
Sjellja e multi-miliarderit, nxjerr në pah dilemën e madhe të partive të djathta sot: nuk mund të jetosh me populistët, por as nuk mund të jetosh pa ata...
Është e pamundur që kushdo të mos qeshë me deklaratën e fundit të Elon Musk se Nigel Farage “nuk ka atë që duhet” për të udhëhequr partinë “Reformo Mbretërinë e Bashkuar”. Për muaj të tërë, Farage kishte bërë propagandë me afërsinë e tij me Donald Trump dhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë.
Madje pati shumë spekulime për një donacion të madh financiar që po i bëhej kësaj partie opozitare nga ana e Elon Musk. Disa orë përpara deklaratës siluruese të këtij të fundit, Farage e kishte përshkruar pronarin e platfomës X si një “hero” dhe si një “mik” që e bëri partinë e tij të duket “shumë në modë”.
Dhe pikërisht në momentin kur gjithçka po shkonte aq mirë për Farage, Musk po përpiqet ta rrëzojë nga drejtimi i partisë së tij. Ka disa që thonë se përqëndrimi i vëmendjes tek Musk është i gabuar, dhe se problemi i vërtetë është abuzimi me vajzat e reja të bardha nga bandat me origjinë pakistaneze, për të cilat Musk ka folur në Twitter javën e kaluar.
Është sigurisht e vërtetë se ajo që ndodhi në qytete si Rotherham, Telford, Rochdale dhe Oldham, ishte një skandal i tmerrshëm, në të cilin autoritetet dështuan të mbronin nga abuzimi qindra vajza të reja. Ekziston një shqetësim i justifikuar, se konsideratat për kohezionin e komunitetit, e penguan marrjen e veprimeve të nevojshme.
Është e drejtë të pyesim, nëse po bëjmë gjithçka që kemi në orë për parandalimin e përsëritjes së ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Por kjo çështje është aktuale, jo për shkak të ndonjë zhvillimi të ri të madh në histori, por për arsyen e përfshirjes së Musk.
Shkaku i komenteve të Musk ishte refuzimi nga Jess Phillips, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, i një kërkese nga këshilltarët e qytetit Oldham për të nisur një hetim të mëtejshëm kombëtar në lidhje me abuzimin me të miturat.
Vendimi u shpall në tetor të vitit të kaluar, dhe në atë kohë tërhoqi pak vëmendje. Por kjo nuk është aspak befasuese, pasi një kërkesë e ngjashme ishte refuzuar në shtator 2022 nga një ministër konservator, mbi një rast pak a shumë të ngjashëm.
Tek të fundit, ka pasur tashmë një hetim publik kombëtar mbi abuzimin e fëmijëve (megjithëse jo në mënyrë specifike për bandat në fjalë) të udhëhequr nga Alexis Jay, rezultatet e të cilit u bënë publike në tetorin e vitit 2022. A duhet që kjo histori të tërheqë më shumë vëmendje sesa ka tërhequr deri tani?
Po, por ajo nuk është shpërfillur nga mediat kryesore. Sepse u nxor në dritë kryesisht nga puna e gazetarit Andrew Norfolk që punonte për Sunday Times. Atë e kanë mbuluar edhe gazeta të tjera, teksa janë realizuar dokumentarë në BBC por edhe në televizione të tjera.
Është gjithashtu e vërtetë, që kjo është një histori e shfrytëzuar nga aktorë të këqij. Stephen Yaxley-Lennon, që e quan veten Tommy Robinson, e ka shfrytëzuar këtë skandal si një mjet për të nxitur ndarje racore.
Duke pasur parasysh natyrën e ndërhyrjeve të Musk - që e etiketon Phillips si një avokat të genocidit përdhunues, dhe që e akuzon Keir Starmer si “bashkëpunëtor”, dhe duke kërkuar burgosjen e të dyve - pronari i X është gjithashtu një aktor i keq.
