
Për sa kohë që ekziston Rusia, do të ekzistojë edhe mundësia e agresionit rus kundër Ukrainës. Dhe për sa kohë që ekziston SHBA-ja, do të ekzistojë mundësia që një administratë e ardhshme amerikane të nisë një kryqëzatë të re anti-ruse...
Donald Trump i ka kërkuar Vladimir Putinit që t’i japë fund luftës në Ukrainë. “Arrini një marrëveshje me Ukrainën, dhe ndaleni këtë luftë qesharake!”- shkroi ai në rrjetin e tij Truth Social. “Përndryshe, gjërat vetëm sa do të përkeqësohen!”.
Por nëse presidenti i ri i SHBA-së dëshiron përfundimin e luftës në Ukrainë, diplomatët amerikanë duhet të nisin bisedimet me Rusinë për çështje shumë më të gjera se sa Ukraina. Sepse tek e fundit problemi i Rusisë nuk është vetëm me Ukrainën, por me Perëndimin.
A ekziston një marrëveshje që mund ta kënaqë Rusinë, Ukrainën dhe pjesën tjetër të botës? Rusia hyri në këtë luftë për ta parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe Donald Trump e bëri të qartë në një takim me presidentin francez Emmanuel Macron se administrata e tij nuk e do këtë gjë.
Për më tepër, fakti që administrata Biden dhe çdo qeveri tjetër e NATO-s e ka përjashtuar publikisht mundësinë e hyrjes në luftë për Ukrainën, e bën të duket boshe idenë e një garancie të mbrojtjes kolektive nga Neni 5 i traktatit themeltar të aleancës. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, shpjegoi kohët e fundit se ku mendon se duhet të përshtatet një Ukrainë e pasluftës brenda arkitekturës së sigurisë së Evropës.
Ai tha se Rusia “e ka njohur sovranitetin e Ukrainës që në vitin 1991, në bazë të Deklaratës së Pavarësisë, të cilën Ukraina e miratoi kur u tërhoq nga Bashkimi Sovjetik”. Lavrov shtoi:”Një nga pikat kryesore për Rusinë në deklaratë, saktësonte se Ukraina do të ishte një vend neutral, pra nuk do t’i bashkohej asnjë aleancë ushtarake… Në këto kushte, ne mbështesim integritetin territorial të Ukrainës”.
Deri në vitin 2014, neutraliteti ishte vërtet pjesë e kushtetutës së Ukrainës, edhe pse qeveritë në Kiev e kishin shkelur tashmë këtë duke kërkuar anëtarësimin në NATO. Një alternativë ndaj anëtarësimit në NATO - dhe në fakt ndaj anëtarësimit në çdo aleancë ushtarake - do të ishte pasja e një force të madhe “paqeruajtëse” të mirë-armatosur, e ofruar nga vendet evropiane dhe me bazë në Ukrainë.
Kjo është diskutuar kohët e fundit. Në dhjetorin e vitit të shkuar, zyrtarë nga NATO, BE, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Ukraina u takuan për të diskutuar garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë këtë të fundit.
Zyrtarët që janë në brendësi të bisedimeve thonë se “çdo trupë evropiane në terren, do të ishte pjesë e një force specifike paqeruajtëse ose monitoruese të armëpushimit, dhe jo pjesë e një operacioni të NATO-s”. Megjithatë në praktikë, ky do të ishte një operacion i NATO-s në të gjitha aspektet, përveç emrit, pasi të gjitha shtetet kontribuuese do të vinin nga aleanca.
Prandaj, qeveria ruse e ka bërë të qartë se do ta refuzojë këtë ide. Ndoshta këtu nuk ndihmoi as Zelensky, që tha se forcat paqeruajtëse duhet të jenë të paktën 200.000 dhe të vendosen pranë kufirit të Ukrainës me Rusinë. Edhe pse administrata Trump po e shqyrton këtë ide, me siguri që në fund do ta refuzojë atë.
Sepse siç ka raportuar Wall Street Journal, “zyrtarët francezë e kanë bërë të qartë, se ideja duhej të përfshijë një lloj mbështetjeje nga SHBA-ja”. Financial Time, citon zyrtarë që kanë qenë të pranishëm në bisedimet e dhjetorit mbi opsionet e sigurisë. Ata thonë se “garancitë detyruese të sigurisë nga kryeqytetet evropiane që potencialisht do t’i përfshinin ata në një luftë me Rusinë nëse Ukraina do të sulmohej sërish, janë të pamundura pa garancinë e mbështetjes nga SHBA të ushtrive evropiane”.
