
Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, ishte aq afër vdekjes në një moment gjatë trajtimit të tij për pneumoni në një spital të Romës, saqë një ekip mjekësh menduan t’i jepnin fund trajtimit në mënyrë që ai të mund të vdiste në paqe, tha sot kreu i ekipit të tij mjekësor, Sergio Alfieri.
Sipas tij, pas një krize respiratore më 28 shkurt, në të cilën Papa për pak sa nuk u mbyt duke vjellë, ekzistonte një rrezik real që ai të mos mbijetonte.
“Duhej të zgjidhnim nëse do të ndalonim atje dhe ta linim të shkojë ose të vazhdonim me të gjitha medikamentet dhe terapitë e mundshme, me rrezikun më të madh për të dëmtuar organet e tjera të tij”, tha për Corriere della Sera Affieri, një mjek në spitalin Gemelli në Romë.
Alfieri tha se në fund vendosën për këtë të fundit.
“Për ditë të tëra rrezikuam të dëmtonim veshkat dhe palcën e eshtrave të Papës, por gjithsesi vazhduam terapinë. Trupi i tij u përgjigj mirë dhe infeksioni u qetësua”, tha Alfieri, duke shtuar se Massimiliano Strapetti, mjeku personal i Papës, i dërgoi atij një mesazh në momentin e krizës më të madhe që të mos dorëzohej.
Kur e pa të dilte nga dhoma në katin e dhjetë të spitalit të veshur me të bardha, Alfieri tha se ndjehej sikur njeriu para tij ishte bërë sërish papë. Papa Françesku, 88 vjeç, u kthye në Vatikan të dielën pasi ishte në spital me pneumoni që prej 14 shkurtit. Mjekët rekomanduan që ai të pushonte edhe për dy muaj të tjerë për t’u shëruar plotësisht.
Lini një Përgjigje