
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari në një komunikim mediatik, ka paralajmëruar se Irani do të vuajë pasojat nëse përshkallëzon më tej situatën.
Videomesazhi i tij vjen pasi Marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit rrëmbeu një anije konteinerësh të lidhur me Izraelin pranë ngushticës së Hormuzit. Megjithatë incidenti nuk përmendet drejtpërdrejtë në mesazhin e Hagari-t.
“Irani ka mbështetur Hamasin në luftë. Hezbollahu i mbështetur nga Irani e zgjeroi këtë luftë më 8 tetor; dhe që atëherë, milicitë e mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri, e kanë zgjeruar këtë në një konflikt global. Irani është sponsori më i madh shtetëror i terrorit në botë. Rrjeti i tij i terrorit nuk kërcënon vetëm popullin e Izraelit, Gazës, Libanit dhe Sirisë; regjimi në Iran nxit luftën në Ukrainë dhe më gjerë”, ka thënë Hagari.
Izraeli është në gatishmëri të lartë për një sulm të mundshëm iranian që kur dy gjeneralë iranianë u vranë nga një sulm ajror në kryeqytetin sirian Damask javën e kaluar.
Irani ka fajësuar Izraelin për sulmin dhe është zotuar për hakmarrje. Izraeli nuk ka komentuar mbi sulmin.
Lini një Përgjigje