TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shtator 2025, 18:33

Kim Jong Un nis udhëtimin drejt Pekinit me tren të blinduar!

Shkruar nga Pamfleti

Kim Jong Un nis udhëtimin drejt Pekinit me tren të blinduar!

Mediat ndërkombëtare raportojnë se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka lënë Phenianin për në Kinë, ku pritet të marrë pjesë në paradën ushtarake të Pekinit të njohur si “Dita e Fitores”.

Parada zhvillohet të mërkurën në Sheshin Tiananmen dhe do ta vendosë Kim-in përballë Presidentit kinez Xi Jinping, homologut rus Vladimir Putin dhe një sërë liderësh të tjerë botërorë. Ky do të jetë takimi i parë shumëpalësh ndërkombëtar i Kim Jong Un-it.

Sipas agjencisë jugkoreane Yonhap, ai u nis të hënën mbrëma nga Pheniani me trenin e tij të blinduar, i cili përfshin restorant me verëra franceze dhe ushqime luksoze si humbulla të freskët. Për shkak të sigurisë së lartë, treni lëviz me shpejtësi të ulët dhe udhëtimi drejt Pekinit pritet të zgjasë deri në 24 orë.

Kjo është hera e parë që një lider i Koresë së Veriut merr pjesë në një paradë ushtarake kineze që prej vitit 1959. Kim do të bashkohet me 26 krerë shtetesh të tjerë, mes tyre nga Mianmari, Irani dhe Kuba. Në paradën e fundit të këtij lloji në vitin 2015, Pheniani dërgoi vetëm një zyrtar të lartë, Choe Ryong-hae.

Udhëtimi i tij në Kinë shënon gjithashtu edhe daljen e parë të rëndësishme ndërkombëtare që nga takimet me Vladimir Putinin, me të cilin është takuar dy herë pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë. Vizita e fundit në Pekin ishte në vitin 2019, për 70-vjetorin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve – edhe atëherë me tren.

Tradita e udhëtimeve me tren nisi me gjyshin e tij, Kim Il Sung, që vizitonte Vietnamin dhe Europën Lindore në këtë mënyrë. Edhe i ati, Kim Jong Il, përdorte tren të blinduar, pasi kishte frikë nga fluturimet. Sipas mediave koreano-jugore, treni i Kim Jong Un-it ka rreth 90 vagona, të pajisur me salla mbledhjesh, dhoma gjumi dhe hapësira pritjeje.

Në paradën e Pekinit do të marshojnë dhjetëra mijëra ushtarë përmes Sheshit historik Tiananmen, në shënim të 80-vjetorit të dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Ceremonia 70-minutëshe pritet të shfaqë për herë të parë në mënyrë të plotë strukturën e re të ushtrisë kineze me arsenal modern: avionë, tanke dhe sisteme anti-dron.

Shumica e liderëve perëndimorë nuk do të marrin pjesë, për shkak të kundërshtimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe sanksioneve ndaj regjimit të Putinit. Por krahas Xi dhe Putin, në Pekin do të jenë të pranishëm edhe liderët e Indonezisë, Malajzisë, Mianmarit dhe Vietnamit – një tjetër shenjë e përpjekjes së Kinës për të forcuar lidhjet me Azinë Juglindore. Nga Bashkimi Europian do të marrë pjesë vetëm kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ndërsa Bullgaria dhe Hungaria do të përfaqësohen nga delegacione më të ulëta.

Lini një Përgjigje