
Ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna ka ritheksuar dhe një herë se Gaza është tokë palestineze dhe e ardhmja e saj nuk varet nga Izraeli, duke ju përgjigjur kështu pretendimeve të dy ministrave izraelitë të cilët kërkuan rivendosjen e banorëve të Gazës jashtë enklavës.
“Nuk i takon Izraelit të përcaktojë të ardhmen e Gazës, e cila është tokë palestineze. Ne duhet t'i kthehemi parimit të së drejtës ndërkombëtare dhe ta respektojmë atë. Thirrje të tilla janë të papërgjegjshme dhe na largojnë nga një zgjidhje”, tha Colonna, duke shtuar se një retorikë e tillë është gjithashtu kundër interesave afatgjata të Izraelit.
Ajo theksoi mbështetjen e saj për zgjidhjen me dy shtete.
“Gaza është tokë palestineze, e cila dëshiron të bëhet pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez. Ne mbështesim zgjidhjen me dy shtete, e cila është opsioni i vetëm i zbatueshëm. Gaza dhe Bregu Perëndimor së bashku duhet të jenë pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez”, tha ajo.
Colonna tha se Franca është e angazhuar për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të situatës nga të gjitha palët, duke përfshirë zonat fqinje si Libani dhe Deti i Kuq.
“Është detyrim për një vend demokratik si Izraeli të ndjekë ligjin ndërkombëtar dhe të mbrojë popullsinë civile duke ushtruar të drejtat e tij të vetëmbrojtjes. Civilët nuk janë përgjegjës për krimet dhe duhet të mbrohen", tha Colonna.
Lini një Përgjigje