TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Shtator 2025, 07:10

"Jemi nën sulm"/ Polonia në alarm nga dronët rusë në hapësirën e saj ajrore, mbyllen katër aeroporte; NATO në gatishmëri

Shkruar nga Pamfleti

Kjo është hera e parë që  një shtet anëtar i NATO-s është "i pushtuar" nga dronë rusë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, me 4 aeroporte u mbyllën për shkaqe sigurie.

"Jemi nën sulm"/ Polonia në alarm nga dronët rusë
Polonia rrëzon dronë rusë që pushtuan hapësirën e saj ajrore - "Jemi nën sulm", njoftoi shtabi i përgjithshëm

Avionët luftarakë të Forcave Ajrore Polake rrëzuan dronë rusë në agim, duke shënuar herën e parë që një shtet anëtar i NATO-s është përfshirë me avionë pa pilot rusë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Komanda e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm Polake tha në një deklaratë se ky ishte një "akt agresioni që përbënte një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve polakë".

Kryeministri polak Donald Tusk do të takohet me ministrat përgjegjës për sigurinë shtetërore. Një takim i jashtëzakonshëm i Këshillit të Ministrave do të mbahet në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Për momentin, Rusia nuk ka komentuar për incidentin, me BBC që kujton se Vladimir Putin ka mohuar vazhdimisht çdo qëllim të vendit të tij për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër vendeve të NATO-s .

Ndërkohë katër aeroporte , përfshirë më të madhin në Varshavë, janë mbyllur pas raportimeve se dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të saj, sipas Reuters.

Dy aeroporte në kryeqytetin Varshavë, aeroporti kryesor Chopin dhe aeroporti Warsaw Modlin  u mbyllën. Gjithashtu u pezulluan edhe aeroporti Rzeszów-Jasionka  që është qendra ajrore më e afërt me Ukrainën si dhe aeroporti Lublin, sipas një njoftimi të publikuar në faqen e internetit të Administratës Federale të Aviacionit të SHBA.

Kjo ndodh ndërsa avionët luftarakë të NATO-s dhe Polonisë u ngritën në ajër pasi Rusia nisi një tjetër sulm masiv mbi rajonet ukrainase pranë kufirit me Poloninë.

Në orët e para të mëngjesit, forcat e armatosura polake postuan një përditësim në X, ku thanë se avionët e tyre u ngritën për të mbrojtur hapësirën ajrore.

“Avionët polakë dhe aleatë po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore nga toka dhe të zbulimit me radar janë sjellë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë,” shkroi komanda operacionale e forcave të armatosura polake.

Reagime pati edhe në Uashington.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio i tha Samantha Waldenberg të CNN se ishte në dijeni të raportimeve për shkelje të hapësirës ajrore polake nga mjete ajrore pa pilot që i përkisnin ushtrisë ruse, raportoi Caitlan Collins, një reportere politike për të njëjtin rrjet televiziv, nëpërmjet X.

Senatori Chris Murphy, demokrati kryesor në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se do të ishte “jashtëzakonisht serioze” nëse raportet për “mjete ajrore ruse që fluturojnë mbi një vend të NATO-s” rezultojnë të vërteta.

Megjithatë, Murphy pranoi gjithashtu se Polonia disa herë është kapur mes zjarrit të kësaj lufte për shkak të afërsisë së saj me Ukrainën.

Joel Wilson, përfaqësues i Karolinës së Jugut nga Partia Republikane, i cili gjithashtu është pjesë e Komisioneve të Shërbimeve të Jashtme dhe të Forcave të Armatosura, e quajti veprimin e supozuar të Rusisë një “akt lufte”.

“Unë i bëj thirrje Presidentit Trump të përgjigjet me sanksione të detyrueshme që do të çojnë në falimentimin e makinerisë luftarake ruse dhe të armatosë Ukrainën me armë që mund të godasin Rusinë,” shkroi ai në një postim në X, duke theksuar se ky zhvillim ndodhi pak ditë pasi Trump priti Presidentin polak Nawrocki në Shtëpinë e Bardhë.

polonia në alarm nga dronët rusë poland-nato poloni-rusi

Lini një Përgjigje