Është e qartë se pasaportat diplomatike, nuk janë të destinuara për t’u shpërndarë mes miqve apo të afërmve të zyrtarëve. Por normat aktuale ligjore, nuk ofrojnë asnjë mënyrë për të parandaluar abuzime të tilla. Formalisht, shteti ka autoritetin të lëshojë pasaporta diplomatike për pothuajse këdo thotë ish-diplomati Boris Bondarev.
Natën e 26 majit 2023, Rusia lëshoi 17 raketa dhe 31 dronë drejt Ukrainës, duke shkatërruar shumë godina banimi, një spital dhe shkaktuar shumë viktima, përfshirë fëmijë. Po atë natë, një avion privat Dassault Falcon 7X që ishte nisur nga Dubai u ul në aeroportin Vnukovo të Moskës.
Prej tij doli Ksenia Shoigu, vajza e Ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes Sergei Shoigu. Ksenia shoqërohej nga Andrei Bokarev, një oligark me lidhje të forta me industrinë ruse të mbrojtjes. Bokarev dhe avioni i tij transportuan për pushime edhe gruan e kreut të Rostec, Sergey Chemezov. (Rostec është korporata më e madhe shtetërore e mbrojtjes në Rusi, dhe kreu i saj është një ish-agjent i KGB-së dhe një aleat i ngushtë i Vladimir Putinit.)
Sipas të dhënave të siguruara nga “The Insider”, Ksenia Shoigu udhëtoi drejt Dubait me një pasaportë të huaj me numër serie 1001***24. Dy shifrat e para të dokumentit, tregojnë se kemi të bëjmë me një pasaportë ruse diplomatike. Ligji rus përcakton qartë se kush ka të drejtë të mbajë pasaporta të tilla.
Lista përfshin kategori si punonjës të Ministrisë së Jashtme, ministra të qeverisë dhe deputetë. Fëmijët e rritur të zyrtarëve rusë nuk duket se kualifikohen. Por këto pasaporta mund t’u jepen edhe “individëve të tjerë me vendim të presidentit të Federatës Ruse”.
Ksenia Shoigu e mori pasaportën e saj të parë diplomatike në vitin 2017, teksa e dyta iu dha në vitin 2021. Me ato ajo udhëtoi në Kinë, Holandë, Itali, Zvicër, Turqi, Austri, Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe, Finlandë, Katar, Izrael, Azerbajxhan dhe Spanjë. Dhe nuk është e vetmja. Ilya Medvedev djali i ish-presidentit rus dhe nënkryetarit aktual të Këshillit të Sigurimit Dmitry Medvedev, mori pasaporta diplomatike në vitet 2012 dhe 2017. Ai i përdori ato për të vizituar Italinë, Kroacinë, Zvicrën, Izraelin dhe Francën.
Alexander Mishustin, djali i kryeministrit aktual Mikhail Mishustin, e mori pasaportën diplomatike më 27 janar 2020 - vetëm disa ditë pasi babai i tij mori detyrën. Në atë kohë, ai ishte vetëm 19 vjeç. Sipas burimeve të cituara nga gazeta amerikane Washington Post, manjati i aluminit Oleg Deripaska ka bërë shumë vizita në SHBA duke përdorur një pasaportë diplomatike ruse. Insider ishte në gjendje të verifikonte që ai e ka një dokument të tillë, duke konfirmuar se e përdori atë për të udhëtuar në Indi vitin e kaluar. Edhe manjati i metaleve Alisher Usmanov i ka përdorur pasaportat diplomatike - të lëshuara në 2012 dhe 2017 - për të udhëtuar në destinacione si Mynihu dhe Sardenja, ku ai zotëron vila luksoze.
Po ashtu, miliarderi Igor Yusufov - i njohur si “portofoli” i Dmitry Medvedev - pra një individ i besuar që maskon pronësinë e aseteve dhe llogarive që në fakt, kontrollohen nga zyrtarët më të lartë të Rusisë - zotëron një pasaportë diplomatike.
Këtë vit, ai ishte ndër përfituesit kryesorë të dividentëve në Rusi, duke arkëtuar 12.8 miliardë rubla (128.7 milionë dollarë) fitim nga “Yargeo”, një sipërmarrje e përbashkët me “Novatek që zotëron fushën naftëmbajtëse Yarudeyskoye.
Që nga viti 2013, kreu i Rosneft Igor Sechin ka përdorur pasaporta diplomatike për udhëtime në vende si Singapori, Franca, Gjermania, Italia, Egjipti, Irani, Indonezia, Kina, India, Zvicra, Britania, Japonia, Spanja, Portugalia, Kroacia, Finlanda, Norvegjia, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maldivet.
Insider zbuloi gjithashtu se kreu i Hekurudhave Ruse Oleg Belozerov, së bashku me kreun e lartpërmendur të Rostec Sergey Chemezov, janë mbajtës të pasaportave diplomatike. Privilegje diplomatike gëzon edhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, që në fakt është bërë një përfaqësuese e shtetit rus.
Përpara se të pezulloheshin fluturimet direkte për në vendet perëndimore nga Rusia, Patriarku Kirill (Vladimir Gundyaev) udhëtonte shpesh në Gjermani, Austri dhe Finlandë, duke përdorur një pasaportë diplomatike. Nga ana tjetër, pasaporta diplomatike u janë lëshuar edhe gjeneralëve të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) Alexander Bortnikov, Sergey Beseda, Sergey Korolev dhe Alexey Sedov, të cilët i përdornin ato për udhëtime në Francë dhe Zvicër përpara pushtimit të plotë të Ukrainës.
Viktor Zubkov, aleati shumëvjeçar i Putinit nga koha e tij në bashkinë e Shën Petersburgut, i cili shërbeu si kryeministër i përkohshëm gjatë tranzicionit presidencial nga Putin tek Medvedev, gjithashtu gëzon privilegje udhëtimi si “diplomat”. Ai drejton aktualisht bordin e drejtorëve në Gazprom, eksportuesi shtetëror i gazit natyror rus.
Zubkov, ashtu si drejtuesi i Gazprom, Alexey Miller, udhëton me avionë privatë që janë në pronësi të korporatës. Itineraret e tij përfshijnë udhëtimin vitin e kaluar në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, me një Dassault Falcon 7X. Ndërkaq ndihmësi presidencial Andrei Fursenko, e ka përdorur pasaportën e tij diplomatike për të udhëtuar në Teheran, Berlin, Vjenë, Paris dhe Romë.
“Zyrtarisht, pasaporta diplomatike është një dokument zyrtar. Zyrtarët mund ta përdorin atë vetëm për udhëtime pune, dhe janë të detyruar ta dorëzojnë në departamentin e personelit kur kthehen nga jashtë. Natyrisht, ky rregull nuk zbatohet për të gjithë. Udhëtimet e VIP-ave me pasaporta diplomatike në vende si Riviera Franceze janë anashkaluar gjithmonë në heshtje”-thotë një ish-zyrtar i qeverisë ruse, i cili donte të mbetej anonim.
Po ashtu, duhet të theksohet se pasaporta ruse nuk ofron në vetvete liri të plotë të lëvizjes jashtë vendit. Ndërsa hyrja në BE ishte deri vonë e pakufizuar, udhëtimi drejt Britanisë kërkonte dhe kërkon vizë. Dhe të paktën në këtë rast, mbajtësit e pasaportave diplomatike përballen shpesh edhe më shumë me pengesa sesa udhëtarët e zakonshëm.
Vëllai i Andrei Fursenko, Sergey Fursenko, zëvendës president në Gazprombank, mban titullin e Konsullit të Nderit të Bangladeshit në Shën Petersburg. Miliarderët rusë i kanë qejf poste të tilla: ky pozicion mbart pak detyra, por ofron një prestigj të madh. Dikush mund të mbajë titullin për një vend të huaj edhe pa qenë shtetas i tij, duke marrë në thelb një rol të ngjashëm me atë të një “agjenti të huaj”.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, “kuletat” e Putinit, Gennady Timchenko dhe Yuri Kovalchuk (Tajlandë) kanë që të dy statusin e konsullit të nderit. Timerbulat Karimov, dhëndri i kreut të Rosneft, Igor Sechin, mban postin e Konsullit të Nderit të Italisë në qytetin rus Ufa.
Të njëjtin post me Karimov ka edhe Mikhail Kusnirovich, themelues i grupit të shitjes me pakicë të mallrave luksoze “Bosco di Ciliegi”. Kusnirovich ka qenë përfaqësues i autorizuar i Vladimir Putinit në zgjedhjet presidenciale, dhe ka mbështetur kandidatët pro-qeveritarë në garat elektorale në Moskë.
Biznesmeni është përfshirë në disa hetime nga hetuesit kundër korrupsionit: kompanitë e tij siguruan kontrata qeveritare, duke anashkaluar procedurat konkurruese, dhe atij iu dha me qira ndërtesa e Supermarketit GUM pranë Sheshit të Kuq në Moskë pa një proces zyrtar tenderimi.
Që nga ajo kohë Kusnirovich ka marrë nënshtetësinë italiane dhe banon në Zvicër. Gjashtë muaj më parë, pati raportime se manjati i çelikut Vladimir Lisin, dha dorëheqjen si Konsull Nderi i San Marinos. Megjithatë, emri i tij shfaqet ende në listën e fundit të individëve të akredituar nga Ministria e Jashtme ruse (të datës 3 tetor 2024).
Është e qartë se pasaportat diplomatike, nuk janë të destinuara për t’u shpërndarë mes miqve apo të afërmve të zyrtarëve. Por normat aktuale ligjore, nuk ofrojnë asnjë mënyrë për të parandaluar abuzime të tilla. Formalisht, shteti ka autoritetin të lëshojë pasaporta diplomatike për pothuajse këdo thotë ish-diplomati Boris Bondarev.
Megjithatë, pasaportat diplomatike nuk ofrojnë më aq privilegje sa dikur: është e pezulluar hyrja pa viza në zonën Shengen për mbajtësit e tyre (një nga arsyet kryesore pse këto pasaporta u vlerësuan nga elitat ruse), duke e lënë të kufizuar qasjen pa viza vetëm në vende të caktuara si Shqipëria, Islanda, Kina dhe disa vende afrikane./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Insider”
Lini një Përgjigje