
Në 80-vjetorin e gjyqeve që përfunduan me dënimin me vdekje të të ashtuquajturit “Kasapi i Polonisë”, Hans Frank, dhe udhëheqësve të tjerë të Rajhut të Tretë, djali i tij 87-vjeçar, thotë se në Gjermani ka vetëm 1 milion demokratë të vërtetë. Të tjerët janë të përgatitur të jetojnë sërish në një diktaturë dhe ta duan atë...
Niklas Frank nuk mund të shkëputet dot mendërisht nga i ati, krimineli nazist i luftës Hans Frank. Ai nuk do ta bëjë dot këtë derisa të ketë frymë. Ai e krahason të atin me një goblin, një shpirt të lig që i ngjitet pas shpatullave, duke refuzuar ta lëshojë.
Do ta ketë gjithmonë me vete. “E kam urryer gjithmonë tim atë. Ndërsa tani e përçmoj!” - thotë ai, në një mëngjes me re vjeshte, në shtëpinë e tij të vogël në fushën në veri të Elbës, një vend që duket sikur është nxjerrë nga një përrallë e Vëllezërve Grim.
Niklasi ishte vetëm 6 vjeç kur i ati u ul në bankën e të akuzuarve në Nuremberg. Gjyqi filloi më 20 nëntor 1945, 80 vjet më parë. Tani në moshën 87-vjeçare, ai është i ve prej 3 vitesh, dhe ndërsa pi duhan pa pushim, rrëfen kujtimet e tij dhe vajton për Gjermaninë dhe për një të kaluar që i duket e pafundme.
“Kjo torturë psikologjike nuk do të mbarojë kurrë, sepse viktimat më duket sikur janë ende gjallë, ato gëlojnë brenda trurit tim” - shprehet ai.
Niklas Frank ishte djali i mbështetësit kryesor të Hitlerit dhe administrator në territoret midis Polonisë dhe Ukrainës së sotme, ku ndodheshin kampet e shfarosjes Treblinka, Majdanek, Belzek dhe Sobibor.
Më i vogli nga 5 vëllezër e motra, Niklas u rrit në luksin e Kështjellën Vael në Krakov, nga ku “Kasapi i Polonisë” organizoi vrasjen e miliona hebrenjve. Ai ishte shtatë vjeç kur Hans Frank u ekzekutua me varje në litar më 16 tetor 1946, së bashku me udhëheqësit e tjerë nazistë të dënuar me vdekje.
Për vite me radhë, Niklasi mbante me vete fotografinë e kufomës së babait të tij, siç e thotë edhe vetë “për t’u siguruar që ai kishte vdekur”. Niklas e ka përsëritur prej vitesh deklaratën e tij: “Unë jam kundër dënimit me vdekje, përveç rastit të babait tim!”.
“Unë jam egoist. Nëse im atë nuk do të ishte varur, ai do të ma kishte shkatërruar trurin me ideologjinë e tij. Ai ishte një djalë i ri simpatik. Fliste aq rrjedhshëm dhe ishte aq frymëzues, saqë me siguri do të ma kishte shkatërruar trurin, dhe ndoshta do të më duheshin dekada pas vdekjes së tij për të gjetur të vërtetën” - thotë tani ai.
Niklas Frank jeton në Eklak, një fshat me 300 banorë në landin Shlezvig-Holshtajn, në veri të Hamburgut. Që nga fundi i viteve 1970, ai punoi për të përjavshmen e Hamburgut “Stern”, si reporter dhe opinionit.
Që në fëmijëri në geton e Krakovit ose në burgun e Nurembergut, ku e vizitoi të atin disa javë para ekzekutimit të tij-ai ishte një njeri shumë vëzhgues. Gruaja e tij, Hanelor, ishte gjyqtare në qytetin e vogël Itzehoe.
Midis fëmijëve të nazistëve të rangut të lartë, Niklas Frank shquhet për pendesën e tij të thellë, kur botoi në vitet 1980 librin “Der Vater. Eine Abrechnung” (Babai: Një rrëfim). Djali i Kasapit të Polonisë përballet me të atin pa kompromis, ndonjëherë edhe brutalisht.
Ai është një pasqyrim ekstrem sepse krimet e të atit ishin të tilla i një shoqërie që duke filluar nga vitet 1960 bëri një përpjekje të ngjashme: duke i mbajtur prindërit dhe gjyshërit përgjegjës për krimet e tyre, qofshin të kryera apo jo.
Dhe duke e pranuar që kjo trashëgimi e përcakton tashmë identitetin kombëtar. Por pak shkuan aq larg sa Niklas. Jo e gjithë shoqëria e ndante qëndrimin e tij, dhe jo të gjithë fëmijët e nazistëve.
Një Gjermani tjetër i tha vetes: po, nazizmi ishte kriminal, por ata mohuan që prindërit ose gjyshërit e tyre mund të kishin marrë pjesë në të. Në librin e tij të vitit 2017 “East West Street”, rreth origjinës të së drejtës penale ndërkombëtare, Filip Sands i bashkoi këto dy Gjermani në figurat e Niklas Frank dhe Horst Vahter, djalit të Oto Von Vahterit, një kriminel tjetër nazist i cili, ndryshe nga Frank, arriti të arratisej nga Nurembergu.
