Një dron detar i pajisur me eksploziv dhe teknologji të avancuar ka shkaktuar alarm në Greqi pasi u zbulua pranë brigjeve të Lefkadës. Autoritetet greke kanë transferuar tashmë pajisjen në Athinë, ku specialistët e Forcave të Armatosura po analizojnë të gjitha elementet teknike dhe operative të saj.
Sipas dëshmive dhe informacioneve të para hetimore, droni kishte tre sensorë në pjesën ballore, ndërsa dy prej tyre rezultonin të dëmtuar në momentin kur objekti u lokalizua në det. Ekspertët dyshojnë se pajisja mund të jetë përplasur me shkëmbinjtë, duke humbur orientimin dhe kontrollin e navigimit.
Operacioni për neutralizimin e dronit u konsiderua me rrezik të lartë. Njësitë speciale të ushtrisë greke kryen një shpërthim të kontrolluar për të asgjësuar rreth 100 kilogramë lëndë shpërthyese të vendosura brenda një fuçie në pjesën e përparme të mjetit lundrues. Ndërhyrja u zhvillua në zonën detare të Astakos nën masa të rrepta sigurie.
Sipas mediave greke, objekti konsiderohet teknologjikisht i avancuar dhe me funksionim autonom. Kryetari i punëtorëve portualë të Lefkadës, Stathis Vasilatos, deklaroi për "ERT News" se autoritetet mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe urdhëruan mbajtjen e distancës së sigurisë pa prekur objektin. Ai shpjegoi se droni ishte i pajisur me bateri të integruara dhe sistem navigimi GPS.
“Në qendër kishte një kamerë me rezolucion të lartë dhe dy panele që me shumë gjasa lidhen me sistemin GPS. Ishte i zi, shumë i ulët mbi sipërfaqen e ujit, rreth një metër, në mënyrë që të mos identifikohej lehtë gjatë natës”, tha ai.
Sipas tij, pajisja mund të ketë humbur sinjalin GPS ose të jetë ndikuar nga kushtet atmosferike, duke përfunduar pa kontroll drejt brigjeve shkëmbore.
“Përpara kishte tre sensorë. Dy prej tyre ishin të thyer kur e gjetëm, gjë që tregon se ka të ngjarë të jetë përplasur dhe të ketë humbur orientimin”, shtoi Vasilatos.
Droni u zbulua nga dy vëllezër peshkatarë, Dimitris dhe Panagiotis Zogkos, banorë të zonës së Vasilikit në Lefkadë. Panagiotis Zogkos tregoi për televizionin Open se fillimisht menduan se bëhej fjalë për një peshkatrexhë në det.
“Nisëm nga Vasiliki në orën 5 të mëngjesit. Kur kaluam pranë Kepit Dukato pamë një objekt të zi që lëvizte në rreth. Mendova se ishte ndonjë peshkarexhë pa drita. Ishte 50 deri në 100 metra larg shkëmbinjve dhe dukej se ishte përplasur me pjesën e përparme”, tregoi ai.
Sipas peshkatarit, ata u larguan për të ngritur rrjetat dhe kur u kthyen dy orë më vonë, objekti ishte ende aty.
“Dy peshkatarë bullgarë na thanë se mjeti nuk kishte kapiten dhe motori vazhdonte të punonte, ndërsa pjesa ballore kishte mbetur mbi shkëmbinj”, tha ai.
Peshkatari pranoi se nëse do ta dinin që objekti mbante eksploziv, nuk do t’i afroheshin kurrë.
Autoritetet greke nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi origjinën e dronit apo destinacionin e tij, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për pajisje ushtarake, sabotazh apo aktivitet të lidhur me tensionet rajonale në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje