Presidenti amerikan Donald Trump ka prezantuar së fundmi një faqe qeveritare me emrin TrumpRx.gov, të cilën e reklamoi si zgjidhje për uljen e çmimeve të barnave për qytetarët amerikanë. Por ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se shumë pacientë mund të përfundojnë duke paguar më shtrenjtë.
TrumpRx nuk shet drejtpërdrejt ilaçe.
Platforma thjesht orienton qytetarët drejt farmacive apo faqeve të prodhuesve farmaceutikë, ku mund të blejnë barna me pagesë direkte, pa përdorur sigurimin shëndetësor, raporton New York Times.
Nisma u prezantua si “revolucion” për aksesin në ilaçe, por në realitet përfshin vetëm 43 produkte, mes tyre insulinë, inhalatorë, ilaçe për dobësim si Wegovy dhe Zepbound, si edhe kopje të Humira-s për artritin.
Çmimet variojnë nga 6 dollarë për Cytomel, deri në mbi 5,500 dollarë për Ngenla, një terapi hormonale për fëmijët.
Sipas studiuesve të çmimeve farmaceutike, shumica e këtyre barnave janë tashmë të mbuluara nga sigurimi shëndetësor ose ekzistojnë versione gjenerike shumë më të lira.
Rreth 85% e amerikanëve kanë mbulim farmaceutik, sipas CDC. Për këta qytetarë, përdorimi i TrumpRx mund të nënkuptojë qindra dollarë humbje në vit.
“Ka pacientë që do ta shohin këtë si ofertë të mirë dhe do të dalin financiarisht më keq,” paralajmëron Rachel Sachs, profesore e së drejtës dhe ish-këshilltare e administratës Biden.
Ironikisht, vetë faqja TrumpRx u sugjeron përdoruesve: ‘Nëse keni sigurim, kontrolloni fillimisht bashkëpagesën mund të jetë më e ulët.’
Platforma ofron edhe kuponë për përdorim në farmaci fizike, të dekoruar me një shqiponjë që mban një banderolë TrumpRx, ndërsa kodi i grupit quhet “MAHA”, një referencë për sloganin politik “Make America Healthy Again”.
Por mbetet e paqartë se sa farmaci reale marrin pjesë në këtë skemë.
“TrumpRx është një shfaqje anësore. Nuk është një përpjekje serioze për uljen reale të çmimeve,” thotë ekonomisti i shëndetit Sean Sullivan nga Universiteti i Uashingtonit.
Kush përfiton realisht?
Programi duket se ndihmon kryesisht ata që paguajnë vetë për ilaçe për obezitet ose fertilitet kategori që shpesh nuk mbulohen nga sigurimet.
Në ceremoninë e prezantimit, administrata solli në skenë një grua të quajtur Catherine, e cila bleu ilaçin Gonal-F për fertilitet përmes TrumpRx. Ajo deklaroi se iniciativa “mund të bëjë diferencën mes vazhdimit të trajtimit apo dorëzimit”.
Por për pacientët pa sigurim dhe me të ardhura të ulëta, barnat që kushtojnë mbi 1,500 dollarë në muaj mbeten praktikisht të paarritshme.Demokratët në Kongres kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën e çmimeve dhe kanë kërkuar mbikëqyrje të plotë të platformës.
Gjithashtu, është vënë në dukje se kompania teknologjike BlinkRx, në bordin e së cilës është Donald Trump Jr., ka lançuar shërbime për ndihmë ndaj prodhuesve që shesin direkt te pacientët vetëm pak javë pasi Trump urdhëroi kompanitë farmaceutike të krijonin këto kanale.
Shtëpia e Bardhë dhe BlinkRx mohojnë çdo përfshirje direkte në TrumpRx, por skepticizmi mbetet.
Për herë të parë në historinë amerikane, qeveria federale po luan një rol të drejtpërdrejtë në orientimin e qytetarëve drejt blerjes së barnave.
Një lëvizje që kritikët e shohin më shumë si manovër elektorale, sesa reformë reale shëndetësore në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, ku kostoja e jetesës është kthyer në armën kryesore politike.
Lini një Përgjigje