TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Janar 2024, 21:08

Çfarë kërkon ekonomia dhe siguria globale?!

Shkruar nga Carla Norrlöf

Çfarë kërkon ekonomia dhe siguria globale?!

Në përpjekje për të zbutur rreziqet e sigurisë përmes procesit të de-globalizimit, ne rrezikojmë që t’i shtojmë kërcënimet ekonomike dhe ato të sigurisë, që na kanosen tashmë nga një botë më e fragmentuar...

Rendi global aktual, po pëson ndryshime domethënëse, të cilat kërkojnë një agjendë të re ekonomike dhe të sigurisë. Nga luftërat e nxehta dhe kryengritjet e lokalizuara, deri tek përplasjet midis fuqive të mëdha, konflikti gjeopolitik e ka shndërruar në një shqetësim të përditshëm për njerëzit e zakonshëm kudo që ndodhen, marrëdhënien komplekse midis ekonomisë dhe sigurisë.

Sfidat ndërlikohen edhe më shumë nga fakti se tregjet në zhvillim, po fitojnë një ndikim të ndjeshëm ekonomik, dhe po sfidojnë direkt dominimin afatgjatë të fuqive tradicionale përmes rrjeteve të reja dhe aleancave strategjike.

Vetëm këto zhvillime, do ta kishin bërë këtë një periudhë të trazuar e të karakterizuar nga paqëndrueshmëria ekonomike, inflacioni dhe ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit. Por duhet të marrim parasysh edhe përparimet e shpejta teknologjike - të cilat nga ana e tyre kanë sjellë rreziqe të reja në fushën e sigurisë (si garën për armatime dhe kërcënimet kibernetike) - por edhe rreziqet natyrore si pandemitë dhe ndryshimet klimatike.

Për të ecur përpara në këtë botë të re të rrezikshme, duhet të marrim parasysh 3 dimensione të ndërlidhura midis tyre: efektet e gjeopolitikës mbi ekonominë globale; ndikimin e marrëdhënieve ekonomike globale mbi sigurinë kombëtare; dhe marrëdhëniet ndërmjet konkurrencës ekonomike globale dhe zhvillimit në përgjithësi.

Çdo shteg, hedh dritë mbi ndërveprimin e shumanshëm midis ekonomisë dhe sigurisë. Ne duhet që t’i kuptojmë që të gjitha, nëse duam vërtet të adresojmë sfidat e ndryshme dhe komplekse të paraqitura nga sistemi ynë global shumë i ndërlidhur.

Vitet e fundit, kanë treguar se gjeopolitika mund të ndikojë tej mase mbi ekonominë globale, duke ndryshuar ndonjëherë pothuajse brenda natës tregtinë, flukset e investimeve dhe politikat.

Përveç numrit të lartë të viktimave, luftërat si pushtimi rus i Ukrainës apo edhe fushata ushtarake e Izraelit në Gaza, kanë një ndikim shumë më të madh përtej atij që sjell çdo konflikt në vetvete. Për shembull, sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë dhe ndërprerja e eksporteve të grurit ukrainas përmes Detit të Zi, shkaktoi rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, duke sjellë pasiguri të furnizimit dhe një inflacion të lartë në shkallë globale.

Për më tepër, pas largimit në masë të kompanive perëndimore nga Rusia në vitet 2022-2023, Pekini i ka thelluar marrëdhëniet e saj ekonomike me Moskën. Po ashtu, bombardimi i Gazës nga Izraeli e ka destabilizuar të gjithë Lindjen e Mesme, sidomos vendet fqinje të varura nga turizmi si Egjipti, Jordania dhe Libani.

Ndërkohë, rebelët jemenas Huthi, të furnizuar me armë dhe trajnuar prej kohësh nga Irani, kanë sulmuar kohët e fundit anijet tregtare në Detin e Kuq, duke i detyruar kompanitë ndërkombëtare të transportit të pezullojnë apo ndryshojnë trajektoren e rrugëve detare, dhe duke penguar drejtpërdrejt tregtinë që ndodh përmes Kanalit të Suezit, një arterie kryesore e tregtisë globale.

Po ashtu, ne jemi dëshmitarë të efekteve destabilizuese edhe të kërcënimeve natyrore. Pandemia e Covid-19 shkaktoi një zhvendosje të jashtëzakonshme të zinxhirëve të furnizimit, nga gjithçka “në kohën e duhur”, që kishte një kosto të pranueshme, në modelin “vetëm në rast se”, që synonte forcimin e elasticitetit gjatë krizave dhe ndërprerjeve që e pasojnë. Gjithashtu, kohët e fundit, një thatësirë ​​e shkaktuar nga fenomeni klimatik El Niño, e ka zvogëluar kapacitetin e Kanalit të Panamasë, një tjetër arterie kryesore e tregtisë globale. Qoftë për arsye gjeopolitike apo ekologjike, ndryshimi i rrugës rreth këtyre pengesave të reja, rrit pashmangshmërisht kostot e transportit, shkakton vonesa në dorëzimin e mallit, i prish zinxhirët globalë të furnizimit dhe krijon presione të reja inflacioniste.

