
Përballë një politike të paparashikueshme amerikane dhe dobësimit të NATO-s, Evropa gjendet për herë të parë e vetme në historinë moderne. Sipas ish-diplomatit gjerman, ky izolim i detyruar e bën sfidën e Trumpit më urgjente dhe më destabilizuese për kontinentin sesa vetë agresioni rus.
Ka imazhe që nuk zbehen kurrë nga kujtesa e një vendi, nga ndërgjegjja e tij politike dhe popullore. Një prej tyre është ai i Joschka Fischer-it, i veshur me atlete dhe duke bërë betimin si ministër në Landin e Hesenit në vitin 1985. Për herë të parë, të Gjelbrit - një lëvizje qytetare e lindur disa vite më parë - hynë në një qeveri rajonale.
Ishte një pikë kthese. Trembëdhjetë vjet më vonë, Fischer do të bëhej zëvendëskancelar dhe ministër i Jashtëm në qeverinë e parë federale me të Gjelbrit, në aleancë me Partinë Socialdemokrate të kancelarit Gerhard Schröder. Edhe pse sot është në pension, ai mbetet një vëzhgues i mprehtë i botës dhe sfidave me të cilat ajo po përballet.
Në librin tuaj të fundit shkruani: “Pyetja vendimtare gjeopolitike në vitet që vijnë është: Çfarë kërkon SHBA-ja?”. A e dimë tani përgjigjen?
Mendoj se është e qartë se çfarë nuk kërkon. Ajo nuk dëshiron të marrë më përgjegjësi për Evropën dhe për këtë arsye po vë në pikëpyetje NATO-n. Se deri ku është i gatshëm të shkojë Donald Trumpi në politikën e brendshme, do ta shohim në vjeshtë, nëse do të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Aleanca transatlantike ekziston ende formalisht, por në thelb ajo po venitet.
Cilat janë pasojat e kësaj?
Evropa është vetëm, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ne jemi të vetëm përballë një kërcënimi në krahun lindor të Evropës dhe të NATO-s. Kjo është një situatë historike krejtësisht e re.
A është gati Evropa?
Jo.
Çfarë duhet të bëjë?
Duhet të përgatitemi për fundin e mbrojtjes ushtarake amerikane. Do të shohim nëse NATO do të mbijetojë, por ne evropianët do të bënim mirë të mos hiqnim dorë prej saj. Duhet të mbajmë të bashkuar krahun evropian dhe të investojmë masivisht te siguria. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër.
Në vitin 2003, në prag të pushtimit të Irakut, i thatë Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld: “Nuk jam i bindur!”. Çfarë do të bënit sot nëse do të ishit ministër i Jashtëm?
Nuk e di. Si ministër i Jashtëm, duhet të përpiqesh të përfitosh nga hapësirat e disponueshme të ndikimit. Nga ana tjetër, jam i lumtur që nuk më duhet ta bëj. E njoh veten…
Në vitin 2003 flitej për një krizë transatlantike për shkak të Luftës së Irakut. A mund ta imagjinonit që gjërat do të arrinin deri këtu?
Ajo ishte vetëm fillimi. Lufta e Irakut luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen e Trumpit. Ai supozoi se regjimi në Iran do të binte lehtësisht, por ai mbetet ende në pozita të forta dhe programi bërthamor nuk është ndalur. Nëse regjimi mbetet në pushtet dhe radikalizohet më tej, humbësi më i madh do të jetë populli iranian. Ndërhyrjet ushtarake pa një plan të menduar mirë janë të rrezikshme.
A kishte të drejtë Pedro Sánchez kur tha “jo luftës”?
Pjesëmarrja në atë luftë do të kishte qenë e papërgjegjshme. Qëndrimi i Spanjës është i lavdërueshëm, megjithëse do të kisha preferuar një angazhim më të madh ndaj Ukrainës. Më kujton shumë periudhat e errëta të historisë evropiane kur liria lihej pas dore.
A mendoni se Spanja duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen?
Çështja e riarmatosjes është, para së gjithash, përgjegjësi e shteteve të mëdha anëtare. Ne evropianët duhet të mendojmë në terma kontinentalë kur bëhet fjalë për sigurinë, sepse jemi vetëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën; pas saj rrezikohet e gjithë Evropa.
Nëse SHBA-ja tërhiqet, a mund ta ndalë Evropa Rusinë?
Nëse nuk do të mundemi, atëherë kemi një problem ekzistencial. Prandaj duhet të bëjmë gjithçka për të mbështetur Ukrainën. Për sa kohë që Ukraina vazhdon të luftojë, ajo shërben si garanci sigurie për ne, sepse Vladimir Putini nuk do të ndalet vullnetarisht; ai do të synojë të përparojë drejt Perëndimit.
Kush është më i rrezikshëm për Evropën, Trumpi apo Putini?
Trumpi ka më shumë pushtet dhe vepron në mënyrë irracionale, çka e bën atë tejet të rrezikshëm për stabilitetin tonë. Por nuk do ta nënvlerësoja as Putinin. Si lufta në Lindjen e Mesme, ashtu edhe ajo në Ukrainë, po zhvillohen në pragun tonë. Lindja e Mesme është fqinja jonë më e afërt dhe çdo destabilizim atje na prek drejtpërdrejt./ Përshtati "Pamfleti", nga “El Pais”
Lini një Përgjigje