
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë në Këshillin e Lartë Zgjedhor të Turqisë për t'u regjistruar si kandidat presidencial për zgjedhjet e ardhshme të 14 majit.
Sipas mediave turke, përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit mbërritën në Këshill të martën për të dorëzuar dokumentet e regjistrimit.
Aktualisht, 18 politikanë deklaruan synimin e tyre për të kandiduar për postin më të lartë shtetëror. Kryetari i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane, Kemal Kilicdaroglu konsiderohet si konkurrenti kryesor i Erdoganit.
Përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim shoqëroheshin nga përfaqësues të Partisë Lëvizja Nacionaliste, e cila vepron në aleancë me partinë në pushtet. Ata deklaruan se të dy partitë vendosën të emërojnë Erdoganin si kandidat të vetëm dhe depozituan të gjitha dokumentet e nevojshme në Këshillin e Lartë të Zgjedhjeve, siç është përcaktuar nga ligji.
Zgjedhjet presidenciale në Turqi do të mbahen më 14 maj, njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare. Për të fituar në raundin e parë, një kandidat presidencial duhet të sigurojë mbi 50% të votave.
Ndryshe do të zhvillohet një raund i dytë, në të cilin dy kandidatët me mbështetjen më të lartë do të garojnë kundër njëri-tjetrit. Zgjedhjet e mëparshme presidenciale u zhvilluan më 24 qershor 2018 ku Erdogan fitoi me 52.6% të votave.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Erdogan, deklaroi se nëse arrin të fitojë në zgjedhjet presidenciale të 14 majit, do të tërhiqet nga politika në fund të mandatit të tij.
Dy muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në shtetin turk, një sondazh thotë se opozita do të korrë fitore kundrejt partisë në pushtet AKP të Recep Tayyip Erdogan.
Kompania AR-G Research publikoi rezultatet e fundit të një sondazhi zgjedhor për president me një mostër prej 1472 qytetarësh.
Sipas sondazhit, ka një hendek prej 3 pikësh mes kandidatit presidencial të aleancës “Kombëtare”, Kemal Kılıçdaroglu dhe kandidatit të aleancës “Popullore”, Recep Tayyip Erdogan.
Kandidati i gjashtë partive opozitare, Kiliçdaroglu kryeson sondazhin me 46.2 për qind kundrejt presidentit aktual, Erdogan, i cili ka besimin e 43.1 për qind të anketuarve.
Ndërkohë, kryetari i partisë “Memleket Partisi”, Muharrem İnce do të fitonte 7.6 për qind të votave ndërsa Sinan Ogan, kandidat i aleancës “Ata” ka besimin e 3.1 për qind.
Lini një Përgjigje