TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Tetor 2024, 22:48

Çfarë ndodh pas vdekjes së një udhëheqësi autoritar?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë ndodh pas vdekjes së një udhëheqësi
Foto nga filmi "Vdekja e Stalinit"

Fëmijët e Trump mund të përfitojnë politikisht për dekadat e ardhshme nga marka e familjes, siç kanë bërë fëmijët e tjerë të sundimtarëve personalistë, që më vonë vendosën vetë sundimin personalist.

Në fillim të filmit të vitit 2017 “Vdekja e Stalinit”, diktatori sovjetik gjendet pa ndjenja në dyshemenë e dhomës së tij të gjumit pasi kishte pësuar një goditje në tru. Vartësit e tij Hrushovi dhe Malenkovi, si dhe kreu i policisë sekrete Beria, duken të tmerruar edhe në momentin që tirani po jep shpirt.

Ata debatojnë për disa minuta mbi nevojën e njoftimit të ndonjë mjeku. Malenkov ngurron: “Si ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, unë mendoj se për këtë duhet të vendosë Komiteti Qëndror”. Ndërkohë Hrushovi kundërshton:”Por Sekretari ynë i Përgjithshëm po dergjet në mënyrë të padenjë mbi urinën e tij! Mendoj se edhe në gjendjen që është ai po thotë:Më sillni urgjent një mjek!”.

Por Malenkovi nuk tërhiqet nga e tija:”Epo, unë mendoj se duhet të presim derisa të kemi një kuorum”.  “Kuorum?!” pyet Hrushovi. “Po jo të gjithë janë në dijeni të situatës”. Kështu, asnjë mjek kompetent nuk u njoftua në kohë, dhe Stalini vdiq në moshën 74-vjeçare.

Një version real, edhe pse më pak qesharak, i kësaj skene mund të shfaqet në vitet e ardhshme në disa nga vendet më të populluara të botës. Një nga problemet e kohës sonë, është ngritja e “regjimit personalist”, të udhëhequr nga një individ, vullneti i të cilit ka më shumë rëndësi se çdo lloj ideologjie.

Tani, këta lloj udhëheqësish po plaken. Vladimir Putin , Xi Jinping , Narendra Modi dhe Recep Tayyip Erdoğan kanë lindur midis viteve 1950-1954. Kjo do të thotë se po i afrohen moshës kur vdiq Stalini. Presidenti i ardhshëm i Indonezisë, Praboëo Subianto, i lindur në vitin 1951, është një lider me një pushtet të personalizuar.

Donald Trump, presidenti i ardhshëm potencial i SHBA-së, me një stil udhëheqjeje personaliste (“Vetëm unë mund t’i zgjidh problemet!”) është akoma më i moshuar. Ndërsa këta udhëheqës po i  afrohen vdekjes, po rriten gjithnjë e më shumë gjasat e kaosit, paparashikueshmërisë, por edhe shpresës për diçka më të mirë.

Që nga koha e vdekjes së Stalinit në vitin 1953 dhe deri në vitin 1990, regjimet personaliste ishin të rralla. Në shtetet komuniste post-staliniste, kishte rrallëherë rëndësi se kush ishte udhëheqësi. Sundonin Byrotë e mërzitshme Politike. Kur vdiste Sekretari i Përgjithshëm, radha i vinte aparatiçikut të radhës.

Por pas shembjes së komunizmit, u pakësuan regjimet e bazuara tek udhëheqja kolegjiale. Partia Komuniste e Kubës dhe regjimi i Mullahëve në Iranit janë dy rastet e rralla të mbijetesës. Sot janë më të zakonshme regjimet “sultaniste”, të udhëhequra nga presidentë të plotfuqishëm dhe me mandat të përjetshëm.

Këtu përfshihet Putinizmi në Rusi, por në një farë mase edhe Kina, që deri pak kohë më parë sundohej nga Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste, por ku Xi mban tani peshën kryesore.

Por çfarë ndodh kur “sulltani” i afrohet vdekjes?

