Parlamenti i Gjeorgjisë ka votuar me 84 vota pro dhe 30 kundër ligjin për agjentët e huaj, i cili ka shkaktuar prej javësh protesta të dhunshme masive.
Kundërshtarët thonë se legjislacioni është modeluar sipas ligjeve të ngjashme në Rusi që Kremlini i ka përdorur për të shuar gjithnjë e më shumë opozitën, shoqërinë civile dhe zërat kundërshtues.
Parlamenti i Gjeorgjisë tani ka 10 ditë kohë për t'ia dërguar projektligjin Presidentes Salome Zourabichvili, e cila tashmë është zotuar se do të vendosë veton ndaj këtij ligji, por parlamenti mund ta anulojë kundërshtimin e saj me një shumicë të thjeshtë.
Mijëra njerëz u mblodhën pranë Parlamentit në Tbilisi për të protestuar kundër vendimit. Protestuesit sulmuan policinë që ruanin hyrjet anësore të ndërtesës. Situata ka qenë e tensionuar edhe brenda Parlamentit, me përplasje fizike dhe verbale mes deputetëve pro qeverisë dhe opozitës.
Ndërsa Opozita e quan atë 'ligji rus' pasi Moska përdor legjislacion të ngjashëm për të goditur mediat e pavarura, organizatat joqeveritare dhe aktivistët kritikë ndaj Kremlinit. Deputetet e opozitës janë përplasur fizikisht me ata të mazhorancës, duke degraduar në dhunë të rëndë, pasi po mundoheshin të bllokonin punimet e seancës.
Projektligji i miratuar mund të shkaktojë protesta të dhunshme edhe gjatë ditëve në vijim, që mund të përcaktojnë nëse Gjeorgjia do të qëndrojë në rrugën drejt integrimit me Evropën.
Ata që janë në pushtet në Gjeorgji po përpiqen t'i kthejnë zgjedhjet e ardhshme të vendit në një ngjarje "të stilit rus", ka thënë një ish-diplomat.
Duke folur për Sky News, Vasil Sikharulidze, ish-ambasador i Gjeorgjisë në SHBA, tha se qeveria po përpiqet të minojë çdo institucion të vetëm që mund të garantojë një zgjedhje të ndershme në tetor.
Një protestues ka thënë se rreth 300 njerëz janë arrestuar gjatë muajit të fundit apo më shumë. "Sot është një ditë kaq e zezë për Gjeorgjinë. Është situatë shumë e tensionuar tani në rrugët e Tbilisit," thotë Katie Shoshishvili.
“Kjo është diçka që ne e kemi përjetuar për rreth një muaj. Ne kemi një vlerësim të rreth 300 personave të arrestuar deri më tani, dhe shumë njerëz janë rrahur rëndë”, shtoi ajo.
Miratimi i tij do t’u kërkonte organizatave që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si agjentë të ndikimit të huaj, duke vendosur kërkesa të vështira si gjoba ndëshkuese për ata që e shkelin. Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Italia dhe Franca prej javësh të tëra i kanë kërkuar Gjeorgjisë të tërheqë projektligjin pasi shkel lirinë e fjalës.


Lini një Përgjigje