
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila drejtoi Gjermaninë për 16 vjet ka reaguar lidhur me situatën aktuale gjeopolitike dhe luftën në Lindjen e Mesme.
Merkel tha se mbështet Izraelin, ndërsa theksoi të drejtën e shtetit për vetëmbrojtje përballë kërcënimeve ekzistenciale nga Hamasi dhe Irani.
“Nëse disave u lejohet të deklarojnë se duan të eliminojnë shtetin e Izraelit, shteti i Izraelit duhet të jetë në gjendje të mbrohet kundër kësaj”, tha ajo për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung.
Merkel tha gjithashtu se veprimet e Izraelit ngrenë pyetje për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare.
“Nëse ekzistenca e një vendi vihet në dyshim nga Hamasi ose Irani, kjo nuk është aq e lehtë për t’u përgjigjur në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, u shpreh Merkel, duke reflektuar mbi kompleksitetin ligjor dhe moral të situatës.
Ish-kancelarja tha gjithashtu se nuk ndjen keqardhje që nuk merr më pjesë në samitet e krerëve të shteteve dhe qeverive.
“Mund ta imagjinoj përafërsisht se si shkon, por nuk ka asnjë melankoli. Nëse do të më kishin larguar nga posti pas një mandati të vetëm, atëherë do të më vinte keq që nuk e kisha përjetuar mjaftueshëm. Por 16 vjet si kancelare është një kohë tepër e gjatë”, tha Merkel.
Ajo komentoi edhe pjesëmarrjen e Kancelarit aktual Friedrich Merz në samitin e G7 në Kanada, duke e cilësuar si një ngjarje të veçantë për të.
“Sot, thjesht mendoj se është një përvojë e re për të”, shtoi Merkel.
Lini një Përgjigje