës zgjedhore.
Duhet theksuar se pak ditë më parë doli në dritë se Partia Liberale kishte marrë si këshilltar kreun e fushatës së PD, Chris LaCivita, i cili duket se nuk ka pasur dot asnjë ndikim.
Partia Laburiste deri më tani ka fituar 89 vende: trembëdhjetë më shumë se 76 vendet e nevojshme për të pasur shumicën në dhomën e ulët. Opozita ka 36 mandate. Tetëmbëdhjetë milionë australianë u thirrën të votonin për të rinovuar të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve (150 vende) dhe një pjesë të madhe të Senatit (40 vende nga 76).
Pasi mbeti prapa për një kohë të gjatë në sondazhe, Partia Laburiste është rikthyer në stilin "kanadez" në javët e fundit: vetë zëdhënësi i Partisë Liberale pranoi se fushata zgjedhore e qendrës së djathtë ishte ndikuar negativisht nga "faktori Trump": "Ishte shkatërruese në Kanada për Konservatorët... Mendoj se ishte një faktor edhe këtu", deklaroi ai për transmetuesin ABC disa orë para votimit. Më shumë sesa tarifat (vetëm 5% e tregtisë australiane shkon në Shtetet e Bashkuara), ajo që i shqetëson qytetarët australianë është klima e pasigurisë dhe vënia në pikëpyetje e aleancave të Shtëpisë së Bardhë. Australia është një aleat historik i SHBA-së dhe është pjesë e Aukus-it, paktit të sigurisë trepalësh me Uashingtonin dhe Londrën, ashtu edhe e Quad-it, formatit diplomatik katërpalësh me Japoninë dhe Indinë për të përmbajtur ekspansionizmin kinez në Indo-Paqësor.
Albanese, 62 vjeç, u bë kryeministër në maj 2022, pas gati një dekade sundimi liberal. Me këtë fitore, ai është kryeministri i parë që fiton dy mandate radhazi që nga viti 2004. Mandati i tij do të zgjasë tre vjet. “Sot populli australian votoi për vlerat australiane”, tha ai në fjalimin e tij të fitores, “për drejtësi, aspiratë dhe mundësi për të gjithë . Për të pasur forcën për të treguar guxim në vështirësi dhe mirësi ndaj atyre që janë në nevojë. Në këtë kohë pasigurie globale, australianët kanë zgjedhur optimizmin dhe vendosmërinë. Tani, me besim të ndërsjellë, le të kthehemi në punë për të ndërtuar të ardhmen e Australisë”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje