Më shumë se 32 njerëz janë vrarë të dielën nga një sulm rus me raketa në qytetin Sumi të Ukrainës, njoftuan zyrtarët.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tha se numri i viktimave është rritur, pasi autoritetet lokale kishin raportuar fillimisht për 21 të vdekur.
Në mesin e të vrarëve janë dy fëmijë. Të paktën 84 njerëz të tjerë janë plagosur, përfshirë 10 fëmijë.Ushtria ruse i hodhi dy raketa balistike në qendër të qytetit rreth orës 10:15 të mëngjesit, në kohën kur njerëzit ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave, sipas zyrtarëve.
Video të postuara nga vendngjarja në kanale zyrtare shfaqin trupa të shtrirë në tokë mes rrënojave dhe tymit në qendër të Sumit.
“Në këtë të Diel të ndritshme të Palmave, komuniteti ynë ka pësuar një tragjedi të tmerrshme”, tha kryetari në detyrë i qytetit, Artem Kobzar, në rrjetet sociale.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se ekipet e shpëtimit janë në vendin e ngjarjes dhe tha se “dhjetëra” njerëz humbën jetën nga sulmi me dy raketa.
“Sipas të dhënave paraprake, dhjetëra civilë janë vrarë dhe plagosur. Vetëm ndyrësira të tilla mund të veprojnë kështu – duke ua marrë jetën njerëzve të zakonshëm”, tha ai.
Zelensky gjithashtu bëri thirrje për një përgjigje globale ndaj sulmit.
“Raketat balistike dhe bombat ajrore nuk janë ndalur kurrë përmes fjalëve. Ajo që nevojitet është një qëndrim ndaj Rusisë si ndaj një terroristi”, tha ai.
Sulmi ndodhi më pak se një ditë pasi diplomatët e lartë të Rusisë dhe Ukrainës akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e një marrëveshjeje të përkohshme të ndërmjetësuar nga SHBA për ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, duke theksuar vështirësitë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës trivjeçare.
Për sulmin reagoi edhe presidenti i Francës.
“Të gjithë e dinë se Rusia e dëshiron vetëm këtë luftë. Sot, është e qartë se Rusia e vetme dëshiron të vazhdojë me luftën, duke treguar përbuzjen e saj për jetën njerëzore, ligjin ndërkombëtar, por edhe për përpjekjet diplomatike të administratës Trump”, shkroi Emmanuel Macron në një postim në X.
Lini një Përgjigje