TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shtator 2025, 18:25

Policia greke shkatërron “perandorinë” e mafies në Kretë, sekuestrohen mijëra euro, armë dhe drogë; 49 të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti
Policia greke shkatërron “perandorinë” e mafies në
Sendet e sekuestruara

Një operacion i policisë greke ka çuar në shpërbërjen e mafies së Kretës.

Organizata e trafikut të drogës në Greqi ishte e përbërë nga shumë persona, 49 prej të cilëve kanë rënë në pranga, ndërkohë ende nuk dihet nëse ka shqiptarë.

Një dhomë e tërë brenda një komisariati Policie në Greqi është e mbushur nga sendet e konfiskuara nga operacioni për shpërbërjen e mafies së Kretës.

Në fotot e publikuara nga mediat greke, duken shumë armë, kryesisht pushkë gjuetie dhe luftarake, si dhe pistoleta, municione, pjesë dhe këllëfë armësh, kuti me fishekë të kalibrave të ndryshëm, kartëmonedha euro, telefona celularë, si dhe pako që përmbanin drogë.

Sipas vlerësimeve të Policisë Helene, xhiroja e organizatës ishte afër 3 milionë euro. Në dosjen e çështjes thuhet se të ardhurat vinin nga trafiku i drogës, i cili vlerësohet në afërsisht 1.1 milionë euro. Nga pjesa tjetër e aktivitetit të tyre, të ardhurat arritën në 1.5 milionë euro.

Secili anëtar mori pjesën e tij, por, si në të gjitha rastet, edhe këtu pjesa më e madhe e parave përfundoi te dy vëllezërit biznesmenë që konsiderohen si krerët e mafies në Kretë.

Sipas zëdhënëses së shtypit të Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, hetimi filloi me një rast trafiku droge. Megjithatë, autoritetet arritën të zbulonin një rrjet me shumë tentakula që trafikonte edhe armë kallashnikovi.

Udhëheqësit e organizatës dyshohet se janë dy vëllezër, të cilët janë biznesmenë nga Hania, të njohur në komunitetin vendas. Të dy ishin vënë nën mikroskopin e autoriteteve për raste të mëparshme zhvatjeje.

Shumë prej të arrestuarve kishin qenë më parë në shënjestër të policisë, me çështje penale të hapura ose edhe duke vuajtur dënime me burg.

Ende nuk është sqaruar se sa vite kishte vepruar rrjeti. Sipas zëdhënëses së shtypit të ELAS, Konstantina Dimoglidou, i akuzuari nuk priste të përballej me autoritetet.

shkaterrohet organzata e droges ne greqi

Lini një Përgjigje