Por administrata Trump nuk do ta japë kurrë një garanci të tillë, pasi në rastin e një lufte të re, SHBA-ja do të duhej të zgjidhte midis poshtërimit dhe luftës së drejtpërdrejtë me Rusinë, duke përfshirë rrezikun e madh nga asgjësimi i armëve bërthamore.
Shtetet kryesore evropiane, e kanë përjashtuar tashmë pjesëmarrjen në një forcë të tillë - përveçse nëse rusët bien dakord për të, gjë që nuk do të ndodhë. Kur Macron diskutoi mbi misionin evropian të paqeruajtjes me kryeministrin polak Donald Tusk, pavarësisht se ishte një nga aleatët më të fortë të Ukrainës, Polonia e refuzoi Macronin.
Tusk tha:“Për t’i dhënë fund spekulimeve mbi praninë e mundshme të këtij apo atij vendi në Ukrainë pas arritjes së armëpushimit…vendimet në lidhje me Poloninë do të merren në Varshavë dhe vetëm në Varshavë. Për momentin, ne nuk po planifikojmë aktivitete të tilla”.
Edhe udhëheqësi i Unionit Kristiandemokrat në Gjermani (dhe kancelari i mundshëm pas zgjedhjeve të shkurtit), Friedrich Merz, i quajti “'të papërgjegjshme” biseda të tilla në këtë kohë. Ai është shprehur: ”Nëse arrihet një marrëveshje paqeje, dhe Ukraina ka nevojë për garanci sigurie, ne mund ta diskutojmë këtë vetëm nëse ka një mandat të qartë sipas ligjit ndërkombëtar. Për momentin nuk e shoh që të ndodhë. Do të doja që një mandat i tillë të jepej në konsensus me Rusinë, jo në konflikt me të”.
Një opsion tjetër i diskutuar, është i ashtuquajturi “modeli izraelit”, ose një neutralitet por i shoqërua me një armatosje të madhe. Sepse ndonëse i armatosur dhe i mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore, Izraeli nuk është aleat i SHBA-së apo i NATO-s.
Kjo mund të ishte e pranueshme për Rusinë, nëse armët që i dërgon Perëndimi Kievit në të ardhmen do të jenë mbrojtëse (duke përjashtuar për shembull raketat me rreze të gjatë dhe avionët luftarakë të avancuar). Por Ukraina përballet me një kundërshtar shumë më të frikshëm se çdo rival me të cilin është përballur ndonjëherë Izraeli.
Një përgjigje e pjesshme për këtë situatë të vështirë, është që Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar të miratojnë në tërësi një zgjidhje paqësore. Ndërsa shumica e vendeve kanë refuzuar t’i bashkohen sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, ata nuk e donin këtë luftë dhe nuk do të dëshironin që të rifillonte.
Meqë Moska e ka bërë një pjesë qendrore të strategjisë së saj diplomatike, arritjen e asaj që ajo e quan “shumicën globale”, nuk do të ishte shumë e gatshme t’i distanconte duke filluar një luftë të re. Por në fund, e vetmja garanci vërtet e fortë e paqes në Ukrainë dhe midis Rusisë dhe Perëndimit do të jetë një arkitekturë e re e sigurisë, e cila me kalimin e kohës redukton frikën dhe mosbesimin mes tyre.
Ky ishte shansi i madh i ofruar nga fundi i Luftës së Ftohtë, por që u shpërdorua për shkak të gabimeve nga të dyja palët. Në këtë drejtim, Rusia i propozoi SHBA-së një traktat vetëm 2 muaj përpara se të niste pushtimin e Ukrainës. Disa nga dispozitat e tij ishin qartazi të papranueshme, por të tjerat ishin të mirëkuptueshme.
Megjithatë, administrata Biden refuzoi ta diskutonte. Ajo nuk do të ishte një garanci absolute dhe e përhershme e sigurisë për Ukrainën. Por tek e fundit, në histori nuk ka ekzistuar ndonjëherë një garanci e tillë. Për sa kohë që ekziston Rusia, do të ekzistojë edhe mundësia e agresionit rus kundër Ukrainës. Dhe për sa kohë që ekziston SHBA-ja, do të ekzistojë mundësia që një administratë e ardhshme amerikane të nisë një kryqëzatë të re anti-ruse./Pamfleti nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje