
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Dy pikat kryesore të fjalimit të saj ishin sulmi ndaj Rusisë dhe kritika ndaj Izraelit.
Ajo tha për Rusinë se po “shkelte qëllimisht Nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke shkelur kështu pavarësinë dhe integritetin territorial të një shteti sovran, me vullnetin për të aneksuar territoret e tij”.
Meloni shtoi se “deri më sot, Moska nuk duket e gatshme të marrë seriozisht asnjë thirrje për t’u ulur në tryezën e negociatave për paqe” dhe se “kjo plagë e thellë e shkaktuar ndaj së drejtës ndërkombëtare ka krijuar pasoja destabilizuese që shkojnë përtej kufijve të kësaj lufte të veçantë”.
Sa i përket Izraelit, megjithëse dënoi sulmin e 7 tetorit nga Hamasi, ajo akuzoi Tel Avivin se kishte tejkaluar kufijtë e parimit të proporcionalitetit me reagimin e tij.
“Një zgjedhje që Italia e ka përshkruar vazhdimisht si të papranueshme dhe që do të çojë në votën tonë pozitive për disa nga sanksionet e propozuara nga Komisioni Evropian kundër Izraelit”, theksoi Meloni.
Kryeministrja italiane i bëri thirrje Izraelit “të dalë nga kurthi i kësaj lufte”.
“Duhet ta bëjë këtë për historinë e popullit hebre, për demokracinë e tij, për të pafajshmit, për vlerat universale të botës së lirë, pjesë e së cilës është”, u shpreh ajo.
Lini një Përgjigje