
Një draft njëfaqësh i një deklarate të përbashkët për samitin e ardhshëm të NATO-s thuhet se nuk përfshin aspiratat e Ukrainës për anëtarësim.
Dokumenti i shkurtër, i parë nga Bloomberg, e njeh gjithashtu Rusinë si një kërcënim për NATO-n, por jo si një agresor në Ukrainë.
Kjo sinjalizon se, për herë të parë që nga viti 2022, lufta e Rusisë në Ukrainë nuk do të jetë fokusi kryesor i takimit vjetor të NATO-s, i cili zhvillohet më 24-25 qershor në Hagë.
Komunikata e vitit të kaluar në samitin në Uashington përfshinte një deklaratë se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është "e pakthyeshme" dhe premtoi më shumë se 40 miliardë dollarë (29 miliardë paund) ndihmë ushtarake shtesë.
Këtë vit, dokumenti do të përqendrohet vetëm në shpenzimet e mbrojtjes, pasi Donald Trump i shtyn partnerët e NATO-s që ta rrisin nivelin e shpenzimeve ushtarake nga 2% në 5% të PBB-së.
Shtetet anëtare do të shqyrtojnë gjithashtu llogaritjen e kontributeve të tyre për Ukrainën si pjesë e objektivave të rinj të shpenzimeve të mbrojtjes, raportoi Bloomberg, duke shtuar se versioni përfundimtar i deklaratës mund të ndryshojë ende.
Megjithatë kjo është një shenjë se influenca e Trump ka qenë shkaktari kryesor i këtij veprimi. Vetë Trump është shprehur se Ukraina duhet të heqë dorë nga territoret e aneksuara nga Rusia dhe ambiciet për anëtarësim në NATO, nëse do ë të arrijë një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Lini një Përgjigje