Drejtoresha e Shërbimit Sekret dëshmoi para një komisioni të Kongresit
Drejtoresha e Shërbimit Sekret amerikan, Kimberly Cheatle e ka cilësuar atentatin ndaj Donald Trump si dështimin më të madh në histori të agjencisë që ajo drejton.
Drejtoresha e Shërbimit Sekret dëshmoi para një komisioni të Kongresit, mes thirrjeve në rritje për dorëheqjen e saj.
“Më 13 korrik, ne dështuam”, tha Cheatle. Ajo shtoi se merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e agjencisë lidhur me sulmin në tubimin elektoral të republikanit Trump në Pensilvani në fillim të këtij muaji.
Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve dëgjoi deklaratat e zonjës Cheatle në paraqitjen e parë të saj para ligjvënësve që nga sulmi i 13 korrikut në Pensilvani, që la të vdekur një pjesëmarrës në tubim.
“Nuk kemi mohuar asnjë aset për ngjarjet e 13 korrikut”, tha ajo para Kongresit.
“Ne besojmë se ka pasur numër të mjaftueshëm të agjentëve” në tubimin e Trumpit më 13 korrik, tha ajo.
Ligjvënësit amerikanë kanë shprehur zemërim se si i armatosuri mund t'i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president, kur ai supozohej të ruhej me kujdes. Shërbimi Sekret e ka pranuar se ka mohuar disa kërkesa nga fushata e Trumpit për shtimin e sigurisë në ngjarjet që ai ka marrë pjesë vite para atentatit.
"Unë mund t'ju them se hetimin e brendshëm synojmë ta përfundojmë brenda 60 ditëve", tha Cheatle.
FBI dhe inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare po hetojnë gjithashtu të shtënat.
"A është ndëshkuar ndonjë punonjës për rolin e tij në incident?", pyeti përfaqësuesi i GOP Pete Sessions i Teksasit tha. "Jo zotëri, jo në këtë kohë", tha ajo. "Ne jemi ende në proces të intervistimit të njerëzve".
Zoti Trump u plagos në vesh dhe dy pjesëmarrës të tjerë u plagosën nga Thomas Mattheë Crooks, i cili hapi zjarr nga çatia e një objekti aty pranë.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas e cilësoi atentatin si një “dështim”, ndërsa disa ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e zonjës Cheatle ose shkarkimin e saj nga presidenti Joe Biden.
Zyrtarët i kanë thënë agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ se para atentatit, forcat e zbatimit të ligjit janë vënë në dijeni të veprimeve të dyshimta të autorit të sulmit, afër vendit ku po mbahej tubimi. Ai ishte vërejtur duke kryer matje të distancës nga çatia prej nga sulmoi, tek skena ku më vonë u ngjit ish-presidenti. Po ashtu kanë qarkulluar pamje të Crooks pranë perimetrit të sigurisë.
Lini një Përgjigje