Dy vendet e përfshira në luftë në portat e Evropës, zënë gati 30 për qind të eksporteve botërore, dhe konkretisht Rusia 18 për qind ndërsa Ukraina 11 për qind. Por në BE, ata që po paguajnë koston më të lartë për luftën e Putinit janë vendet fqinje...
Një luftë globale e zhvilluar në fronte të ndryshme: nga Shtetet e Bashkuara në Kinë, nga Rusia në Ukrainë, dhe nga Afrika në Amerikën e Jugut. Prej ditësh, mijëra traktorë kanë pushtuar sheshet dhe rrugët e gjysmës së Evropës, në shenjë proteste kundër politikave bujqësore të BE-së.
Arsyet e protestave në Francë, Gjermani, Poloni, Rumani, Belgjikë dhe Itali janë të ndryshme. Ato variojnë nga reduktimi i subvencioneve deri tek taksimi në këtë sektor, nga rregulloret e reja mjedisore dhe ato mbi pesticidet, deri te fitimet e mëdha të shpërndarjes në shkallë të gjerë që po rrënojnë financiarisht fermerët e vegjël.
Por lëvizja e madhe e protestës ditët e fundit, që ka tronditur kancelaritë e kontinentit të vjetër dhe që e ka detyruar presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të bëjë disa lëshime për ata që dolën në rrugë, është vetëm simptoma e një dukurie ndoshta më pak të dukshme, por jo më pak të rëndësishme: Beteja e madhe për produktet bujqësore në shkallë globale.
Dhe një element e dominon axhendën e sektorit, drithërat dhe sidomos gruri. Me një volum tregtar që në vitin 2020 e kaloi shifrën 51 miliardë dollarë, gruri është një nga produktet më të tregtuara në nivel global, vetëm pas sojës në renditjen e produkteve bujqësore më të tregtuara për sa i përket vlerës.
Sipas statistikave të FAO-s, mbi 100 vende në botë prodhojnë drithëra. Por nga këto vetëm 24 janë në gjendje të prodhojnë sasi që tejkalojnë vlerën 1 miliardë dollarë. Siç dihet, ky treg u trondit së fundmi nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Bllokada e Detit të Zi, një rrugë preferenciale për daljen e produkteve ushqimore (rreth 70 për qind e grurit të Kievit kalon atje), dhe sulmet specifike nga ushtria e Moskës ndaj magazinave të dridhit, e kanë prishur ekuilibrin e tregtisë botërore.
Kjo ka shkaktuar rritjen e ndjeshme të çmimeve muajt e fundit, duke alarmuar sidomos vendet e Afrikës së Veriut, “klientë” historikë të grurit nga rajoni i ish-BRSS, siç është Tunizia, që para konfliktit merrte nga Ukraina rreth gjysmën e grurit për të cilin ka nevojë.
Dy vendet e përfshira në luftë në portat e Evropës, zënë gati 30 për qind të eksporteve botërore, dhe konkretisht Rusia 18 për qind ndërsa Ukraina 11 për qind. Por në BE, ata që po paguajnë koston më të lartë për luftën e Putinit janë vendet fqinje.
Para luftës, në vitin 2021, Bashkimi Evropian eksportoi produkte agro-ushqimore me vlerë 3 miliardë euro në Ukrainë, duke importuar 7 miliardë. Një vit më pas, në 2022, eksportet ishin pak a shumë ende 3 miliardë, ndërsa importet u rritën në 13 miliardë euro, me një diferencë prej rreth 6 miliardë, nga të cilat 5 vinin prej importeve direkte në 5 vendet në kufijtë lindorë: Polonia, Hungaria, Bullgaria, Sllovakia dhe Rumania.
Prej muajsh ka një përplasje midis këtyre shteteve dhe Brukselit për shkak të importeve
të grurit me kosto të ulët që po vërshon në tregjet e tyre, duke ulur çmimet dhe duke i ekspozuar prodhuesit vendas ndaj konkurrencës shtesë të nxitur nga Komisioni Evropian.
Në janar, Ministrat e Bujqësisë i kërkuan zonjës Von der Leyen që të “mbrojë fermerët evropianë nga deformimet e tregut të shkaktuara nga produktet bujqësore ukrainase”, duke sugjeruar “futjen e tarifave të veçanta për produktet bujqësore më të ndjeshme”.
Vendet evropiane në kufirin lindor, kërkojnë mbrojtjen e produkteve të tyre nga konkurrenca e pandershme dhe “produktet shpesh me cilësi të dyshimtë” që vijnë nga Ukraina. Që nga pezullimi i detyrimeve për eksportet e Ukrainës në BE vitin e kaluar, fermerët në këto vende kanë “pësuar humbje të mëdha”. Për këtë arsye Brukseli ka dhënë garanci për përjashtimet ndaj anëtarëve në kufijtë e jashtëm të unionit.