Nëse vihet në kontekstin e parashikimit të Musk verës që shkoi, se Britania e Madhe po shkon drejt “luftës civile”, kërkesa e tij që Robinson të lirohet nga burgu dhe që Mbreti Çarls të thërrasë zgjedhjet e reja parlamentare, si dhe sugjerimin që SHBA-ja “duhet ta çlirojë popullin e Britanisë së Madhe nga qeveria e saj tiranike”, mund të pyesni gjithashtu nëse edhe ai është një aktor i çmendur.
Kjo nuk do të thotë se ai nuk është një figurë e fuqishme. Musk është njeriu më i pasur në botë, zotëron platformën X, e cila siguron që pikëpamjet e tij të përhapen sa më mirë dhe (për momentin) është shumë pranë presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump.
Ishte vendimi i tij që ta zgjidhte këtë çështje duke bërë akuza sumë të ashpra, të cilat e kanë rritur peshën e skandalit të bandave britanike. Dikush mund ta kuptojë përse qeveria u përpoq të shmangte përballjen me të.
Por gjuha e tij brutale ndaj Phillips dhe Starmer, shkoi shumë larg për t’u injoruar.
Ishte e parashikueshme dhe dëshpëruese, që si partia “Reformo Mbretërinë e Bashkuar” ashtu edhe Partia Konservatore, ishin të gatshme të ndiqnin axhendën e Elon Musk, pa u distancuar siç duhet nga gjuha e tij.
Ai është një njeri i plotfuqishëm dhe i rrezikshëm, kufizimi i vetëm i të cilit është se nuk di të përdorë me aq shkathtësi fuqinë e tij politike. Mundësia më e mirë e Musk për ndikim politik në Britaninë e Madhe, do të ishte në një partneritet të ngushtë me Nigel Farage.
Në vend të kësaj, ai po përpiqet që ta largojë këtë të fundit nga drejtimi i Reformës, akt që do të dobësonte fatalisht këtë parti. Musk është i papëlqyer në Britaninë e Madhe dhe gatishmëria e Starmer për t’u përballur me të - pasi kryeministri është sulmuar ashpër muajt e fundit - mund t’i japë këtij të fundit edhe më shumë popullaritet.
Për partitë e së djathtës, Elon Musk duhet të jetë gjithashtu një përrallë paralajmëruese. Sepse ai artikulon dhe zbaton populizmin e djathtë, të krijuar enkas për të joshur ata që janë të zemëruar me ndryshimet shoqërore.
Për këtë gjë, ka një lloj oreksi të dukshëm në mesin e elektorateve perëndimore.
Por ndarja me Farage, po zbulon se sa e vështirë është ta shfrytëzosh këtë forcë, pa rrezikuar të mbetesh jashtë apo pa përqafuar ekstremet politike.
Konservatorët u ripozicionuan si një parti populiste në vitin 2019, por realitetet e detyrës, dhe kontradiktat brenda koalicionit të tyre elektoral, i zhgënjyen shumë votuesit populistë. Në vitin 2024, shumë prej tyre iu drejtuan sigurive të thjeshta të ofruara nga Farage.
Tani ky i fundit po synon të zgjerojë bazën e tij të mbështetjes, duke sulmuar njerëz si Robinson. Po kjo qasje, po i largon disa nga mbështetësit e tij, të cilët e akuzojnë atë se është i shitur, se nuk ka “atë që duhet”. Tani Musk po i bën Farage, atë që Farage i ka bërë prej kohësh konservatorëve britanikë.
Mund të fitohen jo pak vota duke iu bërë thirrje populistëve, por në fund ju duhet të vendosni një vijë ndarëse me ta, ose do të mbërrini në një vend shumë të errët. Por siç e sugjeron sjellja e Musk, një vend i errët është destinacioni ku duan të shkojnë disa.
Sjellja e multi-miliarderit, nxjerr në pah dilemën e madhe të partive të djathta sot: nuk mund të jetosh me populistët, por as nuk mund të jetosh pa ata./Përshtati Pamfleti nga “New Statesman”
Lini një Përgjigje