
Në deklaratat publike pas takimit të saj të fundit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Harris përsëriti qëndrimin e administratës Biden, se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por shtoi se ka shumë rëndësi edhe sesi e bën këtë.
Tani që zëvendës/presidentja e SHBA-së Kamala Harris, e ka thuajse të sigurt nominimin nga demokratët si kandidate për garën presidenciale të këtij viti, një nga pyetjet kryesore që ngrihet si në Uashington ashtu edhe në kryeqytetet e shumë vende, është se si do të jetë doktrina e politikës së jashtme të Harris, në rast se ajo fiton në nëntor.
Përveç rishikimit të veprimtarisë dhe deklaratave të mëparshme, Foreign Policy bisedoi me dhjetëra zyrtarë dhe ish-zyrtarë të SHBA-së, punonjës të kongresit, ekspertë dhe ish ndihmës të Harris, për të mësuar më shumë se çfarë qasje ka ajo mbi rajonet kyçe dhe politikën e jashtme.
Kina
Përvoja e saj direkte me Kinën, është relativisht e kufizuar në krahasim me Biden. Harris ka zhvilluar vetëm një takim të shkurtër me liderin kinez presidentin Xi Jingping në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Bangkok në vitin 2022. Si numri 2, është përpjekur të mbështesë aleancat e SHBA në rajonin e Indo-Paqësorit.
Po ashtu, ka udhëtuar 3 herë në Azinë Juglindore, duke vizituar Singaporin, Vietnamin, Tajlandën, Filipinet dhe Indonezinë. Pozicioni që ka mbajtur ndaj Kinës në fushatën e vitin 2020, përputhet me politikën e Shtëpisë së Bardhë gjatë 4 viteve të fundit. Ajo e ka akuzuar Pekinin për vjedhjen e produkteve amerikane, pronësinë intelektuale, dhe ka kërkuar përgjegjësi.
Por ka theksuar se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me Kinën për çështje kyçe si ndryshimi i klimës. Ndërkohë, ajo dhe 55 senatorë të tjerë mbështetën Aktin e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë në Hong Kong , që vendosi sanksione ndaj zyrtarëve kinezë për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë protestave kundër projektligjit mbi ekstradimet.
Pak më vonë, ajo bashkë-sponsorizoi një ligj që vendoste sanksione për abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang. Pra në përgjithësi, ekspertët pajtohen se qasja e saj ndaj politikës së Kinës nuk ka gjasa të ndryshojë ndjeshëm nga ajo e Biden.
India, Azia Jugore dhe Indo-Paqësori
Sipas ekspertëve, politika e Harris në Indi nuk ka gjasa të ndryshojë shumë nga ajo e Biden. Marrëdhënia SHBA-Indi, ka pasur mbështetje të besueshme dypartiake për dekada, duke përfshirë edhe presidencën Trump, dhe mbetet shumë e rëndësishme nga të dyja palët.
Harris ka një lidhje më personale me Indinë, se sa çdo kandidat për president të SHBA-së. Nëna e saj, Shyamala Gopalan, emigroi në Shtetet e Bashkuara nga India. Por politikisht, kjo nuk ka gjasa të luajë një rol të madh. Sepse kur ishte senatore, Harris ka qenë më e ashpër ndaj Indisë sesa Biden, duke kritikuar shkeljen e të drejtave njeriut nga Modi. Por nëse ajo bëhet presidente, qasja mund të moderohet.
Politika tregtare
Harris nuk ka vepruar asnjëherë më një mentalitet tregtareje, as në Senat, dhe as si zëvendëspresidente. Por në përgjithësi, ajo ka mbrojtur një vizion të tregtisë që ka në qendër punëtorët dhe që është miqësore mjedisin. Harris ka kritikuar vazhdimisht tarifat e presidencës Trump, duke i etiketuar ato si taksa shtesë për bizneset dhe konsumatorët amerikanë.
Në lidhje me marrëveshjet tregtare, është pak më i vështirë për t’u kuptuar. Ajo votoi kundër Marrëveshjes origjinale të Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), një ide e republikanëve të epokës së Reagan-it, e cila sot kritikohet shumë. Por ishte kundër edhe Partneritetit Trans-Paqësor të ish-presidentit Barack Obama, që u kritikua nga të dyja palët dhe u anulua që javën e parë të presidencës Trump.
