
Dy pasgoditje me magnitudë 3,1 dhe 2,7 Rihter u regjistruan në Kretë pas tërmetit me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter.
Intensiteti dhe kohëzgjatja e tërmetit ishin të mëdha në Hania dhe Rethimno, ndërsa shumë banorë dolën jashtë shtëpive të tyre në dy prefekturat e Kretës Perëndimore. Sipas organeve lokale nuk ka pasur dëme materiale.
Kreu i OASP (Organizmi për Planifikim dhe Mbrojtje Kundër Tërmeteve ), Efthimios Lekkas theksoi se është pozitive që kishte një thellësi të madhe fokale.
Ai shtoi gjithashtu se nuk duket që ka rrezik për cunami ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një kornizë të ndryshme gjeotektonike nga ajo e tërmeteve në Santorini dhe Arkalohorit.
“Rajoni ka dhënë përsëri tërmete të mëdha. Nuk ka lidhje me harkun që ndodhet në jug të Kretës. Ishte një tërmet që ndodhi në kryqëzimin e dy pllakave tektonike, asaj europiane dhe asaj afrikane. Mjedisi tektonik në këtë zonë jep tërmete të tilla, ndaj duhet t’i kushtojmë vëmendje fenomenit .Duhet të shohim zhvillimin e tij”, u shpreh ai.
Tërmeti u ndje gjithashtu edhe në Argos, Korinth dhe Athinë, si dhe në një pjesë të madhe të Greqisë jugore.
Lini një Përgjigje