Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paralajmëruar se rezervojnë të drejtën për t’iu përgjigjur sulmeve të fundit iraniane, duke sinjalizuar një fazë të re përshkallëzimi në Gjirin Persik.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Emirateve dënoi sulmet me raketa dhe dronë, duke i cilësuar ato si “agresion të pabesë” dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Autoritetet në Abu Dhabi theksuan se këto veprime përbëjnë një përshkallëzim serioz dhe shkelje të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ato nënvizuan se ruajnë “të drejtën e plotë dhe legjitime” për të reaguar ndaj sulmeve dhe për të mbrojtur sovranitetin e tyre.
Deklarata vjen pas një serie incidentesh në rajon, përfshirë goditjen e infrastrukturës energjetike në Fujairah dhe sulme të dyshuara ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Zhvillimet e fundit tregojnë për një përkeqësim të shpejtë të situatës së sigurisë, ndërsa tensionet mes Iranit dhe aktorëve ndërkombëtarë vazhdojnë të rriten, pavarësisht armëpushimit të shpallur më herët.
Paralajmërimi i Emirateve shton rrezikun e një përplasjeje më të gjerë në një rajon kyç për furnizimin global me energji, ku çdo reagim ushtarak mund të ketë pasoja të menjëhershme për stabilitetin rajonal dhe tregjet ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje