TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Korrik 2024, 21:47

Evropa duhet të mësojë t’ia dalë vetë, varësia nga SHBA mund ta ‘fundosë’!

Shkruar nga Diane Francis

Evropa duhet të mësojë t’ia dalë vetë,

Evropa duhet të mësojë “qëndrojë mbi këmbët e veta”, por Amerika nuk mund të tërhiqet pa shkaktuar vështirësi serioze politike dhe ekonomike për aleatët më të rëndësishëm...

Në vjeshtë, amerikanët do të zgjedhin si president një internacionalist ose një izolacionist. Por nga këto zgjedhje varet edhe ardhmja e Evropës, rezultati i luftës në Ukrainë, e ekonomisë globale dhe e rendi botëror aktual. Nëse fiton izolacionisti Trump, ai mund të tërheqë ose të zvogëlojë shumë kontributet e SHBA-së në NATO.

Kjo do ta detyronte Evropën të ndërtonte me shpejtësi një forcë më të madhe ushtarake, dhe të financonte Ukrainën pafundësisht në luftën e saj, për të shmangur marshimin e Rusisë drejt Perëndimit. Qasja izoluese e Amerikës mori fund në shekullin XX –të, kur Uashingtoni doli 2 herë vullnetar për ta shpëtuar Evropën.

Pas vitit 1945, Amerika e ndihmoi kontinentin që të shndërrohej nga një pirg rrënojash dhe një thertore shumëvjeçare në dhjetëra demokraci të begata dhe paqësore. U krijuan Bashkimi Evropian dhe NATO. Por sot, amerikanët janë të lodhur nga roli i xhandarit global.

Në horizont nuk ka ende një fund për luftën në Ukrainë, dhe 27 anëtarët e BE-së mund të detyrohen të përballojnë vetë të gjithë koston e ndihmës. Përballë këtij skenari, po bien tregjet financiare evropiane, teksa po rritet çmimi i dollarit amerikan dhe i arit. Në kontinent ka edhe shumë përçarje politike, por kryeministri holandez Mark Rutte i kritikoi kohët e fundit liderët e Evropës për ankesat e tyre.

“Ne duhet të ndalim ankesat apo ankthin ndaj rikthimit të Trump në krye të SHBA-së. Kjo gjë është në dorë të amerikanëve. Unë nuk jam amerikan, s’mund të votoj në SHBA. Ne duhet të punojmë me cilindo që do të jetë në Shtëpinë e Bardhë”- tha ai. Për fatin e mirë të evropianëve, kombet e tyre janë të pasura, dhe së bashku kanë një PBB 10 herë më të madhe se ajo e Rusisë.

Dhe Ukraina mund të vazhdojë të luftojë deri në vitin 2025 apo dhe më tej, duke pasur parasysh dhjetëra miliardat në ndihma që ka marrë nga Evropa, 61 miliardë dollarë që ka marrë nga Kongresi i SHBA-së, dhe 50 miliardë dollarë nga pagesat e interesit nga asetet e ngrira ruse, të dhëna së fundmi nga G7.

Megjithatë do të nevojitet një mbështetje e qëndrueshme për të rimbushur depot e zbrazura të municioneve dhe dërguar armë të reja. Dhe evropianët po përgatiten për këtë. Mark Rutte u zgjodh kohët e fundit Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, “forca e armatosur kombëtare” de facto e Evropës. Ai synon të ushtrojë presion për më shumë shpenzime për mbrojtjen dhe për prodhimin e municioneve në Evropë. Dhe BE-ja sapo emëroi si kreun e politikës së saj të jashtme, një figurë që mban një qasje shumë të ashpër ndaj Rusisë, ish-kryeministren e Estonisë Kaja Kallas.

Kjo e fundit ka shpjeguar se si do të punojnë së bashku të dyja organizatat: “Në kushtet e një krize ushtarake, është e rëndësishme se kush i jep urdhër kujt, dhe si funksionon vërtet zinxhiri komandues. Ushtarakisht kjo i përket NATO-s. Por në stimulimin e industrisë së mbrojtjes, ka një zë me rëndësi edhe Bashkimi Evropian”.

Rutte është në një mendje me Kallas. Por në skenë është edhe Viktor Orban, kryeministri pro-rus i Hungarisë, i cili sapo e ka marrë presidencën e BE-së për 6 muajt e ardhshëm. Ai ka mërzitur shumë njerëz duke penguar dhe vonuar vendimet kyçe si në BE ashtu edhe në NATO gjatë viteve të fundit, nga të cilat ka përfituar Rusia.

Po ashtu, ai është kritikuar për takimin e fundit me presidentin rus Putinin, Xi Jingping të Kinës dhe kandidatin republikan Donald Trump në cilësinë e një paqebërësi të vetë-emëruar. Kur kthye nga turi i tij ndërkombëtar, Orban i paralajmëroi evropianët: Përgatituni për një kthesë në politikën e SHBA-së në Azi, dhe kërkoni negociata me Rusinë, ose siguroni më shumë fonde për të vazhduar mbrojtjen e Ukrainës.

