Polonia do të përdorë Nenin 4 të NATO-s, i cili është përdorur vetëm shtatë herë që nga themelimi i aleancës, me Donald Tusk që njoftoi se ka pasur gjithsej 19 shkelje të hapësirës ajrore të vendit të tij.
Kryeministri polak Donald Tusk thotë se Polonia është shumë afër konfliktit të armatosur se në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ai shton se Varshava ka kërkuar të përdorë Nenin 4 të NATO-s dhe se vendi ka nevojë për më shumë sesa shprehje solidariteti.
Neni 4, i cili u përdor për herë të fundit në vitin 2022 kur Rusia pushtoi Ukrainën, parashikon që një shtet anëtar i NATO-s mund të fillojë konsultime zyrtare me aleancën "sa herë që konsideron se integriteti i tij territorial, pavarësia politike ose siguria është e kërcënuar".
Tusk thotë gjithashtu se pati 19 ndërhyrje në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës, me katër dronë të rrëzuar.
Një numër i madh i dronëve fluturuan nga Bjellorusia, thotë ai.
Komanda e ushtrisë polake bëri të ditur se dronët kishin shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s, gjatë një vale sulmesh në Ukrainën perëndimore, por se këto shkelje kishin përfunduar.
Siç thuhet, objektet ishin rrëzuar nga forcat e armatosura polake, duke shënuar herën e parë që një anëtar i NATO-s angazhohet direkt kundër aseteve ruse në territorin e vet qe prej fillimit të luftës.
“Hapësira ajrore e NATO-s u shkel nga një numër i madh dronësh rusë. Ata që përbënin kërcënim u qëlluan nga pilotët polakë të NATO-s. Me gjasë bëhet fjalë për një provokim në shkallë të gjerë nga ana e Moskës. Është hera e parë që dronët rusë rrëzohen mbi territorin e një shteti anëtar të NATO-s. Aleatët tanë po e trajtojnë situatën me shumë seriozitet”., tha Donald Tusk.
Kjo është hera e parë gjatë luftës në Ukrainë që Polonia aktivizon forcat ajrore për të rrëzuar objektiva brenda hapësirës së saj. Po ashtu hera e parë që një vend anëtar i NATO-s e bën këtë.
Ushtria bëri të ditur se operacioni vazhdon dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, veçanërisht në rajonet Podlaskie, Mazowieckie dhe Lublin si më të rrezikuarat.
Pas kësaj, aeroporti Chopin në Varshavë u mbyll përkohësisht, së bashku me disa aeroporte të tjerë.
Lini një Përgjigje