Pasi e ofendoi rëndë drejtpërdrejt në televizion, presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka ftuar për vizitë zyrtare në Beograd kryeministrin e ardhshëm të Hungarisë dhe kreun e partisë Tisza, Peter Magyar.
“E përgëzova Peter Magyarin për fitoren e tij në zgjedhje. Patëm një bisedë të rëndësishme, të mirë dhe kuptimplotë mbi temat kyçe për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme serbo-hungareze”, shkroi Vuçiç në Instagram.
Por raporti i tyre është tepër i tendosur. Pas fitores, Magyar theksoi se dinte saktësisht se çfarë po ndodhte në Serbi.
“I di lidhjet midis Orbanit dhe Vuçiçit në Serbi, midis Orbanit dhe Ficos në Sllovaki, dhe e di se kush është kumbari pas të gjitha këtyre lidhjeve”, theksoi ai.
Kësaj deklarate, presidenti serb iu përgjigj duke ofenduar dhe refuzoi se atë dhe Viktor Orban i komandon Rusia.
Fitorja e Magyar acaroi Vuçiç, me kryeministrin e ri hungarez i cili tha se Vuçiç e Orban kishin një kumbar të përbashkët.
“Hajde, më thuaj kush është kumbari?! Ai nuk e ka idenë se çfarë flet. Unë dhe Orbáni kemi të njëjtin kumbar. Liria e fjalës, mendimit dhe veprimit, janë e përbashkëta jonë.
Kumbari ynë i përbashkët është që ne i duam vendet tona më shumë se kushdo dhe çdo gjë tjetër në botë.Dhe ky është emëruesi ynë i përbashkët”, tha Vuçiç.
Peter Magyar ka arritur një fitore të madhe në Hungari, duke i dhënë fund pas 16 vitesh pushtetit të Viktor Orban. Partia e tij, Tisza, doli fituese në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar një shumicë të fortë në parlament.
Rezultatet tregojnë se Tisza ka marrë 137 vende nga 199 gjithsej, një rezultat që përmbys dominimin e gjatë të Fidesz. Pjesëmarrja e lartë në votime ishte ndër faktorët kryesorë që ndikuan në këtë ndryshim të madh politik.
Lini një Përgjigje