Ndërsa Frank akuzonte të atin, Vahter e justifikonte të tijin: “Unë e di që i gjithë sistemi ishte kriminal dhe se ai ishte pjesë e sistemit, por nuk besoj se ai vetë ishte kriminel”.
Biseda me Niklas Frankun, fillon në një kabinë të vogël pranë shtëpisë së tij, të cilën ai e përdor për të pirë duhan.
Ai pi të njëjtat cigare të markës “Camel” që pinte nëna e tij, Brigit Frank, e njohur me nofkën “Mbretëresha e Polonisë”. Në murin e kësaj dhome varet një vizatim, i bërë nga njëri prej nipërve të tij. Bëhet fjalë për një kopje të tablosë “Zonja me një Ermelinë”, e njëjta pikturë e Leonardo da Vinçit që Hans Franku e grabiti dhe e vari në muret e Kështjellës Vael.
Niklasi risjell kujtimet e pakta të këndshme që lidhen me të atin, i cili e quante Fremdi, “i huaji”, sepse Hansi dyshonte se babai biologjik i Niklasit mund të ishte dikush tjetër: ose Karl Lah, një nga vartësit e tij, ose Karl Shmit, filozofi i shquar i ligjit.
Ky ishte mjedisi në të cilin lëvizte Hans Frank, avokati i Hitlerit në vitet 1920, president i Akademisë Gjermane të Drejtësisë dhe Ministër pa Portofol i Rajhut përpara se të emërohej Guvernator i Përgjithshëm i Polonisë së pushtuar.
“Ai u bë kriminel sepse ishte frikacak dhe sepse donte të përparonte në karrierë. Përveç kësaj, ai ishte i magjepsur pas Hitlerit”- thotë Niklas, që shton se nuk ka gjetur asnjë referencë antisemite në ditarët e rinisë së babait të tij.
Dhe çfarë ka përcjellë Hans Franku tek djali i tij? “Burracakërinë. Dhe nëse është e nevojshme, unë jam i aftë të gënjej shumë mirë. Kjo është trashëgimia e tim eti. Megjithatë, kam gënjyer shumë pak. E kam bërë këtë vetëm kur kam pasur një marrëdhënie me dikë tjetër përveç gruas sime” - përgjigjet ai.
Ai emocionohet kur e kujton atë kohë. Po ashtu, kujton një skenë gjatë sëmundjes terminale të gruas së tij: “Isha në pjesën e prapme të shtëpisë duke pirë një birrë dhe duke qarë. Papritmas, Aushvici u shfaq në kokën time, Aushvici, Aushvici. Në një farë mënyre edhe pse të çuditshme, ai imazh më ngushëlloi. Sepse ne ishim në gjendje të jetonim gjatë dhe madje të përjetonim një sëmundje fatale si kanceri”- thotë Niklas.
Gjatë fjalimeve që vazhdon të mbajë nëpër shkolla, ai u kërkon të rinjve të imagjinojnë sikur hebrenjtë e vrarë në kampet e shfarosjes të jenë të dashurit e tyre. Pra ta vizualizojnë atë tmerr. Si merreshin nga shtëpitë e tyre, futeshin në trena, detyroheshin të hynin në dhomat e gazit. Vetë e ka bërë një mijë herë këtë ushtrim. “Sa e sa herë e kam dërguar me mendje gruan time në dhomën e gazit, vajzën tonë, tre nipërit tanë! Dhe ndjej vetëm një të miliontën e frikës që ne u shkaktuam miliona njerëzve të pafajshëm”- thekson Niklas.
Ndërkaq, ai u thotë të rinjve: “Shijojeni jetën, por mos harroni se jeni gjermanë. Prandaj duhet të mbani mend se çfarë bënë ose panë gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj, dhe që nuk bënë asgjë për ta ndaluar. Ju lutem reagoni menjëherë, nëse hasni njerëz që flasin në mënyrë çnjerëzore”.
Niklas thekson se këta djem dhe vajza “nuk janë përgjegjës” dhe “nuk duhet të ndihen fajtorë”, por ai nuk u beson gjermanëve. Ai e sheh me alarm rritjen e antisemitizmit dhe në deklaratat e politikanëve edhe të moderuar për emigrantët, një ton që i kujton një epokë tjetër.
Ai përmend sukseset zgjedhore të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, e cila në Eklak mori 21 për qind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare. Të gjitha përpjekjet e Gjermanisë për t’u përballur me krimet e periudhës naziste, një përpjekje model për shumë njerëz, kanë një kuptim të ndryshëm për djalin e Hans Frankut.
“Ne jetojmë në demokracinë më të mirë që kemi pasur ndonjëherë, por ajo u ndërtua nga nazistët”- nënvizoi ai. Niklas argumenton gjithashtu se pas Luftës së Dytë Botërore dhe mbërritjes së demokracisë, “ata iu bindën sistemit të ri, ashtu siç i ishin bindur Rajhut të Tretë”.
“Unë supozoj se në Gjermani ka vetëm 1 milion demokratë të vërtetë. Të tjerët janë të përgatitur të jetojnë në një diktaturë dhe ta duan atë”- pohon ai./ Përshtati “Pamfleti”, marrë nga “El Pais”.
Lini një Përgjigje