
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se evakuimi i detyruar nga Izraeli i spitaleve në Rripin e Gazës do të vinte në rrezik jetën e qindra pacientëve, teksa e quajti situatën në terren "të papërshkrueshme".
"Njëzet e tre spitale janë urdhëruar të evakuohen në qytetin e Gazës dhe Gazën veriore dhe evakuimi i detyruar në këto rrethana do të vendoste jetën e qindra pacientëve në një situatë kërcënuese për jetën", tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë shtypi në Gjenevë.
Më shumë se 8,500 njerëz janë vrarë në Gaza dhe 1,400 në Izrael, tha ai, kryesisht gra dhe fëmijë nga të dyja anët. Ai përsëriti thirrjen për një pauzë humanitare në luftë për të ndihmuar mijëra të plagosur, së bashku me të sëmurët kronikë.
Ka gjithashtu më shumë se 21,000 njerëz të plagosur dhe 1.4 milionë të zhvendosur në Gaza, tha ai, si dhe shumë të tjerë me kushte afatgjata që kishin nevojë për kujdes.
“Po na mbarojnë fjalët për të përshkruar tmerrin që po shpaloset në Gaza”, tha zoti Tedros teksa shtoi se situata në Gaza ishte "e papërshkrueshme".
Kreu i OBSH theksoi se spitalet ishin të mbushura, morgjet të tejmbushura dhe mjekët kryenin operacione pa anestezi - ndërsa familjet kërkojnë strehim dhe tualetet e tejmbushura, duke rrezikuar përhapjen e sëmundjes.
Ai përsëriti gjithashtu thirrjet që Hamasi të lirojë pengjet izraelitë, shumë prej të cilëve kanë nevojë për kujdes mjekësor. Ndërkohë, drejtori i emergjencave Dr Mike Ryan tha se agjencia e OKB-së po përpiqej të ndihmonte pasi nuk mund të garantonte sigurinë e stafit.
Kreu i OBSH tha se çdo staf ndërkombëtar ose spitali fushor që hyn në Gaza do të kishte nevojë për garanci sigurie dhe për të funksionuar së bashku me sistemin ekzistues për të qenë efektiv.
"Ne kurrë nuk e kemi pasur aq të vështirë vendosjen e rregullave bazë të angazhimit që do të na lejonin të vepronim në mënyrën e duhur humanitare. Ne nuk do të jemi të instrumentalizuar në këtë. Ne nuk do të bëhemi palë në këtë... Detyra jonë është të shpëtojmë jetë. Kjo është puna jonë e vetme," tha ai.
Lini një Përgjigje