
Një grabitje spektakolare brenda vetëm 7 minutash ka ndodhur në muzeun më të famshëm në botë, Luvrin, në Paris.
Persona të armatosur me mjete prerëse arritën të hyjnë në ndërtesë dhe të grabisin një koleksion bizhuterish mbretërore me vlerë të paçmueshme, përpara se të arratiseshin me motorë skuter.
Autorët lanë pas një jelek të verdhë me gjurmë ADN-je pranë vendngjarjes, i cili është shpresa kryesore e autoriteteve franceze për identifikimin e tyre.
Sipas Prokurores së Parisit, grabitësit përdorën një ngritës mobil për të hyrë nga dritarja e katit të parë dhe sulmuan sallën e famshme të Apolonit, duke kërcënuar rojet dhe thyer vitrinat që mbanin bizhuteritë.
Mes sendeve të vjedhura ishin një tiarë me mbi 1.000 diamante, një gjerdan me safirë dhe një set bizhuterish të mbretëreshave Marie-Amélie, Hortense dhe Eugénie.
Ndërkohë, grabitësit lanë të paprekur diamantin “Régent” me 140 karatë dhe braktisën një tiarë tjetër me 1.354 diamante dhe 56 smeralde gjatë arratisë.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, u shpreh optimist se autorët dhe sendet e vjedhura do të gjenden shpejt, ndërsa Ministri i Drejtësisë tha se ngjarja të jep një pamje të trishtueshme për Francën.
Brigada speciale për krimet e organizuara (BRB) po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbetura në vendin e ngjarjes, përfshirë jelekun me ADN, një batanije dhe ngritësin e mobilieve që autorët tentuan ta digjnin pa sukses.
Presidenti Emmanuel Macron reagoi në rrjetin social X, i cil tha se shpreson që veprat e vjedhura të rikthehen dhe autorët të përballen me drejtësinë.
Muzeu i Luvrit qëndroi i mbyllur të hënën, ndërsa hetimet vazhdojnë intensivisht.
Lini një Përgjigje