TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Dhjetor 2024, 18:01

Dorëzimi i Gjeorgjisë tek Rusia do të ishte një gabim i madh, si mund të mbetet Tbilisi në orbitën perëndimore

Shkruar nga Renato Caputo
Dorëzimi i Gjeorgjisë tek Rusia do të ishte një gabim i
Tbilisi, Georgia /

Gjeorgjia është larg nga të qënit një kauzë e humbur. Megjithatë ajo kërkon një mbështetje të fortë nga udhëheqja perëndimore, gjithnjë nëse kjo e fundit dëshiron të parandalojë futjen me dhunë të këtij vendi në sferën e ndikimit të Kremlinit...

Zgjedhjet e diskutueshme parlamentare të 26 tetorit në Gjeorgji, e kanë futur këtë vend në një krizë të rëndë demokratike, duke e rrezikuar kandidaturën për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe trajektoren e tij euro-atlantike.

Në zemër të kësaj krize janë dëshmitë e manipulimit zgjedhor, ndërhyrjes së gjerë të Rusisë, dhe një parti në pushtet, e cila është dukshëm e vendosur të bëjë gjithçka për të konsoliduar pozitat e saj. Pa pasur në dispozicion mjete të tjera institucionale për të mbrojtur demokracinë, opozita e bashkuar gjeorgjiane, e udhëhequr nga presidentja Salome Zourabichvili, ka nisur një lëvizje protestash paqësore.

Vendi e gjen sot veten në një udhëkryq vendimtar në historinë e tij moderne, ku rezultati i përplasjeve aktuale do të ketë pasoja gjeopolitike, të cilat do të kenë jehojnë shumë përtej kufijve të Gjeorgjisë. Ankesa e presidentes Zourabichvili se zgjedhjet parlamentare të tetorit ishin të paligjshme, e ka tronditur kombin.

Ajo tha se provat e ndërhyrjes ruse dhe manipulimit sistematik të politikave, tregojnë se partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, po përqafon taktika gjithnjë e më autoritare dhe haptazi pro-ruse.

Zourabichvili dhe figura të tjera të opozitës, po e akuzojnë partinë në pushtet për përdorimin e narrativave anti-perëndimore dhe anti-ukrainase për të përfituar gjatë fushatës zgjedhore.

Këtu përfshihen edhe pretendimet se forcat opozitare, janë pjesë e një “partie globale që nxit luftëra” e udhëhequr nga Perëndimi, apo hipotezën akoma më imagjinare, se ky i fundit po përpiqet të hapë një “front të dytë” kundër Rusisë përmes Gjeorgjisë.

Kritikët argumentojnë se ngjarjet e 26 tetorit në Gjeorgji, ishin më shumë një shfaqje për të konsoliduar statuskuonë politike në vend, sesa një ngjarje elektorale e vërtetë. Sondazhet e pavarura, zbuluan një shumicë të madhe votash për partitë opozitare pro-perëndimore. Megjithatë, Ëndrra Gjeorgjiane e shpalli veten fituese pavarësisht provave të dokumentuara

të manipulimit të votave. Raportet nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe nga shoqëria civile gjeorgjiane, zbulojnë një realitet shqetësues, përfshirë dëshmitë e shumta të parregullsive të dukshme, siç janë shifrat e ndryshuara të pjesëmarrjes në votime dhe anomalitë statistikore.

Vetë procesi i votimit, u shoqërua me shumë shembuj të dhunës dhe frikësimit. Zhvillimet në Gjeorgji, janë gjeopolitikisht të rëndësishme për rajonin përreth. I vendosur në udhëkryqin midis Evropës dhe Azisë, ky vend shërben si një qendër jetike e linjave energjetike tranzit, dhe një model potencial i qëndrueshmërisë demokratike, në një rajon ku autokracitë dhe perandoritë kanë luftuar prej kohësh për dominim.

Që nga ngjitja në pushtet në vitin 2012, Ëndrra Gjeorgjiane është bashkuar gjithnjë e më shumë me Moskën dhe Pekinin. Kjo ka çuar në favorizimin e kompanive kineze për projekte të tilla si rindërtimi i portit të Anaklisë, dhe lejimin e Rusisë që të anashkalojë sanksionet perëndimore.

Lejimi i rrëshqitjes së Gjeorgjisë drejt autoritarizmit, do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm: që vlerat demokratike janë të negociueshme. Për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, rreziku nuk ka të bëjë vetëm me këtë vend. Në lojë është besueshmëria e Perëndimit në mbarë rajonin.

Pa manipulimet e përdorura nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, Tbilisi do të rreshtohej në një linjë prioritetet e politikës së jashtme perëndimore, siç është kundërshtimi i zgjerimit të ndikimit kinez, rus dhe iranian në rajonin e Detit të Zi.

Opozita e bashkuar demokratike e Gjeorgjisë dhe shoqëria civile atje, kanë treguar gatishmërinë e tyre për të udhëhequr një tranzicion paqësor të pushtetit, dhe për ta pozicionuar Gjeorgjinë si një aleate të besueshme të Perëndimit. Megjithatë, përmbushja e këtij vizioni kërkon një veprim të koordinuar nga Uashingtoni, Brukseli dhe Londra.

Së pari, duhet të mbahen zgjedhje të reja nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Vetëm zgjedhjet transparente, të monitoruara nga aktorë të pavarur, mund të kenë sukses në rivendosjen e integritetit demokratik dhe përparimin e perspektivës së Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.

Së dyti, Perëndimi duhet të vendosë sanksione specifike ndaj udhëheqësve të partisë Ëndrra Gjeorgjiane, por edhe të tjerëve në Gjeorgji që lehtësojnë interesat ruse dhe dëmtojnë demokracinë. Këto sanksione, do të dërgonin një mesazh të qartë mbështetjeje për aspiratat demokratike të Gjeorgjisë.

Uashingtoni dhe Brukseli, mund t’i shtojnë kufizime të tjera financiare ndalimit të vizave që tashmë ka hyrë në fuqi. Miratimi i shpejtë i ligjeve, që aktualisht presin miratimin në Kongresin e SHBA-së për të mbështetur popullin e Gjeorgjisë, do të dëshmonte më tej angazhimin vendimtar.

Së treti, shoqëria civile gjeorgjiane dhe media e pavarur, kanë nevojë për mbrojtje më të madhe nga shtypja e qeverisë aktuale. Me ligjin e frymëzuar nga Rusia mbi “agjentët e huaj” që aktualisht është në fuqi në Gjeorgji, financimi i synuar dhe mbështetja diplomatike, janë shumë thelbësore për të siguruar që këto shtylla demokratike të mbeten të lira dhe të përgjegjshme.

Në këtë rast, çelësi është një presioni i koordinuar transatlantik. Një veprim vendimtar ndaj Gjeorgjisë, mund të ndihmojë në forcimin e një aleati të Perëndimit dhe stabilizimin e një rajoni shumë të rëndësishëm, duke forcuar njëkohësisht edhe demokracinë në një moment tejet vendimtar.

Gjeorgjia është larg nga të qënit një kauzë e humbur. Megjithatë ajo kërkon një mbështetje të fortë nga udhëheqja perëndimore, gjithnjë nëse kjo e fundit dëshiron të parandalojë futjen me dhunë të këtij vendi në sferën e ndikimit të Kremlinit./Përshtati Pamfleti nga “Opinione.it”

gjeorgjia tbilisi orbita perëndimore rusia

Lini një Përgjigje