Duke u rikthyer tek dimensioni i dytë - pasoja e marrëdhënieve ekonomike globale mbi sigurinë kombëtare - është e qartë se vendet do të kenë më shumë të ngjarë të zbatojnë politika të guximshme apo agresive të sigurisë, nëse ato tashmë kanë një rrjet lidhjesh ekonomike që mund të tërheqin mbështetje apo reduktojnë kundërshtitë.

Për shembull Kina, po mbështet tek vendet që janë të varura ekonomikisht prej saj, të cilat janë të përfshira në nismës së saj “Një Brez, Një Rrugë”, duke i detyruar të pranojnë ndikimin e saj politik dhe synimin e saj afatgjatë për hegjemoni në nivel global.

Tani shumë vende po mbështeten tek Kina edhe për elementët më jetikë të zinxhirit të furnizimit që lidhen me mbrojtjen, gjë që i lë ato të pambrojtura, si diplomatikisht ashtu edhe ushtarakisht. Më në tërësi, lidhja globale, në formën e rrjeteve ekonomike dhe infrastrukturës, po përdoret gjithnjë e më shumë për qëllime gjeopolitike.

Siç tregon lufta e Rusisë kundër Ukrainës, lidhjet ekonomike mund të krijojnë varësi, dhe kjo fundit i rrit kostot e politikave kundërshtuese të sigurisë (apo edhe agresionit të drejtpërdrejtë). Kërcënimi i nënkuptuar i ndërprerjeve të furnizimit, ka një efekt shtrëngues - ndonjëherë mjaft delikat dhe tinëzar në objektivat e sigurisë kombëtare të një vendi.

Për shkak të efekteve të rrjetit të sistemit të dollarit, Shtetet e Bashkuara ruajnë një mekanizëm ndikimi me peshë, për të garantuar rendin ndërkombëtar aktual përmes sanksioneve shtrënguese kundër shteteve që i shkelin normat ndërkombëtare.

Tregtia me një vend armik mund të jetë fitimprurëse, apo edhe thjesht praktike. Por ajo e ndryshon edhe mënyrën e shpërndarjes së pushtetit. Siç e mësuan gjatë 2 dekadave të fundit qeveritë perëndimore, avantazhet që ofron epërsia teknologjike mund të kompensohen fare mirë nga transferimet e detyruara të teknologjisë, vjedhjet e pronës intelektuale dhe konkurrenca e pandershme.

Dimensioni i tretë - marrëdhënia midis konkurrencës ekonomike globale dhe zhvillimit - është e ndërlikuar nga 2 dinamikat e para, sepse synimi për arritjen e mirëqenies materiale, duhet të drejtpeshohet përkundrejt konsideratave të sigurisë.

Kështu, diskutimet në këtë fushë përqendrohen rreth konceptit të sigurisë ekonomike, që nënkupton të ardhura të qëndrueshme dhe një furnizim të besueshëm me burime të nevojshme për të mbështetur një standard jetese të caktuar.

Si slogani “Make America Great Again” (Ta bëjmë Amerikën sërish Madhështore) i Donald Trump, por edhe motoja e presidentit Joe Biden “Build better!” (Ndërto më mirë), reflektojnë shqetësimet se marrëdhëniet ekonomike me Kinën po e dëmtojnë zhvillimin e SHBA-së.

Sfida për SHBA-në dhe aleatët e saj, është të menaxhojnë tensionet midis këtyre objektivave të ndryshëm ekonomikë dhe të sigurisë. Sepse ekziston një konflikt i mundshëm midis përshtatjes ndaj ndryshimeve të fuqisë ekonomike të drejtuara nga tregu dhe gjeopolitika, dhe mbajtjes së fuqisë ekonomike për të financuar një forcë ushtarake të aftë të mbrojë ekonominë globale.

Dhe si fuqia dominuese e botës, Amerika duhet të mbetet e gatshme dhe e aftë për të mbajtur ekonominë globale të hapur, të bazuar në rregulla dhe tek një rend ndërkombëtar paqësor. Kjo do të kërkojë investime shtesë tek aftësitë dhe aleancat ushtarake, për të kundërshtuar agresionin territorial dhe për të mbrojtur rrugët detare, si dhe politika dhe rregulla mjedisore më të forta për t’i shpërndarë përfitimet e ekonomike globale sipas parimeve të tregut.

Në përpjekje për të zbutur rreziqet e sigurisë përmes procesit të de-globalizimit, ne rrezikojmë që t’i shtojmë kërcënimet ekonomike dhe ato të sigurisë, që na kanosen tashmë nga një botë më e fragmentuar. Edhe pse lidhjet ekonomike me rivalët, mund të krijojnë varësi të rrezikshme, ato mund të veprojnë në të njëjtën kohë edhe si një mbrojtje kundër armiqësisë së vendit tjetër.

Që të gjitha qeveritë, duhet të jenë gati të përballen me këto tensione, teksa po zhvillojnë një axhendë të re të sigurisë ekonomike. Bota po sheh në horizont përplasje të reja që janë plot me rreziqe. Për të maksimizuar sigurinë dhe prosperitetin, do kemi nevojë të kuptojmë më mirë ndërveprimin kompleks të forcave që po e krijojnë atë. / Përshtatur nga "Project Syndicate"

Shënim: Carla Norrlöf, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Torontos, Kanada.

Lini një Përgjigje