
Përveç tërheqjes së “veshit” në OKB, Izraeli ka marrë goditje edhe nga dy prej aleatëve të tij, Franca dhe Britania.
Mosbindja e kabinetit të Benjamin Netanyahut ndaj thirrjeve perëndimore duket se po kthehet në një “boomerang” për Izraelin. Injorimi totali i thirrjeve për lejimin e ndihmave në Gaza, kujdesin ndaj civilëve gjatë sulmeve dhe idesë së një armëpushimi në Lindjen e Mesme, kanë detyruar perëndimin të nis masat e para paralajmëruese ndaj Izraelit.
Kjo situatë komplekse detyroi Britaninë, Francën dhe Algjerinë për të thirrur ditën e sotme një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua situata në Gaza e cila po përballet me një krizë ushqimore.
Pikërisht për këtë, Izraeli mori një paralajmërim të fortë nga Shtetet e Bashkuara që pretendojnë se kamionë me ndihma humanitare të paguara prej tyre po mbahen nga Izraeli në pikat kufitare me Gazën.
Uashingtoni i dha 30 ditë kohë Izraelit që të garantojë hyrjen e rregullt ditore të kamionëve me ndihma në rajonin e shkatërruar të Gazës, në të kundërt është zotuar që të heqë dorë përfundimisht nga ndihma ushtarake.
Gjatë mbledhjes urgjente, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i tha Këshillit të Sigurimit se SHBA po vëzhgon për t'u siguruar që veprimet e Izraelit në terren të mos përbëjnë një "politikë që nxit urinë në Gaza”.
"Qeveria e Izraelit ka thënë se kjo nuk është politika e tyre. Se ushqimet dhe furnizimet e tjera thelbësore nuk do të ndërpriten. Dhe ne do të shikojmë për të parë që veprimet e Izraelit në terren përputhen me këtë deklaratë", tha ajo.
Uashingtoni ka kërkuar që Izraeli të rrisë sasinë e ndihmës që hyn në Gaza brenda 30 ditëve dhe ka vendosur një objektiv prej 350 kamionësh në ditë.
Ndërkohë që ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour akuzoi Izraelin se i ka shpallur një luftë gjithëpërfshirëse popullit palestinez, duke shtuar se Netanyahu po iu mohon atyre ndihmën jetike për mbijetesë.
Ai kritikon gjithashtu sulmet e Izraelit ndaj UNRWA, agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, e cila është akuzuar nga Izraeli se strehon terroristët e Hamasit.
"Për të shkatërruar kushtet e jetës në Gaza, Izraeli duhet të sigurohet që askush nuk mund të ndihmojë në rivendosjen e tyre, qoftë edhe minimalisht. Sulmi i Izraelit kundër UNRWA-s është pjesë e sulmit të tij kundër refugjatëve palestinezë të cilëve u shërben dhe popullatës civile palestineze që po përpiqet të ndihmojë mbijetesën. Është gjenocid. Gjenocid gjakftohtë, i planifikuar dhe i ekzekutuar", thotë zoti Mansour.
Përveç tërheqjes së “veshit” në OKB, Izraeli ka marrë disa goditje edhe nga dy prej aleatëve të tij, Franca dhe Britania. Presidenti Emanuel Macron, një nga zërat më kritikë në Europë ndaj Izraelit, vendosi që të ndalojë firmat izraelite të marrin pjesë në një ekspozitë tregtare ushtarake detare, (Euronaval) e cila do të zhvillohet së shpejti në Paris. Gjithashtu, javën e kaluar, Franca dënoi sulmet e pajustifikueshme të Izraelit ndaj forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban.
Në një deklaratë të përbashkët, Franca, Spanja dhe Italia thanë se ishin "të indinjuar" nga sulmet, duke akuzuar Izraelin për shkelje serioze të detyrimeve të tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Macron Gjithashtu ka kërkuar që vendet perëndimore të shkëpusin marrëdhëniet tregtare me Izraelin si dhe të ndalojnë furnizimin e tij me armë deri në arritjen e një armëpushimi.
Ndërkohë që një nga mbështetësit më të zëshëm të Izraelit duket se po kthehet kundër Izraelit, kjo pasi Britani ka thënë se po shqyrton mundësinë e sanksionimit të dy ministrave të kabinetit izraelit të ekstremit të djathtë.
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer theksoi se po shikonte vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit të financave Bezalel Smotrich dhe ministrit të sigurisë kombëtare Itamar Ben-Gvir, të cilët janë mbështetës të zëshëm të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ai tha se dyshja kishin bërë komente "të neveritshme" për situatën në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Mesa duket Netanyahu ra sërish pre e egos së tij. Gjatë muajve të verës qeveria e tij ishte e lëkundur dhe presioni perëndimor për sulmet në Gaza ishin në kulm. Por gjithçka ndryshoi pasi shërbimi i inteligjencës së Izraelit organizoi një sulm ndaj militantëve të Hezbollahut përmes shpërthimit njëkohësisht të mijëra biperave.
Kjo lëvizje e suksesshme se bashku me vrasjen e disa liderëve kryesorë rriti besueshmërinë e popullit izraelit dhe Perëndimit ndaj Netanyahut. Kjo bëri këtë të fundit që të rrëmbehej nga ideja se mund të arrinte të gjitha idetë e tij, gjë që rezultoi e gabuar, pasi një muaj më vonë Izraeli ndodhet me shpatulla pas muri përballë opinionit ndërkombëtar.
Situata mbetet kritike si në Liban ashtu dhe në Gaza, sulmet e pamëshirshme izraelite kanë shkaktuar mijëra të vdekur dhe ka lënë qindra mijëra të tjerë të pastrehë dhe në mëshirën e fatit. Një armëpushim do të ishte zgjidhja më e mirë, por me idenë e Netanyahut për të sulmuar Iranin, situata duket se vetëm do të përkeqësohet./Pamfleti
Lini një Përgjigje