Hungaria nuk ka ndërmend të ndalojë blerjet e naftës ruse, edhe nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump bën një kërkesë për një gjë të tillë. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, siç raporton Bloomberg.
"Ne jemi një vend pa dalje në det. Do të ishte shumë mirë nëse do të kishim qasje në det, do të mund të ndërtonim një rafineri ose një terminal të LNG-së dhe të lidheshim me tregun global. Por nuk është kështu", tha Szijjarto në një intervistë me ATV nga Nju Jorku.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në një konferencë së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer, ka thënë se nëse shtetet europiane ndalojnë së bleri naftë na Rusia, atëherë dhe Vladimir Putin do të tërhiqet nga lufta.
"Shumë thjesht, nëse çmimi i naftës bie, Putini do të tërhiqet, ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër, ai do të tërhiqet nga ajo luftë. Jam i gatshëm të bëj gjëra të tjera, por jo kur njerëzit për të cilët po luftoj blejnë naftë nga Rusia. Nëse çmimi i naftës bie, shumë thjesht, Rusia do të pajtohet”, tha Trump.
Trump më parë tha se lufta në Ukrainë do të mbaronte nëse të gjitha vendet e NATO-s do të ndalonin së bleri naftë nga Rusia.
Turqia ka qenë blerësi i tretë më i madh i naftës ruse që nga viti 2023, pas Kinës dhe Indisë, sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, me anëtarët e tjerë Hungari dhe Sllovaki që gjithashtu blejnë furnizime energjie nga Moska.
Pas deklaratave të Trump, në rrjete sociale ka reaguar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i cili shkroi se ‘presioni’ i lartë do të detyrojë Rusinë dhe presidentin Putin të ndalojnë luftën.
Lini një Përgjigje