Sipas një studimi të publikuar nga Elsevier dhe të shkruar nga studiuesit amerikanë Stephen Devadoss William Ridley, lufta ka shkaktuar një rritje mesatare prej 2 për qind të çmimeve të grurit në të gjitha vendet, përveç Ukrainës ku çmimet ranë me rreth 27 për qind.
Që në fillim të konfliktit u kuptua se sektori agro-ushqimor, ishte një nga aspektet e shumta të luftës ekonomike të shpallur nga Moska ndaj BE-së, dhe ku u përdorën shumë armë jo “konvencionale”, si furnizimet me gaz, plehra kimike, vaj e kështu me radhë. Sipas statistikave të Departamentit Amerikan të Bujqësisë, gjatë viteve 2021-2022 Ukraina ishte prodhuesi i shtatë më i madh në botë i grurit me 33 milionë tonë.
Vetëm Australia, Shtetet e Bashkuara, Rusia, India dhe Kina prodhuan më shumë. BE renditet e para nëse prodhimi i shteteve anëtare llogaritet së bashku. Por këtu po flasim për prodhim, dhe jo për eksport, pasi një pjesë e madhe e grurit evropian është i destinuar për tregjet e brendshme.
Përveç grurit, Ukraina është gjithashtu eksportuesja e katërt më e madhe në botë e misrit, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Argjentinës. Sipas një studimi të Fondacionit mbi Ekonominë Bujqësore në Universitetin e Kalifornisë, në sezonin 2023-2024, eksportet ruse të grurit pritet të jenë shumë të larta (52 milionë tonë), pra 70 për qind më të larta se ato ukrainase (30 milionë ton).
Por aspekti ndoshta më i rëndësishëm i të kuptuarit të ndikimit të luftës mbi këtë sektor, është të analizohet se si kanë ndryshuar flukset e tregtisë globale. Para luftës, 18.5 për qind e eksporteve ruse të grurit shkonte në Turqi, një shifër e ngjashme me Egjiptin, 5.3 për qind në Bangladesh, 3.1 për qind në Sudan, 3 për qind në Nigeri dhe Azerbajxhan, dhe pjesa e mbetur në pjesën tjetër të botës.
Pas fillimit të konfliktit, në periudhën 2022-2023, 39 për qind e eksporteve të Moskës ishin të destinuara për Turqinë, 13 për qind për Egjiptin, 7.7 për qind për Iranin dhe Kazakistanin, 5.6 për qind për Arabinë Saudite, 4.7 për qind për Azerbajxhanin, 4 për qind për Pakistanin.
Por fenomeni më i habitshëm ka të bëjë me riorganizimin e eksporteve ukrainase të grurit. Para se të pushtohej, Kievi e shiste 13 për qind të drithit në Kinë, 12.4 për qind në Egjipt, 7.5 për qind në Spanjë dhe Holandë, 6 për qind në Indonezi etj. Pas një viti e gjysmë luftë, pjesa më e madhe e eksportit ukrainas vjen në Evropë.
Konkretisht mbi 15 për qind në Turqi, e ndjekur nga Spanja me 13.1 për qind, pastaj vijnë Turqia dhe Kina me nga 10.8 për qind. Në krye të listën janë vendet e tjera të BE: Polonia me 7.2 për qind, Hungaria me 5.5 për qind dhe Italia me 6.4 për qind. Pra Evropa po vuan pasojat e riorganizimit të tregtisë agro-ushqimore.
Ndër të tjera BE-ja përballet edhe me praninë e fortë në këtë treg të Shteteve të Bashkuara, një prodhues i madh i grurit në disa rajone. Sipas shifrave të FAO-s, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë respektivisht eksportuesit e parë dhe të tretë më të mëdhenj të grurit në botë.
Kina është gjithashtu një prodhues i rëndësishëm i grurit, por ajo ka vetë shumë gojë për të ushqyer. Në fund të vitit të kaluar, për shkak të shirave të dendura që dëmtuan rreth 20 për qind të të korrave kombëtare, Pekini bleu sasi të mëdha ushqimi nga Australia (eksportuesi i dytë më i madh në botë) dhe Franca.
Konkurrenca bujqësore për BE-në vjen edhe nga vendet e Amerikës së Jugut, që janë në qendër të protestave të fundit të fermerëve, për shkak të marrëveshjes së tregtisë së lirë midis BE-së dhe MERCOSUR (Brazilit, fuqisë më të madhe ekonomike në rajon, Argjentinës, Bolivisë, Paraguait dhe Uruguai).
Sipas një raporti nga Nomisma një vit më parë, në vitin 2022 Brazili ishte vendi që përfitoi më shumë nga tensionet gjeopolitike dhe katastrofat natyrore që kanë ndikuar në skenarin global, duke e rritur me mbi 50 për qind vlerën e eksporteve të tij agro-ushqimore, më shumë se 126 miliardë euro, dhe duke u renditur i dyti pas SHBA-së. Pra në këtë luftë agro-ushqimore të zhvilluar në fronte të shumta, lindi edhe protesta e bujshme e fermerëve në gati gjysmën e Evropës. /Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post”
Lini një Përgjigje