Përgjigja e Ukrainës ndaj gjithë kësaj gjendje pasigurie dhe ankthi ka qenë e përsosur. “Unë mendoj se nëse Donald Trump bëhet president, ne do të punojmë së bashku. Nuk jam i shqetësuar për këtë çështje”- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë më 15 korrik, ai njoftoi se Ukraina do të paraqesë një “plan” për një “paqe të drejtë” në bisedimet e planifikuara për në nëntor, në të njëjtin muaj që mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA. Nuk mund të nënvlerësohet rëndësia e këtij propozimi. Sepse është hera e parë që Zelensky bie dakord të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta me Moskën, pa vendosur parakushtin që trupat ruse të largohen nga i gjithë territori ukrainas.

Megjithatë suksesi nuk është aspak i garantuar. Si fillim, Putini kërkon kthimin e aseteve të tij të ngrira dhe mos-anëtarësimin e Ukrainës në NATO ose BE. Ndërkohë Kievi dëshiron kthimin e territoreve të tij, garanci sigurie të barasvlershme me anëtarësimin në NATO, dhe paqeruajtës të pavarur të vendosur përgjithmonë në territoret e diskutueshme.

Pengesë tjetër është dyshimi nëse mund t’i zihet besë fjalëve të Putinit, dhe fakti që Evropa nuk ka arritur ende të marrë masat e saj. Ose shtetet e saj do të bashkohen dhe bashkëpunojnë ushtarakisht, një mision ky jo i lehtë duke pasur parasysh historinë e tyre të konflikteve të përgjakshme, ose do të përçahen dhe pushtohen.

“Evropa jonë sot është e vdekshme. Ajo mund të vdesë!”, paralajmëroi në shkurt presidenti francez Emmanuel Macron në shkurt. Ai dëshiron që Evropa të mobilizohet shpejt, dhe të marrë në konsideratë edhe dërgimin e trupave në Ukrainë, deklaratë që i kapi në befasi francezët dhe që ndikoi në dështimin e tij në zgjedhjet e fundit.

Por ky nuk ishte një reagim i jashtëzakonshëm. Kur u anketuan kohët e fundit, shumica e evropianëve thanë se nuk do të luftojnë për vendin e tyre apo për Evropën. Në maj, instituti i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), anketoi qytetarët në 15 vende evropiane, dhe shumica e njerëzve besojnë se ka më shumë të ngjarë të kemi një marrëveshje të negociuar me Rusinë, dhe jo një fitore të plotë ushtarake të Ukrainës.

Në përgjithësi, shumica e vendeve janë dakord t’i japin Ukrainës më shumë armë, edhe pse kjo vetëm për të përmirësuar pozitat e saj në negociata. Ndërkohë nuk ka asnjë dakordësi midis çekëve, francezëve, gjermanëve, holandezëve dhe spanjollëve mbi rolin e ardhshëm të BE-së.

Asnjë nuk e mbështet dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe vetëm 32 për qind e evropianëve u përgjigjën se do të ishin të gatshëm të luftonin për BE-në, me vetëm 14 për qind të italianëve që u shprehën të gatshëm të luftonin për Italinë. Po ashtu, vetëm vendet më afër Rusisë, që rrethojnë Detin Baltik, kanë në fuqi rekrutimin e detyrueshëm ushtarak:Suedia, Danimarka, tre vendet baltike, Finlanda dhe Norvegjia.

Pavarësisht të gjithave, Evropa duhet të mësojë “qëndrojë mbi këmbët e veta”, por Amerika nuk mund të tërhiqet pa shkaktuar vështirësi serioze politike dhe ekonomike për aleatët më të rëndësishëm, partnerët tregtarë dhe demokracitë e tyre. Tërheqja, bazuar në mitin se Rusia nuk është një kërcënim ekzistencial për Evropën dhe ekonominë botërore, është e paarsyeshme.

Putin pushtoi Ukrainën pa ndonjë provokim apo justifikim, dhe më pas mund të synojë të pushtojë vendet e BE-së dhe të NATO-s. Ai po shkakton trazira në Lindjen e Mesme. Nëse Amerika i refuzon angazhimet e saj, do të testohet nga Kina dhe të tjerët.

Putini do të përshkallëzojë luftën në Ukrainë, dhe 10 milionë refugjatë të tjerë do të shkojnë në vendet e BE-së, duke shkaktuar një kaos politik dhe financiar. Prandaj anëtarët e NATO-s të Evropës, duhet të zotohen se do të investojnë shumë në industritë e mbrojtjes dhe sigurisë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Kyiv Post”

Lini një Përgjigje