Së pari, ngushtohet horizonti i tij kohor. Një udhëheqës i moshuar, duhet të veprojë me shpejtësi për të siguruar trashëgiminë e tij. Ndoshta nuk është rastësi që Putin e pushtoi Ukrainën, pasi thuhet se filloi që të shkonte shpesh tek mjekët onkologë. Biografi i fundit i Xi Jinping, Michael Sheridan, mendon se presidenti i Kinës i ka dhënë vetes një afat 5-vjeçar për të rivendosur kontrollin e Kinës mbi Tajvanin.

Gjërat marrin një kurs edhe më të rrezikshëm, kur gjykimi i njeriut që merr i vetëm vendimet kryesore, nis të degradojë me kalimin e moshës, siç po ndodh me rënien e dukshme të aftësive njohëse të Donald Trump. Disa udhëheqës që nuk mund të gjenin më një punë edhe si llogaritarë të thjeshtë, kanë megjithatë qasje tek butonat që lëshojnë armë bërthamore.

Fiksimet e tyre politike, janë krijuar zakonisht shekuj më parë. Kështu Putin po përpiqet të rindërtojë Bashkimin Sovjetik, ndërsa makthi që dikton kursin e Xi-së ishte Revolucioni Kulturor kaotik i viteve 1960. Këta dy burra, janë më pak të ndikuar nga aspekte të tjera, si ndryshimet klimatike apo zhvillimet e Inteligjencës Artificiale.

Ajo që e shton paparashikueshmërinë, është fakti që ata nuk kanë një trashëgimtar të dukshëm që të vijë pas tyre. Vetëm në shtetet e reja dhe të dobëta si Koreja e Veriut apo Turkmenistani, një sundimtar personalist mund të krijojë një monarki familjare de facto të trashëguar.

Në Rusi apo Turqi, pretendentë të ndryshëm po pretendojnë të marrin stafetën. Në diktaturat personaliste, shkruan Sarah Hummel e Universitetit të Harvardit në SHBA “përpjekjet për grusht shteti dhe largimet kaotike nga pushteti, janë më të mundshme ndërsa liderët plaken dhe vdekja e tyre bëhet e pashmangshme”.

Disa nga këto regjime mund të shemben kur vdes udhëheqësi, siç ndodhi me regjimin e gjeneralit spanjoll Fransicko Franko pas vdekjes së tij në vitin 1975. Duke analizuar “një mostër globale të diktaturave gjatë viteve 1946-2008”, Anne Meng e Universitetit të Virxhinias, SHBA, zbuloi se “shumica e partive në pushtet, e kanë të pamundur t’i mbijetojnë vdekjes ose largimit të udhëheqësit themelues”.

Edhe kur liderët supozohej se drejtonin “regjime një partiake”, partitë kanë qenë shpesh thjesht mjete në funksion të një personi, atij që udhëheq. Regjimet që kanë shanset më të mira për të mbijetuar, mbështeten tek organizata të mëdha politike, thotë Ora John Reuter nga Universiteti i Uiskonsinit, SHBA.

Partia BJP e Naredra Modit, AKP-ja e Erdogan apo Partia Komuniste e Xi Jinping e përmbushin këtë kriter. Por Putin dhe Trump nuk kanë nga pas parti me një organizim të gjerë, gjë që do të thotë se regjimi i Putinit dhe lëvizja e Trump mund të zhduken së bashku me udhëheqësit e tyre.

Megjithatë duhet pasur parasysh një gjë: Fëmijët e Trump mund të përfitojnë politikisht për dekadat e ardhshme nga marka e familjes, siç kanë bërë fëmijët e tjerë të sundimtarëve personalistë, që më vonë vendosën vetë sundimin personalist.

I tillë është rasti i presidenti filipinas Bongbong Marcos, apo atij rë Bangladeshit Sheikh Hasina, i rrëzuar së fundmi nga pushteti. Ndonjëherë, kur bie një regjim personalist, bie edhe shteti, siç ndodhi në Venezuelë pas vdekjes së Hugo Chavez. Por ka arsye të kihet shpresë. Ashtu si me Stalinin, ajo që vjen më pas është shpesh të paktën disi më pak e tmerrshme./Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”

Lini një Përgjigje