TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Qershor 2024, 10:46

Çfarë na tregon për sistemin amerikan të drejtësisë gjyqi ndaj Hunter Biden, djalit të presidentit aktual

Shkruar nga Eduard Luce
Çfarë na tregon për sistemin amerikan të
Hunter Biden dhe gruaja e tij, Melissa /

Djali i madh i presidentit Joe Biden, dyshohet se ka gënjyer në një formular federal në vitin 2018, për të blerë një armë zjarri në mënyrë të paligjshme...

Është shaka e vogël e Universit, fakti që gjyqi i parë në SHBA i fëmijës së një presidenti në detyrë, nisi 4 ditë pas dënimit të parë të një ish-presidenti amerikan. Hunter Biden nuk po persekutohet. Dhe as nuk është viktimë e një sistemi gjyqësori të manipuluar.

Nëse dënohet Biden Jr, nuk do të ketë shumë zhurmë për përdorimin e të gjykatave të Amerikës si një armë në luftën politike. Nëse nga ana tjetër, ai shpallet i pafajshëm, do të shpërthejnë të gjithë tezat e ndryshme të teoricienëve të konspiracionit. Është e lehtë të harrohet fakti se shteti ligjor në SHBA është ende i paprekur.

Të dy, Donald Trump dhe Hunter Biden, po gjykohen nga juria me të drejtën e apelimit të vendimit. Asnjë sistem drejtësie nuk aq i përsosur sa nuk mund të kritikohet fare. Por në Amerikë, të pandehurit mbeten të pafajshëm derisa të provohet fajësia e tyre.

Kjo është shenjë e një kulture politike të degraduar, kur një nga dy partitë kryesore të saj e trajton shtetin e së drejtës si një çështje partiake. Donald Trump u dënua njëzëri javën e kaluar për të 34 akuzat e falsifikimit të të dhënave të biznesit me qellim fshehjen e pagesës për pornostaren Stormy Daniels.

Pas vendimit Trump e quajti “një djall” gjyqtarin që kryesonte seancën, teksa deklaroi se ai ishte viktimë e një gjyqi farsë. Partia Republikane i bëri jehonë kësaj qasje. Përjashtimi i vetëm ishte Larry Hogan - kandidati republikan për Senatin në Maryland - që u vendos nën shënjestër për daljen nga rreshti.

Faji i Hoganit ishte përse u kërkonte amerikanëve të “respektonin vendimin dhe procesin ligjor”. Në kundërpërgjigje të kësaj, nusja e njërit prej djemve të Trump , Lara Trump, e cila kryeson Komitetin Kombëtar Republikan tha: ”Tashmë Hogan nuk meriton respektin e askujt në Partinë Republikane, dhe të askujt tjetër në Amerikë!”.

Me pak fjalë, republikanët që refuzojnë pretendimin e një gjyqësori të manipuluar, janë subjekt i harresës dhe denigrimit. Nuk e kam idenë nëse Hunter Biden do të dënohet apo jo për akuzat që rëndojnë mbi të. Djali i madh i presidentit Joe Biden, dyshohet se ka gënjyer në një formular federal në vitin 2018, për të blerë një armë zjarri në mënyrë të paligjshme.

Arma e tij iu dorëzua policisë 11 ditë më vonë pasi e dashura e atëhershme e Biden Jr - e veja e vëllait të tij të ndjerë, Beau Biden - e kishte hedhur atë në një kosh plehrash. Hallie Biden ishte e shqetësuar se zakoni i keq i Biden Jr për të pirë vazhdimisht droga të forta, nuk do të shkonte mirë me zotërimin e një revolveri.

Prokuroria duhet të provojë se Biden Jr gënjeu me vetëdije, kur tha se nuk përdorte drogë kur e bleu armën. E tija është historia e dhimbshme e një pasardhësi politik, i cili sipas vetë fjalëve të tij kishte “prekur fundin”. Fakti që Biden Jr fitoi para duke përdorur emrin e babait të tij, është një reflektim se si funksionon Uashingtoni.

Ai i fitoi shumë nga paratë e tij kur babai i tij ishte zv/president, duke u anëtarësuar në bordin e

një kompanie energjetike ukrainase. Pa kualifikime të veçanta për atë rol, u punësua qartazi vetëm për shkak të mbiemrit të tij. Paraja do të përpiqet gjithmonë që të blejë ndikim.

Nuk ka asnjë mekanizëm të sigurt kundër një abuzimi të tillë, përveç integritetit personal. Në të njëjtën mënyrë, Jared Kushner nuk do të kishte marrë 2 miliardë dollarë investime saudite për kompaninë e tij private në vitin 2021, nëse ai nuk do të ishte dhëndri i ish-presidentit. Amerikanët mund të bien dakord mbi faktin se elitës drejtuese në Uashington i mungon etika. Por mosmiratimi i kësaj qasje, është diçka rrënjësisht e ndryshme nga të besuarit e marrëzive

të çuditshme rreth gjyqeve farsë, si ato që janë mbajtur historikisht në Moskë.

Rastet e Donald Trump dhe Hunter Biden janë histori e dy palëve të ndryshme. Joe Biden mund ta kishte kursyer kalvarin gjyqësor për djalin e tij duke e falur atë. Një mjet që Trump e përdori për bashkëpunëtorët politikë që u burgosën. Po ashtu, Biden mund ta falte në mënyrë paraprake djalin e tij përpara gjyqit të tij të veçantë për mashtrimin e organeve tatimore në Kaliforni.

Gjyqi i dytë ndaj Biden Jr nis në fillim të shtatorit, pikërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Nëse babai i tij është duke e manipuluar sistemin e drejtësisë, Trump po përdor një mënyrë qesharake për ta denoncuar atë. Steve Bannon, një nga ish-strategët e Trump (gjithashtu një njeri i dënuar nga gjykata), e pranoi dikur se armiku i vërtetë i lëvizjes Trump ishte media.

“Mënyra për t'u marrë me to, është ta mbushim atë me budallallëqe”- tha ai. Sa më shumë marrëzi të dalin në media, aq më lehtë një publik cinik, do t’i mallkojë që njëlloj të dyja palët. Në mesin e deklaratave të pafundme viktimizuese të Donald Trump, është e lehtë të harrohet se ai pothuajse me siguri e ka shmangur gjyqin mbi përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Gjatë këtij muaji, Gjykata e Lartë e SHBA-së do të vendosë mbi pretendimin e Trump për pasjen e imunitetit për çdo gjë që ai bëri gjatë kohës që ishte president. Duke qenë një vendim shumë i rëndësishëm që vendos mbi shumëçka, gjykata e dominuar nga konservatorët do të bëjë që Trump t’i shpëtojë përgjegjësisë penale.

Hunter Biden mund të meritojë ose jo burgun për shkeljet që ka bërë. Trump u shpall fajtor në dosjen mbi pagesën e paligjshme për t’i mbyllur gojën Stormy Daniels. Por këto janë thjesht zhvillime dytësore. Një nga presidentët e mundshëm të Amerikës e respekton sundimin e ligjit. Tjetri jo. Çdo gjë tjetër nuk ia vlen të krahasohet./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”

hunter biden djali i presidentit gjyqi sistemi amerikan i drejtësisë

Lini një Përgjigje