Lufta Rusi-Ukrainë dhe NATO
Joe Biden e ka dërguar Harrisin për ta përfaqësuar në shumë nga konferencat më të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë Konferencën e Sigurisë së Mynihut dhe samitin e paqes në Ukrainë. Në këtë të fundit, ajo bëri thirrje për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Kremlini ka qëndruar deri tani kryesisht ne heshtje ndaj kandidaturës së Harris. Zëdhënësi presidencial, Dmitry Peskov, ka përmendur “retorikën jomiqësore” të zëvendëspresidentes, por shtoi se Rusia nuk mund ta vlerësojë ende zyrtarisht kandidaturën e saj. Gjithsesi media shtetërore ruse, nisi menjëherë sulmet. “Kamala me butonin bërthamor, është më e rrezikshme se sa një majmun me granatë!”- tha Andrei Sidorov, dekan i politikës globale në Universitetin Shtetëror të Moskës, gjatë emisionit javor të televizionit shtetëror rus.
Konflikti izraelito-palestinez
Një analizë e imtësishme e votimeve të saj në senat dhe i fjalimeve publike, tregon se nuk ka gjasa që Harris të sjellë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në qasjen e SHBA ndaj luftës në Gaza apo në përgjithësi ndaj konfliktit izraelito-palestinez. “Duke pasur parasysh atë që ajo ka thënë, do kemi një vazhdimësi”- thotë David Makovsky, një ish-këshilltar i lartë i të dërguarit special të SHBA-së për negociatat izraelito-palestineze.
Bashkëshorti i saj, Doug Emhoff është hebre, dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën e administratës Biden kundër antisemitizmin. Që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023, Harris ka mbështetur kryesisht politikën e administratës Biden, e cila ka pohuar të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.
Po dalëngadalë i ka shtuar kritikat e tij mbi natyrën ekstreme dhe pa dallim të fushatës ushtarake të Izraelit, dhe ushtruar presion për një marrëveshje armëpushimi, e cila do të siguronte edhe lirimin e pengjeve. Në deklaratat publike pas takimit të saj të fundit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Harris përsëriti qëndrimin e administratës Biden, se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por shtoi se ka shumë rëndësi edhe sesi e bën këtë.
Afrika
Gjatë samitit të vitit 2022 midis SHBA-së dhe liderëve të vendeve afrikane në Uashington, Biden u zotua të vizitonte kontinentin vitin e ardhshëm. Kjo nuk ndodhi. Udhëheqësit afrikanë janë ankuar prej kohësh, se janë lënë pas dore nga Uashingtoni. Harris ka qenë zyrtarja më e lartë e administratës që e ka vizituar Afrikën, duke vizituar vjet Ganën, Tanzaninë dhe Zambian. Por në përgjithësi, ajo ka të ngjarë të vazhdojë qasjen e Biden ndaj Afrikës:vizita në nivel kabineti, biseda për nxitjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit, teksa po zgjerohet ndjeshëm ndikimi i Rusisë dhe Kinës.
Emigracioni
Republikanët e kanë etiketuar Harris si “careshën e kufirit” të administratës Biden, dhe e kanë sulmuar për dështimet e saj në normalizimin e situatës. Por ekspertët e emigracionit theksojnë se mandati i saj ishte shumë më i kufizuar. Në realitet, Harris u ngarkua për negociatat me 3 vende të Amerikës Qendrore - Hondurasin, Guatemalën dhe El Salvadorin - për t’i ndihmuar në trajtimin e “shkaqeve rrënjësore” të migracionit si vështirësitë ekonomike, dhuna dhe shtypja politike .
Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Harris njoftoi dhënien e më shumë se 5.2 miliardë dollarë sektorit privat në të treja vendet. Kalimet e paligjshme, ranë në nivelin më të ulët në 3 vjet në qershor të këtij viti, pasi Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv të diskutueshëm, që i pengon emigrantët të kërkojnë azil gjatë periudhave me fluks të lartë.
Si një kaliforniane, një ish-prokurore e përgjithshme dhe një fëmijë emigrantësh, vetë prejardhja e Harris e ka formësuar këndvështrimin e saj për këtë çështje, dhe është e sigurt që do të vazhdojë ta bëjë këtë nëse ajo zgjidhet presidente./Përshtati "Pamfleti" nga “Foreign Policy”
Lini një Përgjigje